Ambasadorja e SHBA: Kam tingëlluar si magnetofon i prishur, por Reforma në Drejtësi…

Lajme Politikë

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ishte e pranishme këtë mbrëmje në aktivitetin për Reformën në Drejtësi, të organizuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në fjalën e saj, ambasadorja nxiti çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, pasi sipas saj, do të sulmojë korrupsionin.

Ndër të tjera, kryediplomatja e SHBA foli dhe për heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si një personalitet i jashtëzakonshëm, duke thënë se shpirti dhe fryma e tij janë ende prezente në Shqipëri, dhe po me këtë frymë, sipas saj, duhet bërë edhe drejtësi për të gjithë shqiptarët.

“Kam pasur nderin të takohem me një pjesë të madhe prej jush dhe mund të kem tingëlluar si një magnetofon i prishur për sulmin që Reforma në Drejtësi do t’i japë korrupsionit. Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet e plotë. Të gjithë jemi shërbyes publikë. Jemi mbledhur për të shënuar kauzën “Drejtësi për të gjithë”. Ne mbartim një privilegj të madh, por një detyrë edhe më të madhe për të siguruar publikun që do t’i bëjmë detyrat me integritet. Ne kemi një idiomë në gjuhën angleze “Ne themi ‘shërbeji drejtësi’”. Kjo do të thotë çështje që jep trajtim të drejtë.

Për të gjithë momentet e shkuara, por edhe ata që do vijnë, ju themi se jemi krah për krah me ju. Unë mendoj për Skënderbeun dhe Xhorxh Uashingonin, dy personalitete të jashtëzakonshëm. Por, jemi në prag të diçkaje tejet të rëndësishme. Besoj që shpirti, fryma e Skënderbeut është ende gjallë këtu në Shqipëri, ashtu si fryma e Xhorxh Uashingtonit është po aq prezente këtu. Besoj plotësisht që si fryma e Skënderbeut, Uashingtonit, janë të gjalla këtu, dhe në atë frymë ju shpreh që të mbartni frymën e kurajos, në mënyrë që të jepni drejtësi për të gjithë”, tha ambasadorja Kim.

Për ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca theksoi se reforma në drejtësi është pasaporta e Shqipërisë për të hyrë në BE. Soreca tha se BE ka investuar dhe është angazhuar personalisht për krijimin e reformën në drejtësi dhe se 2020 do të jetë viti kritik që do të tregojë dhe konsolidojë në praktikë të gjitha arritjet e mëparshme.

Nderime të veçanta për trupat e reja të gjyqësorit që të bëjnë një punë të rëndësishme me integritet dhe profesionalizëm që gjatë 2020 dhe t’ii jepin drejtësisë themelet e forta të besueshme. SPAK i uroj kurajë dhe guxim për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin për të kthyer shpresën e shqiptarëve në realitet. BE mbështet reformën në drejtësi dhe është angazhimi politik dhe financiar më i madh i saj në vend. Kjo është e vetmja mënyrë për të krijuar një Shqipëri demokratike dhe stabël si pjesë të BE. Këto vitet kanë qenë intensive që kanë kërkuar nerva çeliku nga të gjithë. Në vetëm 3 vite janë ndryshuar 70 teste ligjore pa llogaritur ndryshimet kushtetuese si dhe janë ngritur institucione të reja në drejtësi. 2020 do të jetë një vit kritik gjatë të cilit do të lipset që të konsolidohen të gjitha arritjet e vitit të mëparshëm. Të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për të plotësuar vakancat e krijuara nga vettingu dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të jetë qendra dhe thelbi i saj. BE dhe SHBA do qëndrojnë krah jush për të vazhduar me këtë ritëm reformash. Reforma në drejtësi na ka mësuar se me kurajë dhe shumë punë për një të ardhme më të mirë gjithçka mund të arrihet. Reforma në drejtësi është pasaporta e Shqipërisë për të hyrë në BE’ u shpreh Soreca.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj theksoi se reforma në drejtësi mbetet pasaporta më e mirë për të ardhmen e vendit dhe rikthimin e shpresës te qytetarët. Sipas Gjonajt, realizimi i saj dhe drejtësia e re në veprim, janë prova të vendosmërisë për të qenë një anëtare e denjë e familjes europiane.

“Qytetarët e këtij vendi shpresojnë që pritshmëritë e tyre për reformën të realizohen. Është përgjegjësia jonë ta kthejmë shpresën e tyre në besim. Institucione të reja tashmë janë ngritur dhe kanë filluar punën. Prokurori i ri Përgjithshëm ka filluar ushtrimin e detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë sapo është zgjedhur, Kuvendi ka zgjedhur anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese. Janë bërë hapa pozitiv përpara, por që kërkojnë ritme shumë më të mira për të përmbyllur sa më shpejt ciklin e formatimit të institucioneve të reja dhe funksionimin tërësor të tyre. Viti 2020 besoj fort se do të jetë viti i funksionimit të Drejtësisë së Re. Viti që do të shohim të jetësuar arkitekturën e plotë të saj, që do të përmbyll ngritjen e të gjithë institucioneve të saj,viti që do të shohim rezultatet e para të shumë prej tyre”, u shpreh ajo.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *