3.4 milionë eurot, dalin fotot e 2 dibranëve në kërkim, zotëronin Exchange

Kronike Kryesore Lajme

Katër personat e arrestuar për 3.4 milionë eurot e sekuestruara në portin e Durrësit vijojnë të mohojnë faktin se kanë pasur dijeni për paratë.

Ata thjesht kanë transportuar automjetet nga Belgjika, duke kaluar në Gjermani e Itali e më pas kanë mbërritur në Durrës, sipas porosive që kanë marrë nga klientët.

Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë deklaruar se kanë pasur dijeni vetëm për makinat. Të arrestuarit janë Edi dhe Klevis Lika, babë e bir. Edi Lika ka në pronësi një servis në autostradën Tiranë- Durrës, ndërsa së fundmi e ka zgjeruar aktivitetin e tij në transport ndërkombëtar mjetesh.

I biri, Klevis Lika kishte nisur punë si shofer shoqërues.  Ndërsa Agim Çeka, 61-vjeç, ishte shoferi kryesor i mjetit ‘Bizark’.

Alban Mollaymeri është pronari i një servisi në periferi të Tiranës. Me 24 qershor, policia bllokoi në portin e Durrësit 3.366.800 euro,  100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe 80,000 franga zvicerane. Sasia e parave u gjet në dy makina “Toyota Yaris”.

Elvis e Alfred Vladi, të dy nga Peshkopia, janë personat që sipas policisë kanë porositur ngarkesën me euro.

Pronarë të 2 Exchangeve

Në informacionin zyrtar lidhur me operacionin, Policia tha se nga hetimet paraprake ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porositur nga shtetasit Elvis e Alfred Vladi, nga Dibra e banues në Tiranë, tashmë të shpallur në kërkim.

Njëri nga këta persona, konkretisht 33-vjeçari Alfred Vladi, rezulton pronar i dy subjekteve të regjistruara në QKB, që merren me makinat me qira dhe këmbim valutor. Nga ana tjetër, janë arrestuar 4 persona të tjerë në lidhje me ngarkesën e makinave, ku u gjetën rreth 3.4 milionë euro. Të arrestuarit janë Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç dhe i biri, Klevi Lika (Cani), 21 vjeç, si dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç.

Policia tha se gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip “Bizark”, të drejtuar nga shtetasi Agim Çeka dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zvicerane, të padeklaruara.

POROSITESIT

Kushërinjtë e shpallur në kërkim, Alfred dhe Elvis Vladi, sipas Policisë janë porositës së ngarkesës me sasinë rekord të eurove, që u zbuluan në portin e Durrësit. Të dy rezultojnë pronarë biznesesh në Tiranë, por njëri prej tyre, Alfred Vladi, ka në pronësi edhe dy kompani që merren me dhënien e automjeteve me qira e këmbim valutor. Të dyja kompanitë e tij janë regjistruar në vitin 2017.

Fusha e veprimtarisë së shoqërisë së parë është: Agjenci udhëtimi, makina me qira dhe huadhënie. Veprimtari e agjentit për transfertë parash në emër dhe në llogari të një subjekti financiar jo bankë. Të gjitha shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiar jo bankë. Veprimtari e agjentit komisioner. Shërbimet Unionnet-Western Union.

Veprimtari e këmbimit valutor. Po kështu, edhe shoqëria tjetër në pronësi të tij, me emrin tregtar “Tirana Rental Car”, ka pothuajse të njëjtën fushë të ushtrimit të veprimtarisë. Ndërsa të dyja janë me qendër në zonën e Laprakës, në Tiranë.

PROVAT

Policia tha dje se pas sekuestrimit të parave, saktësisht 3 366 800 euro dhe 100 euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara, e 80 mijë frangave zvicerane janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambiente të tjera të personave të dyshuar. Gjatë operacionit janë sekuestruar si prova materiale 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit “Toyota Yaris”, 1 tip “Alfa Romeo”, 1 tip “Opel” dhe 1 tip “Bizark”. Gjithashtu edhe 1 armë kallashnikov me 2 krehra fishekësh, të gjetura nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Agim Çeka, 1 radio policie dhe 7 telefona celularë.

Zyrtarisht policia tha se ka arrestua katër persona; Agim Çeka 61 vjeç, Edi Lika (Cani) 41 vjeç, Klevi Lika 21 vjeç dhe Alban Mollaymeri 40 vjeç. Ky i fundit ishte personi që do të priste automjetet Toyota për llogari të kushërinjve Vladi.

Skenari për sjelljen në Shqipëri të shumës financiare ka nisur të marrë jetë, kur në Tiranë, një muaj e gjysëm më parë, në datën 7 maj 2018 është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “Tirana Rental Car”, me pronarë Alfred Vladi dhe Flamur Vladi. Qëllimi i kësaj kompanie ishte të lëshonte automjete me qira, dhe për të zgjeruar punën dhe aktivitetin e tyre, Alfred Vladi, ka porositur blerjen e disa makinave “Toyota Auris” në Gjermani.

 

Firma e makinave me qira u krijua para 1 muaji e gjysëm

Dyshohet se pikërisht në këtë servis ishte planifikuar që të dorëzoheshin 7 automjetet “Toyota Auris”, të cilat do merreshin dorëzimin nga kompania “Tirana Rental Car” që zotërohet nga Alfred Vladi tashmë i shpallur në kërkim policor. Parkimi i servisit dhe lavazhit do të shërbente me sa duket për vend parkim, por njëherësh dyshohet se në dy automjetet ku ishte fshehur shuma prej 3.4 milion euro, do çmontoheshin në servis, për të nxjerrë nga trupi i makinës shumën e madhe të euro.

 

 Ne foto lart: Alfred Vladi, i shpallur ne kerkim

 

Paratë, dyshime se vinin nga tregtia e drogës në Londër, Belgjikë e Holandë

Alfred Vladi, 33 vjeç dhe Elvis Vladi, 38 vjeç janë dy kushërinjtë që janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si dy personat që kanë porositur automjetet “Toyota” nga Belgjika, brenda së cilave ishin fshehur 3.4 milionë Euro.

Alfred Vladi dhe Elvis Vladi janë djem xhaxhallarësh me njëri-tjetrin, me origjinë nga Peshkopia dhe banues në Tiranë.

Elvis Vladi rezulton të jetë i arrestuar në vitin 2015 në Londër të Britanisë së Madhe, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte kokainë. Në atë periudhë, grupi i tyre u kap në flagrancë me 16 kg kokainë. Nga gjykimi i çështjes, Elvis Vladi u shpall i pafajshëm nga ana e gjykatës angleze dhe u la i lirë.

Dyshohet se grupi kriminal, me të cilin në atë kohë u arrestua edhe Elvis Vladi, paratë që përfitonte nga shitja e kokainës i pastronte në Shqipëri. Pikërisht në këtë pistë janë fokusuar edhe hetimet e policisë shqiptare.

Mësohet se grupi kriminal i shqiptarëve në Londër ushtronte veprimtarinë përveç Britanisë, edhe në Belgjikë e Holandë. Policia e Shtetit thotë se kontenieri me automjetet Toyota ishte nisur nga Belgjika. Më pas kishte mbërritur në portin e Durrësit tranzit nga porti i Barit në Itali.

Si funksiononte pastrimi i parave të kokainës dhe lidhja me “Toyota”-t

Nga të dhëna të besueshme të tvklan.al rezulton se 33-vjeçari Alfred Vladi është administrator i “Tirana Rental Car”, firmë që jep automjete me qira. Kjo kompani është regjistruar për herë të parë më 16 Gusht 2017 me emër subjekti Alfred Vladi. Disa muaj më pas, më 7 Maj 2018 është ndryshuar emri i subjektit tregtar dhe është bërë “Tirana Rental Car”. Administrator sërish vijon të mbetet Alfred Vladi, ndërsa ortak është Flamur Vladi.

TV Klan ka mësuar se Flamur Vladi është vëllai i Elvis Vladit, 38-vjeçarit të arrestuar para 3 vitesh në Londër dhe që më pas u shpall i pafajshëm.

Për shkak të historisë që ka pasur në Londër, mendohet se për këtë arsye është regjistruar ortak i kompanisë.

Kompania “Tirana Rental Car”, në funksionin e saj thotë se jep makina me qira, të cilat janë kryesisht Toyota. Kjo firmë thotë gjithashtu se objekt i saj janë edhe shitblerje makinash, huadhënie, agjenci udhëtime, veprimtari për transfertë parash në emër dhe në llogari të një subjekti financiar jo bankë.

Të gjitha shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave bëhen në emër dhe për llogari të një subjekti financiar jo bankë.

Pista e hetimit

Burime konfidenciale nga policia thonë se ka dyshime të arsyeshme që paratë e pista mund të jenë sjellë në Shqipëri edhe përmes transferimit të tyre nga ana e “Tirana Rental Car”. Nuk dihet ende nëse shuma të tilla janë sjellë edhe herë të tjera në vendin tonë apo kjo ka qenë rruga e parë e këtij grupi kriminal. Eurot e përfituara nga shitja e kokainës në Angli transferoheshin më pas në Belgjikë apo dhe shtete të tjera ku kishte lidhje grupi i shqiptarëve të Londrës që drejtohej nga Gentian Cuka. Pas arrestimit të këtij të fundit në vitin 2015, drejtimin e grupit e morën njerëz të afërt me Cukën, thonë mediat angleze.

Pas mbërritjes së Eurove në Belgjikë, ato më pas silleshin në Shqipëri përmes transfertave nga ana e një subjekti financiar jo bankë apo përmes dërgesave me automjetet Toyota që porositeshin nga “Tirana Rental Car”. Kjo është pista ku janë fokusuar hetimet e agjentëve të Policisë së Shtetit.

Më pas shumat e parave pastroheshin duke u investuar në fusha të ndryshme.

Ne foto lart: Alban Mollaymeri

 Ne foto: Ilir Doçi

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *