28 mijë eurot e kunatit që groposën gjyqtarin e Kushtetueses, Fatmir Hoxha

Kronike Kryesore Lajme

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardh vendimin për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, i cili me shumicë votash u shkarkua nga detyra pasi u rivlerësua në tre kritere, atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.

Gjyqtarja kryesuesja Xhensila Pine dhe relatorja Alma Faskaj ishin pro shkarkimit, ndërsa kundër ka qenë anëtarja e kësaj trupe gjykuese Valbona Sanxhaktari.

Bëhet fjalë për blerjen e një apartamenti 2+1 në Tiranë dhe arredimin e saj me vlerë 140.450 euro, për të cilën i ishte marrë borxh kunatit një shumë prej 28 mijë eurosh

Sherri 28 mije eurosh

Në deklaratën vetting gjyqtari nuk ka treguar si një nga burimet e krijimit të pasurisë, borxhin e marrë nga kunati   A. G. Më pas me anë të postës elektronike gjyqtari tregoi se për blerjen e apartamentit i kishte marrë hua verbale kunatit shumën 28. 500 euro.

Avokati pretendoi se borxhi është marrë në shkurt 2011 dhe për disa vite rresht është paguar derisa ky borxh është likuiduar, kjo përpara datës kur është plotësuar deklarata vetting.

Por dhe nga ana e tij kunati nuk ka arritur të deklarojë burimin.

Sipas argumentit të shumicës: “Ka deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin për burimin e krijimit të kësaj pasurie, pasi në Deklaratën “Vetting” nuk është deklaruar si burim huaja e marrë shtetasit A. G. në vlerën prej 28 500 euro, ii)” Subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar me dokumentacion, burimin e ligjshëm i krijimit, të shumës së marrë hua shtetasit A. G., *kunati)  në vlerën prej 28 500 euro, sipas nenit 32 pika 4 të ligjit nr. 84/2016, iii)

Me shume shpenzime se te ardhura

Po kështu ka mospërputhje midis shumës së të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2011 në masën që shpenzimet tejkalojnë të ardhurat me 175,521,23 lekë, shumë e cila nuk është shpjeguar në mënyrë të arsyeshme,

Gjithashtu sipas shumicës gjyqtari fshehu duke mos e deklaruar shumën prej 330.000 lekë, gjendje në llogarinë depozitë të bashkëshortes nr. *** pranë BKT në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003.

Sa i takon kontrollit të figurës

Në vendim shkruhet “Nuk rezultuan elemente që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës Trupa gjykuese arrin nё pёrfundimin se subjekti i rivlerёsimit ka arritur njё nivel tё besueshёm nё kontrollin e figurёs sipas parashikimit te nenit 59/1 germa b, të ligjit nr. 84/2016

Tre arsyetime me vonese

Sa i takon procesit të rivlerësimit etiko profesional, mendimi i shumicës ishte se gjyqtari arsyetonte me vonesa të larta vendimet duke cënuar standardin për një proces të rregullt ligjor, referuar nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ.

Për këtë iu referua 3 rasteve.

Në një cështje që mban vitin 2013 me kërkues B.F, gjyqtari ka votuar kundër.  Në  analizën e vendimit të arsyetuar nr. 58, datë 10.04.2015, rezulton se ai është marrë me shumicë votash, por vendimit nuk i është bashkëngjitur mendimi i pakicës.  Po kështu në dy çështje nga marrja e vendimit, deri në shpalljen e tij ka kaluar mbi 1 vit kohë.

Mendimi i pakices

Anëtarja e kësaj trupe gjykuese Valbona Sanxhaktari vlerëson se Fatmir Hoxha, gjyqtar me karrierë 25 vjeçare duhet të vijojë detyrën dhe në arsyetimin e pakicës publikuar në vendim thuhet:

Mospërfshirja e një burimi që ka ekzistuar më parë, por që është shlyer dhe nuk ekziston më në momentin e deklarimit në formularin e Deklarimit “Vetting”, duke qenë se deklarohen vetëm pasuri ekzistuese, mendoj se nuk përbën shkak për fshehje të pasurisë apo deklarim të pasaktë.

Kunati kur është paraqitur ka deklaruar se këto para ai i ka pasur në bankë dhe kjo ishte e dokumentuar.

Përsa i përket minusit të gjendjes së të ardhurave në raport me detyrimet, për vitin 2003, shuma është irrilevante dhe subjekti ka deklaruar se ka mbuluar ato me para të mbledhura në dasmën e tij.  Në çdo rast konstatimi i shumicës se të ardhurat kanë qenë të pamjaftueshme për të justifikuar shpenzimet në bazë të provave të administruara dhe të bindjes së brendshme, nuk mund të çojë në asnjë nga shkaqet e paraqitura në nenin 61 të ligjit nr. 84/2016.

Sa i takon mosdeklarimit të llogarisë së depozitës së bashkëshortes bëhet fjalë për një harresë materiale,e cila është e korrigjueshme dhe në fakt është korrigjuar në vitin pasardhës. Në rastin konkret, ndryshe nga vendimi i arritur nga shumica, bazuar në provat e analizuara, nuk vlerësoj se ndodhemi përpara një pasurie të paligjshme e të padeklaruar.

Z. Fatmir Hoxha ushtron funksion e gjyqtarit prej 25 vitesh, nga dokumentacioni i administruar në Komision mbi vlerësimin e figurës dhe aftësive profesionale vërehet se ai ka mbajtur këtë detyrë me përgjegjësi dhe paanshmëri. Karriera e tij ka qenë në ngritje dhe duket se ai e ka ushtruar detyrën me përkushtim…

Për sa më sipër, shpreh bindjen e bazuar në provat se subjekti i rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, nuk ndodhet në rastet e parashikuara nga neni 59/2 i ligjit nr. 84/2016. Niveli i konstatimeve në lidhje me pasuritë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimi profesional, i marr në tërësinë e tyre nuk plotësojnë kriteret dhe shkaqet që përligjin marrjen e masës disiplinore ekstreme të shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit, prandaj duhej të gjente zbatim neni 59/1 i ligjit nr. 84/2016. Në fakt, nga ana e shumicës nuk u evidentua dhe u argumentua në mënyrë të qartë lidhja shkakësore që duhet të ekzistonte ndërmjet konstatimeve të bëra nga ana e  18 shumicës në lidhje me vlerësimin e pasurive të subjektit të rivlerësimit, në raport me shkaqet dhe kriteret e parashikuara shprehimisht nga neni 61, pika “1” e ligjit nr. 84/2016, titulluar “Shkarkimi nga detyra”..

Për të njëjtën arsye, nga ana e shumicës nuk është evidentuar dhe argumentuar lidhja shkakësore që duhet të ekzistojë midis gjetjeve në lidhje me pasuritë e subjektit të rivlerësimit dhe shkaqet e kriteret që parashikon neni 61, pika “3” e ligjit nr. 84/2016, apo shkaqet dhe kriteret që parashikon pika “5” e po këtij neni, duke qenë se mungon lidhja e shkeljeve të konstatuara me pasojën e parashikuar shprehimisht nga dispozita në fjalë që ka të bëjë me cenimin e besimit të publikut dhe të pamundësisë së provuar për të plotësuar mangësitë përmes programit të trajnimit. Kjo dispozitë zbërthen përcaktimet kushtetuese të parashikuara në nenin “Ë” të Aneksit të Kushtetutës, prandaj arsyetimi në lidhje me këtë dispozitë përbën jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një detyrim kushtetues të parashikuar shprehimisht nga pika “1” e nenit “Ë” të Aneksit të Kushtetutës. Për këtë arsye, në pajtim me parimin e proporcionalitetit dhe parimin e gjykimit të drejtë, kam mendimin se duhet të zbatohej neni 59, pika “1” e ligjit nr. 84/2016, duke u vlerësuar në tërësi të gjithë përbërësit e vlerësimit për subjektin Z. Famir Hoxha. Në këto rrethana, duke pasur parasysh faktin se nga provat e shqyrtuara dhe nga deklarimet e bëra në seancën dëgjimore, krijoj bindjen se subjekti i rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e figurës, si dhe ka krijuar një nivel të mjaftueshëm profesional, prandaj në vlerësim të të gjithë përbërësve të vlerësimit, krijoj bindjen se shumica nuk duhet të kishte disponuar shkarkimin nga detyra të këtij subjekti, por konfirmimin e tij në detyrë…

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin me 10 maj dhe e publikoi te zbardhur ne faqen zyrtare te ketij institucioni me 12 qershor 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *