Arrestohet një grua në SHBA, akuzohet si agjente ruse

Botë Rrotull

Një ndihmëse e një zyrtari të lartë qeveritar rus nën sanksionet amerikane, u akuzua të hënën për komplot për t’u infiltruar në organizatat amerikane, si pjesë e operacioneve të ndikimit të Moskës në Shtetet e Bashkuara.

Maria Butina, 29 vjeçe, u arrestua të dielën nën akuzat për komplot për të vepruar si agjente e qeverisë ruse në Shtetet e Bashkuara, pa njoftuar prokurorin e përgjithshëm. Butina u paraqit para një gjykatësi federal në Gjykatën e Qarkut në qarkun e Columbias, në pritje të një seance dëgjimore të mërkurën.

Sipas një dëshmie të FBI-së, në periudhën ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, Maria Butina punoi si ndihmëse e një zyrtari të lartë të Bankës Qendrore Ruse, që më parë shërbeu në legjislaturën e vendit. Në dëshmi nuk identifikohet zyrtari rus, por thuhet se ai u vu nën sanksionet e Departamentit amerikan të thesarit në muajin prill.

Në muajin prill Departamenti amerikan i thesarit, shpalli sanksionet kundër 17 zyrtarëve të lartë qeveritar rusë, përfshirë Alexander Torshin, zëvendës guvernator i Bankës Qendrore ruse.

Maria Butina akuzohet se derisa paraqitej si studente në Shtetet e Bashkuara, punoi nën drejtimin e Torshinit për të avancuar interesat ruse në Shtetet e Bashkuara. Si pjesë e përpjekjeve të saj, ajo ndërveproi me dy qytetarë amerikanë të paidentifikuar, për të organizuar takime dhe darka me amerikanë me ndikim.

Butina u takua me amerikanin e parë në Moskë në vitin 2013. Amerikani punoi me Butinën “për të organizuar së bashku prezantime me amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një organizatë që promovon të drejtën për mbajtjen e armëve … me qëllim të avancimit të agjendës së Federatës Ruse”, thuhet në dëshminë e FBI-së.

Shtetasi i dytë i paidentifikuar amerikan u përfshi në një seri komunikimesh nëpërmjet postës elektronike në vitet 2016 dhe 2017, që tregojnë përpjekjet e Butinës që “të organizojë një seri darkash në distriktin e Columbias dhe në New York, duke përfshirë shtetas rusë dhe amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në dëshmi.

Dëshmia e përshkruan Rusinë si një nga “kërcënimet kryesore të shërbimeve shtetërore të zbulimit ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara, bazuar në aftësitë, qëllimin dhe hapësirën e gjerë operacionale”.

Një Juri e Madhe federale ngriti të premten akuza ndaj 12 oficerëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit, për depërtim në vitin 2016 në rrjetin kompjuterik të kandidates demokrate për presidente të SHBA-së Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rus, Vladimir Putin, se ndërsa ai kishte besim në agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, i beson mohimit të Putinit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane. VOA

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *