Arta Dade: Rama nuk duhet që të fitojë një mandat të tretë. PS nuk ekziston më

Kryesore Lajme Politikë Slider kryesore

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, e ftuar në “Dita jonë” në A2, deklaroi se reformat e qeverisë duhen vlerësuar, por, sipas saj, problemi është a po çohen deri në fund apo jo.

“Reformat duhen vlerësuar, por problemi është a po çohen deri në fund dhe a po japin efektet e duhura? Fatkeqësisht, më duket sikur rreket më shumë për të bërë “show”. Njerëzit po largohen dhe po largohet klasa e mesme fatkeqësisht. Gjermania po kërkon fuqi punëtore dhe janë shtete që mendojnë në kuadër afatgjatë, ndërsa ne nuk kemi shqetësim se vendi po braktiset. Shpresën nuk mund ta kthejë më Rama dhe as kjo opozitë që është në gjendjen më dramatike që ka qenë ndonjëherë një opozitë në vend dhe i ka lënë terren të lirë qeverisë”, u shpreh Dade.

Kur u pyet nëse kryeministri Edi Rama do ta fitojë një mandat të tretë, Dade u përgjigj shkurt: “Nuk besoj dhe nuk duhet që ta fitojë”.

Në lidhje me aksionin e Presidentit Ilir Meta, Dade deklaroi: “Presidenti është provokuar në kryerjen e detyrës së tij dhe në mjaft akte antikushtetuese dhe mesa duket, provokimet e kanë detyruar të ndërmarrë këtë hap”.

Arta Dade, ish-deputete e Partisë Socialiste, e ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2, pati kritika të forta për Partinë Socialiste dhe udhëheqjen e saj. Sipas saj, PS-ja nuk ekziston më.

“Unë kam qenë zëri kundër dhe ndoshta prandaj jam larguar, pasi Rama mendonte se mund të isha shembull i keq në grup. Partia Socialiste është atrofizuar dhe nuk ekziston më. Nuk e di nëse mund të reformohet, apo duhet nisur nga e para krijimi i së majtës. Nuk mund të vazhdojë kjo lloj qeverisje e ashtuquajtur e majtë, pasi qeverisja e Ramës nuk është një qeverisje e së majtës evropiane, ku në themel janë politikat sociale. Dihet që varfëria është rritur dhe ka mjaft dukuri që janë të papranueshme dhe nuk kanë asnjë lidhje me programin themeltar të PS-së”, deklaroi Dade, e cila e quan farsë Kongresin e kësaj partie që u mbajt fundjavën e kaluar.

“Kongresi ishte një farsë dhe për ne që e kemi përfaqësuar atë parti dhe që kemi qenë të pranishëm në strukturat vendimmarrëse, na vjen keq sepse njerëzit besuan te Partia Socialiste pas qeverisjes në periudhën 1997-2005. Janë zhbërë rekordet pozitive që ka arritur PS-ja. Nuk ka më asnjë zë kundër, nuk ka më asnjë debat. Le t’i afirmojnë arritjet, por të diskutojnë edhe gabimet pasi nuk ka mundësi që nuk ka gabime në 7 vite qeverisje. Demokracia duhet të nisë fillimisht nga forcat politike, por fatkeqësisht demokracia e brendshme nëpër parti është mbytur”, theksoi Dade.

Dade nënvizoi se kryeministri Edi Rama “është mjeshtër për të privatizuar hapat që hidhen nga partnerët tanë”, pasi, sipas saj, “dera e BE-së ka mbetur vazhdimisht e hapur sepse është edhe në interes të BE-së që Ballkani Perëndimor të mos mbetet si oborr i pasëm”.

“Pati eufori edhe kur u publikua shifra që u dha nga Konferenca e Donatorëve për rindërtimin pas tërmetit, por fakti që Komisioneri për Zgjerimin njoftoi edhe strukturat për monitorim që të shmanget korrupsioni, kjo do të thotë se Komisioni Evropian është i shqetësuar për korrupsionin”, tha Dade.

Ish-deputetja socialiste kritikoi edhe Operacionin Forca e Ligjit: “Duket sikur qeveria po vepron, por pse nuk veproi për 7 vjet sepse kuadri ligjor nuk ka munguar këto kohë. Çfarë nuk ka funksionuar që tani është dashur të rimerret kjo?”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *