Çështja e Toyota-ve”, Balla padit Bashën (DOKUMENTI )

Kryesore Lajme Politikë

Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj kryedemokratit Luzlim Basha. Kallëzimin deputeti socialist e ka bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, raporton Balkanweb.com

Taulant Balla akuzon kështu zotin Basha për nxjerrjen e sekretit hetimor, në lidhje me dy automjetet tip “Toyota Yaris” që u bllokuan në portin e Durrësit, brenda të cilave u gjetën rreth 3.4 milionë euro.

“Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ( duke treguar me gisht nga Balla, që po qeshte bashkë me Ramën) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”, ka thënë Basha ditën e enjte në Kuvend, e që sipas kreut të grupit të PS-së ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor.

Katër personat e arrestuar nga policia, si të përfshirë në kalimin nga Belgjika drejt Shqipërisë të 3.4 milionë eurove kanë mohuar para grupit hetimor të kenë pasur pjesë në këtë shumë parash. Ata mësohet të kenë pohuar se paratë nuk janë të tyret.

 

Kallezim i plote

KALLËZIM PENAL

 

KALLËZUES: Taulant Balla, i biri i Kasem dhe Fatime , i dtl. 12.08.1977, lindur ne Lunik, Librazhd, me adresë për efekt njoftimi Rr.”Reshit Petrela”, Tiranë ose Selia e Partisë Socialiste, Sheshi Austria, Tiranë.

OBJEKTI: Kallzim i veprës penale “Nxerrje e sekretit hetimor”

KUNDËR: Lulzim Basha, i biri i Xhelal dhe Remzije, i dtl. 12.06.1974, lindur Tiranë , me adresë për efekt njoftimi, njësia Bashkiake nr 8, Rr”Demir Gashi”, nr 3 Tiranë, ose Selia e Partisë Demokratike, ish- SHQUP-I, Tiranë.

BAZA LIGJORE: Nenet 280, 283 të Kodit të Procedurës Penal.

DREJTUAR: Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

 

I nderuar Z.Prokuror!

 

Bazuar në nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale, jam detyruar të bëj këtë kallëzim penal, për veprën penale të cituar në objektin e këtij kallëzimi, duke parashtruar rrethanat e faktet konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohet se është kryer vepra penale, si edhe dispozitën që parashikon këtë vepër penale.

 

  1. Rrethanat e çështjes

Unë kallëzuesi jam deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. I kallëzuari është Kryetar i Partisë Demokratike.

Në fjalimin e tij në Kuvend të datës 21 qershor 2018, i kallëzuari Lulzim Basha ka folur rreth çështjes së hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit foli për shqetësimin e Gjermanisë, skeptike sipas tij për t’i dhënë ‘OK’ hapjes së negociatave me Shqipërinë. Gjithashtu është shprehur se opozita ka ndikuar pozitivisht në lidhje me këto negociata, fjali kjo që ka shkaktuar të qeshura në parlament.

Në këtë moment i kallëzuari i është drejtuar deputetit Taulant Balla me fjalët “Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para 3 ditësh, ka porositur një Toyota Yaris, po ta kanë zbuluar toyotën o zgërdhimtar bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda, vazhdo qesh se do të shikosh se çfarë do të të tundet përpara hundës shumë shpejt…”

Nëpërmjet këtij fjalimi Kryetari i Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha ka përhapur informacione që përbëjnë sekret hetimor.

Ka rezultuar i vërtetë fakti se më datë 24 qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare ka bërë identifikimin dhe ndalimin e 2 mjeteve tip “Toyota”, në të cilat janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara.

Policia e shtetit më pas në një deklaratë për shtyp ka informuar se:  “Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karoatrec që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit.

Me marrjen e këtij informacioni, i’u është dhënë porosi gjithë strukturave në Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.

Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.

Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligjzbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.”

Më pas më 24 qershor është bërë ndalimi i 2 automjeteve së bashku me sasinë e parave të padeklaruara, si edhe ndalimi i personave të dyshuar për kryerjen e e veprës penale. Gjithashtu janë në kërkim personat e dyshuar si porositësit e vërtetë për të sjellë në Shqipëri këtë sasi parash.

 

  1. Ligji i zbatueshëm.

Kodi i Procedurës Penale.

 

Neni 280” Marrja dijeni për veprën penale”

  1. Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

 

Neni 283 “Kallëzimi nga ana e shtetasve”

(Ndryshuar numri dhe shtuar fjalia në pikën 3 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017)

  1. Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.
  2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.

 

 

III. Vlerësimi ligjor mbi veprimet e kallëzuara.

 

Duke marrë  në  konsideratë  momentin kohor  kur i kallëzuari prej meje ka vendosur të  deklarojë  si më sipër, deklaratën e policisë  së  shtetit dhe momentin kur është  kapur  sasia e parave, mua si kallëzues më  lind dyshimi i se z. Lulzim Basha, me dashje të  drejtpërdrejtë  ka përhapur informacion  mbi akte, veprime sekrete të  cilat kanë  ndihmuar persona të  tretë.  I kallëzuari nuk ushtron detyrë  publike të  një  natyre nga e cila mund të  vijë  në  dijeni të  informacionit që ai ka përhapur, por ky informacion pa asnjë  diskutim i është  dhënë  nga persona që  kanë  lidhje me hetimin dhe i kanë  dashur pasojat e veprimeve të  tyre.

Sikurse ka rezultuar nga hetimet paraprake, ka persona të  cilët janë  në  kërkim dhe në  vlerësimin tim, këta shtetas duhet të  jenë  larguar pasi kanë  dëgjuar Z. Lulzim Basha   në  deklaratën e tij përpara kapjes së  parave nga Policia e Shtetit.

 

Në  momentin kur i kallëzuari bëri deklaratën e tij në  Kuvend, fakti që  ai tregoi u vlerësua prej meje si nga ato të  shumtit që  opozita përdor në  zhargonin e saj të  përditshëm.

Por deklarata e Policisë  së  Shtetit dhe më  pas kapja e sasisë  së  parave më  bëri të  mendoj se i kallëzuari është  informuar me qëllim prej personave që  kanë  patur dijeni mbi informacionin në  mënyrë  që  personat që  janë  marrë  me këtë  punë  të  mund të  shpëtonin.

Mënyrë  tjetër të  menduarit për mua nuk ka, pasi nuk mund të  bësh të  tilla deklarata në  mënyrë  të  hapur , publike dhe  përpara kamerave me transmetim në të gjithë  vendin, pa menduar dhe dashur që  të  ndihmosh personat nën hetim.

I kallëzuari prej meje me profesion është  Jurist, mjaft i formuar dhe i përgatitur. Duke qënë se ai ka ardhur në  dijeni të  faktit, ai duhej që  ta referonte atë  tek organet e policisë  së  shtetit ose tek prokuroria, por kurrsesi sikurse ai ka vepruar.

Për shkak të  formimit të  tij profesional, ai e di shumë  mirë  impaktin e nxjerrjes së  fakteve dhe provave që  kanë  lidhje me një  hetim penal. Ai e di shumë  mirë  se personat që  janë  marrë  me transportin e parave janë  përfituesit e vetëm të veprimit të  kryer prej tij. E di shumë  mirë  që  mund të  prishet i gjithë hetimi dhe puna e organeve ligjzbatuese.

Sikurse ka rezultuar, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim disa persona. Pra, ata nuk gjenden në  Shqipëri dhe janë  larguar. Nëse i kallëzuari nuk do të  bënte publike të  dhënat, ata persona nuk mendoj se do ta kuptonin se ndaj veprimtarisë  së  tyre kriminale po kryheshin hetime sekrete policore.

Duke qenë  se nga ana e të  kallëzuarit janë  nxjerrë  fakte dhe rrethana që  rezultoi të  kishin lidhje me një  hetim penal , çmoj se vepra penale e cila është  e konsumuar nga i kallzuari mendoj se përfshihet në  Kreun VIII, Seksioni IV  i Kodit Penal, në  grupin e veprave VEPRA PENALE KUNDËR SEKRETIT DHE KUFIJVE SHTETËROR”.

 

I kallëzuari prej meje nuk ka një  pozicion të  tillë  që  të  vijë  në  dijeni zyrtarisht me informacione, fakte apo rrethana që  ai ka bërë  publike.

 

Të  gjitha të  dhënat, faktet dhe rrethanat e kryerjes së  veprës penale që  janë  përhapur nga i kallëzuari, më  vonë  kanë  rezultuar tepër të  vërteta dhe kjo më  bën të  besoj se ai ka bashkëpunuar me persona të  cilët janë  në  dijeni të  një  informacioni të  tillë  për shkak të  detyrës.

Bashkëpunimi është kriminal, pasi ligji e ndalon përhapjen e informacioneve hetimore, sekreteve hetimore apo cdo të  dhënë  tjetër me pasoja për hetimin, që  sikurse rezulton, personat nën hetim janë  zhdukur nga Shqipëria duke mos u bërë  e mundur kapja e tyre.

 

Megjithatë  organi i Prokurorisë  mund të  ketë  pas hetimit të  fakteve dhe rrethanave të cilat mund t’i cilësojë  ndryshe ato, nëse vendoset të  hapet procedimi penal.

 

Në deklaratën për shtyp të datës 25 qershor 2018, transmetuar kjo edhe në mediat vizive i akuzuari është shprehur:

“Taulant Balla është garant i miliona eurove para të drogës të kapura në Toyota Yaris, që i përkasin një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës. Policia shqiptare veproi nën presionin e një prej vendeve partnere, që është skeptik përsa i përket kushteve të Shqipërisë për Integrimin Europian.

I vetmi dekonspirim është ai i planit të Taulant Ballës dhe i strukturave brenda Policisë së Shtetit dhe Parlamentit shqiptar për të çuar deri në fund bashkëpunimin me një nga bandat kryesore të drogës së Elbasanit dhe për të futur miliona euro të drogës në Shqipëri.

Edi Ramën, Sajmir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, Erjon Veliajn i lidh trafiku i drogës, pastrimi i parave, ndërtimi i kullave, siç janë këto të Teatrit Kombëtar. Ndërtimi narkoshtetit nga Edi Rama është arsyeja pse këtë javë Bashkimi Europian, vendos që Shqipëria s’i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave”.

Pra, i kallëzuari prej meje Z. Lulzim Basha ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor dhe nuk është mjaftuar me kaq, por ka ngritur dhe akuza mbi deputetin Taulant Balla se kjo ishte porosi e tij apo duke përfshirë  edhe deputetë  të  tjerë .

Përsa i’u përket këtyre deklaratave, unë  mendoj se këto janë  bërë nga i kallëzuari pasi ai e ka kuptuar impaktin e veprimit të  tij kriminal dhe ka dashur që ta kalojë në diskursin e tij të  zakonshëm politik dhe publik.

Për sa më sipër, duke shprehur besimin e plotë në organin e prokurorisë kërkoj:

  • Procedimin penal të të kallëzuarit dhe dërgimin e tij për gjykim.

 

KALLËZUES

Taulant BALLA

 

 

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *