Macron fjalim historik në Kongresin e SHBA, mesazh të qartë Trump

Botë

Gjurma 26/04/2018

Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë, në një fjalim që mbajti në Kongres, që Shtetet e Bashkuara të mos e braktisin marrëveshjen ndërkombëtare me Iranin për kufizimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Teherani.

Në një fjalim të fuqishëm para të dyja dhomave të Kongresit, Macron deklaroi se Irani “nuk ka për zotëruar kurrë armë bërthamore, as në 5 dhe as në 10 vjet”.

Udhëheqësi francez nuk e përmendi kundërshtimin e fortë të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj marrëveshjes së vitit 2015, ndërsa Trump është duke konsideruar marrjen e një vendimi muajin e ardhshëm, në se duhen rivendosur sanksione ekonomike ndaj Teheranit.

Emmanuel Macron duke u takuar me ligjvënësit amerikanë në Kapitol Hill
Emmanuel Macron duke u takuar me ligjvënësit amerikanë në Kapitol Hill

Por, shtoi Macron, “Ne duhet të sigurojmë stabilitet dhe të mos e shfuqizojmë marrëveshjen” me një ton me nënkuptim, duke thënë se Franca e “nënshkroi atë me nismën e Shteteve të Bashkuara”, e cila ishte negociuar nga paraardhësi i zotit Trump, ish-Presidenti Barack Obama.

Macron, sikurse veproi të martën në bisedimet me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, bëri thirrje për zhvillimin e negociatave për një marrëveshje të re me Iranin, lidhur me provat balistike të Teheranit dhe angazhimin ushtarak në Siri, Jemen, Liban dhe Irak. Por presidenti iranian Hassan Rouhani, të mërkurën e hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje të re, ose të ndryshimeve të saj, pas negociatave të gjata me Britaninë, Gjermaninë, Rusinë, Kinën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Trump ka vazhduar ta sulmojë marrëveshjen bërthamore me Iranin, si “të papërgjegjshme” dhe “qesharake” dhe nuk premtoi se do t’i qëndrojë marrëveshjes bërthamore, me afrimin e afatit të 12 majit, kur do të merret një vendim lidhur me sanksione të reja.

Trump është i vetmi udhëheqës në mesin e vendeve që e nënshkruan marrëveshjen me Iranin, i cili e kundërshton atë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, tha të mërkurën se marrëveshja duhet ruajtur.

Vlerësim i lartë për bashkëpunimin

Presidenti francez Macron mbrojti me forcë marrëveshjet shumëpalëshe mes vendeve të ndryshme dhe tha se Europa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me “kërcënimet dhe sfidat e reja” të shekullit të 21-të.

“Ne mund të zgjedhim izolacionizmin, por nuk do të mund të ndalim evolucionin e botës”, tha ai. Ai tha se aleatët perëndimorë nuk mund të lejojnë që të pushtohemi nga impulset nacionaliste dhe të “minojmë rendin liberal që vendosëm pas Luftës së Dytë Botërore. Ky është një moment kritik.”

Zoti Macron u brohorit nga disa ligjvënës amerikanë, kur tha se vendimet që ndikojnë tek ndryshime klimatike “duhet të bazohen tek shkenca”, në kundërshtim me disa konservatorë, të cilët thonë se nuk janë të bindur, në se njerëzit kontribuojnë me aktivitetin e tyre tek ndryshime klimatike. “Nuk ka një planet B”, – tha ai.

Trump e ka bërë të njohur synimin e tij se do të tërhiqet nga Marrëveshja e Klimës e Parisit e vitit 2015, duke thënë se ajo dëmton interesat e biznesit amerikan.

Por Emmanuel Macron parashikoi se “Jam i bindur se një ditë Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen përsëri Marrëveshjes së Parisit.”

Macron mbron vlerat europiane

Por pas kësaj erdhi akti i dytë i vizitës së Macron në SHBA, momenti kur foli para senatorëve dhe deputetëve të Kongresit Amerikan. Këtë fjalim ai e mbajti në anglisht, gjë e pazakontë për një president francez. Ajo që parashtroi Macron nuk ishte gjë tjetër, veçse një refuzim direkt i politikës Trumpiane dhe taktikës që e solli atë në pushtet. Macron mbrojti me pasion demokracinë, lirinë, tolerancën e të drejtat e njeriut si edhe bashkëpunimin ndërkombëtar – një pretencë e fuqishme e vlerave të sulmuara perëndimore.

E të gjitha këto Macron i tha para një kongresi të kontrolluar nga republikanët, që me pak përjashtime e mbështet presidentin Trump, i cili shpesh i injoron këto vlera. Fakti që fjalimi u mbajt në zemër të demokracisë së Shteteve të Bashkuara i dha atij një peshë të veçantë. Por kur kjo vizitë e Macron u përbë nga dy  pjesë, a mund të quhet si sukses, kur Macron nuk ia doli ta lëvizë Trumpin nga pozicionet e tij? Po, dhe kjo për dy arsye.

E mërkura është dita e fundit e vizitës tre-ditëshe të Presidentit Macron në Uashington, gjatë të cilave ai ka marrë pjesë në një sërë takimesh zyrtare dhe evenimentesh sociale. Kjo ishte vizita e parë shtetëtore e një udhëheqësi botëror gjatë presidencës 15-mujore të zotit Trump.

Zoti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump pritën të martën në një darkë luksoze presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij Brigitte Macron, në praninë e më tepër se 100 të ftuarve, përfshirë zyrtarë të administratës Trump dhe ekzekutivë të korporatave kryesore amerikane.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *