Braktisja e shqiptarëve, të dytët në botë për marrjen e shtetësisë në vendet e BE-së

Kronike Lajme Sociale
09/04/2018 11:23
Shqiptarët po kërkojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm të largohen nga vendi, por edhe të bëhen qytetarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian dhe po ia arrijnë këtë me ritme shumë më të larta sesa shtete të tjera europiane jo anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera në botë, që kanë një popullsi shumë më të madhe sesa ne.

Sipas të dhënave të Eurostat, të publikuara sot, shqiptarët janë të dytët në botë, pas marokenëve, që kanë arritur të marrin nënshtetësinë e BE-së në vitin 2016.

Janë 67,500 shqiptarë që kanë marrë shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2016, ku 97% e tyre kanë marrë nënshtetësinë e Italisë, ose Greqisë. (54.7% kanë marrë nënshtetësi italiane,42.3% greke dhe 0.8% belge).

Shqiptarët në Itali zënë vendin e parë edhe në krahasim me shtetet e tjera, pasi ata kanë arritur të marrin 18.3% të të gjithë pasaportave që shteti fqinj ka dhënë për të huajt, ndërsa në vend të dytë ishte Maroku, me 17.5% dhe rumunët me 6.4%.

Ata mbizotërojnë dukshëm edhe në Greqi, ku 86% e pasaportave janë dhënë për shqiptarët, 1.5% pë ukrainasit dhe 1.2% për rusët, sipas të dhënave të Eurostat.

Sipas Eurostat, në vitin 2016, rreth 995,000 persona kanë fituar shtetësinë në një Shtet Anëtar të Bashkimit Europian (BE), nga 841,000 në vitin 2015 dhe 889,000 në vitin 2014. Nga numri i përgjithshëm i personave që fitojnë shtetësinë në një prej Shteteve Anëtare të BE në 2016, 12% ishin ish-shtetas të një shteti tjetër anëtar të BE-së, ndërsa shumica ishin nuk ishin shtetas të BE, ose ishin pa shtetësi.

Revista Monitori raporton se grupi më i madh që fiton shtetësinë në një shtet anëtar të BE, ku jetonin në vitin 2016, ishin shtetasit e Marokut (101, 300 persona, 89% prej të cilëve kanë marrë shtetësinë e Spanjës, Italisë ose Francës), duke u renditur përpara qytetarëve të Shqipërisë (me 67,500), India me 41,700, më shumë se 60% kanë marrë shtetësi britanike, Turqia (32,800, pothuajse gjysma e fituar shtetësinë gjermane), Rumania (29,700, 44% kanë fituar shtetësinë italiane) dhe Ukraina (24,000, 60% kanë marrë shtetësinë e Gjermanisë, Rumanisë, Portugalisë ose Italisë).

Marokët, shqiptarët, indianët, pakistanezët, turqit, rumunët dhe ukrainasit përfaqësonin së bashku rreth një të tretën (33%) të numrit të përgjithshëm të personave që fituan shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së në vitin 2016. Rumunët (29,700 persona) dhe polakët (19,800) ishin dy grupet më të mëdha të shtetasve të BE-së që fituan shtetësinë e një shteti tjetër anëtar të BE-së.

150 mijë shqiptarë në Itali

Vetëm në 2016-tën janë betuar për besnikëri ndaj Kushtetutës italiane 36.920 shqiptarë, thotë Istat. E gjitha kjo ka çuar në uljen e numrit të shqiptarëve me dokumentin e qendrimit që është nën 450 mijë.

Më saktësisht, komuniteti shqiptar në Itali, me leje qendrimi, është rritur nga viti në vit deri në fillim të 2013, kur kaloi gjysmëmilioni, 502.546. Nga atëherë është vënë re një reduktim për të arritur në 441.838 persona në 1 janar 2017.

Pikërisht në të njëjtën periudhë të reduktimit të komunitetit shqiptar me leje qendrimi, është rritur dhe numri i atyre që bëhen qytetarë italianë.

Shifrat e 2016-tës katërfishohen krahasuar me 2012 ku janë bërë italianë vetëm 9.493 shqiptarë. Nga viti në vit rritja ka qenë e pashmangshme.

Pra, referuar shifrave zyrtare deri në fund të 2016-tës numri gjithsej i shqiptarëvve që kanë marrë nënshtetësinë italiane kalojnë 150 mijë persona.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *