Cilat ishin klanet Bllokut dhe marrëdhënia mes Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë

Kryesore Kulturë Libra Slider kryesore

Nga Isuf Kalo

Siç ka dëshmuar shumë vite më pas Zeqi Agolli, që në atë takim të parë, djaloshi Ramiz i la Enver Hoxhës mbresa me gjallërinë dhe çiltërsinë e tij. Ishte simpati reciproke, “miqësi si e ngjizur me shikimin e parë”; Ramiz Alia, me entuziazmin që i gufonte, u elektrizua nga ai takim. Në po atë vit, ai do të pranohej anëtar i Partisë Komuniste. Më pas, ngjitja në karrierë do të ishte e pandalshme. Ajo që do të përcaktonte raportet e ardhshme mes Enverit dhe Ramizit ka shumë të ngjarë të ketë qenë pamja e brishtë e thuajse fëmijërore e këtij të fundit. Ajo pamje me siguri i ka ngjallur Enverit përshtypjen se ai ishte një militant besnik, i ndershëm dhe shpirtdëlirë. Besnikëria në ato kohë ilegaliteti ishte margaritar, gur i çmuar që Enveri kërkonte ta kishte çdo militant. Madje, kjo jo vetëm gjatë Luftës. Siç tregoi më vonë jeta, besnikëria do të ishte guri themeltar, mbi të cilin Enveri ngriti dhe më pas administroi regjimin dhe qeverisjen e tij. Besoj se imazhi i jashtëm dhe mbresat në komunikim kanë qenë faktorë kyçë në suksesin e mëtejshëm të Ramizit për të tërhequr fatin dhe njerëzit e duhur drejt tij. Në atë atmosferë dhe mjedis të mbarsur me ashpërsi, rreptësi, brutalitet dhe armiqësi, Ramiz Alia, me fytyrë njomëzake, dukej si pafajësia vetë.

isufi-770×433

I butë në sjellje, delikat në trup, me zë të hollë, me buzëqeshje të kontrolluar dhe komunikim të përzemërt, të thjeshtë e të ngrohtë, me gjeste miqësore dhe me pamje qytetare prej “djali të mbarë”, ai nuk mund të mos binte në sy. Ishte koha kur përveç komandantëve të Luftës, të shquar për trimëri, sakrifica e vetëmohim, komunistëve u duheshin edhe komisarë “gojëmbël”, mjeshtër të fjalës, sidomos për periudhën më pas. Ramiz Alia sikur ishte lindur posaçërisht për një rol të tillë. Komunistët, me në krye Enver Hoxhën, nisën në fakt që gjatë Luftës të formonin “nomenklaturën” e pushtetit të ardhshëm.

Kërkesa e parë ose “lopa e shenjtë” e regjimit që po projektohej ishte “besa e palëkundur”. Dhe ky djalosh nuk kishte si të mos ishte i preferuar. Mirësia që ai rrezatonte ishte çarmatosëse dhe ofronte siguri. Brishtësia e tij fizike e përjashtonte rrezikshmërinë. Prej tij, Enver Hoxhës nuk mund t’i vinte ndonjë e keqe. As e papritur. Megjithatë, të gjitha këto nuk do të qenë të mjaftueshme nëse nuk do të ishte shtuar edhe një faktor e rrethanë tjetër vendimtare për fatlumturinë e mëvonshme të Ramiz Alisë. Kjo ishte njohja nga afër e tij që gjatë viteve të Luftës në kuadrin e organizimit të strukturuar të Rinisë Komuniste me Nexhmije Xhuglinin, militanten që do të bëhej më pas Nexhmije Hoxha, gruaja, shoqja e jetës e Enver Hoxhës.

KLANET E BLLOKUT

Sa ishte gjallë, Enveri qëllimisht nuk krijoi klan me të afërmit e familjarët përqark pushtetit të tij. Nexhmijen nuk e futi në Byronë Politike, as në qeveri, edhe pse meritat i kishte. Ajo kishte qenë ndër militantet e para në Luftë dhe kishte vlera të pamohueshme intelektuale e kulturore. As të tre fëmijët e tij, as bashkëshortet e tyre, Enveri nuk i promovoi e nuk u dha poste të larta shtetërore dhe as i shtyu të përfshiheshin aktivisht në politikë. I dukej e mjaftueshme që ata të bëheshin qytetarë të ndershëm, të miredukuar e të kishin profesion, i cili t’u mundësonte një jetë dinjitoze. As Nexhmija nuk ua nxiti atyre militantizmin partiak dhe as karrierizmin pushtetar. Ata të dy si prindër ua kishin shënuar me vetëdije pragun, të cilin nuk duhet ta kapërcenin.

Madje, as ta synonin. Militantët krijoheshin e rekrutoheshin nga baza, poshtë. Ata ishin punëtorë e fshatarë të dalluar që gjendeshin nëpër fushat e kantieret e vendit. Të paborgjezuar, pa pretendime dhe besnikë e më të devotshëm ndaj partisë. Të tre fëmijët, Iliri, Sokoli e Pranvera, morën formim profesional dhe ruajtën profil publik thuajse apolitik. Iliri inxhinier mekanik, Sokoli inxhinier elektronik, Pranvera arkitekte. Ky fakt mendoj se meriton një analizë objektive, të drejtë, për të kuptuar motivet ideore dhe qëllimet e vërteta politike e psikologjike që e shtynë Enverin, por me gjasë edhe Ramizin, për fëmijët e tyre në këtë qëndrim. Nuk mendoj se këtë zgjedhje Enveri dhe Nexhmija e bënë nga frika e mundësisë së dështimit të mëvonshëm të regjimit dhe kthimit të fëmijëve në viktima fatkeqe.

Besoj se ata donin të jepnin shembull dhe të krijonin bindjen te njerëzit se pushtetin nuk e donin si pronë për vete, as për familjen e tyre dhe as për ta marrë me vete në varr. E donin në shërbim të popullit e veçanërisht të “vegjëlisë”. Mbase patën si model dhe në këtë drejtim Stalinin, ose edhe Maon, të cilët po kështu nuk u dhanë pushtet familjarëve e as të afërmve të tyre. Në aspektin e pronësisë dhe favorizimit familjar, Ramizi e imitoi me kujdes dhe në vazhdimësi Enverin. As ai nuk krijoi klan. As pasuri personale. Një motër e tij pati qenë e martuar me Reiz Malilen, atëherë zv/ministër, por pësoi aksident tragjik nga rrëzimi i një avioni. Në këtë drejtim, ai dhe familja e tij ndryshonin së paku në dukje nga disa kolegë të tij të Bllokut, sidomos familja Kapo (që më vonë i referoheshin si klani Kapo). Ramizi nuk manifestoi ndonjë gjest apo tendencë nepotizmi të dukshëm me miq e të afërt për t’i favorizuar ata me poste, privilegje të pamerituara apo ruajtjen e mbrojtjen e tyre në raste dyshimesh a persekutimesh. “Klani” Kapo ishte i tipit familjar. Anëtarët që e përbënin kishin lidhje gjaku, farefisnie, krahinore ose krushqie.

Aty plekseshin edhe ca lidhje lokaliste me bashkëfshatarë, fëmijë bashkëluftëtarësh, partizanë apo patriotë nga Labëria, vendlindja e tij. Hysniu vetë kishte shumë vëllezër dhe motra. Këta me familjet, fëmijët dhe krushqit e tyre krijonin vetvetiu një rreth miqësor dhe fisnor të madh. Ai ishte lab tradicional par exelence, por vetëm brenda caqeve që i lejonte partishmëria. E shoqja, Vitoja, i përmendte atij disi me xhelozi këtë konglomerat farefisnor të dukshëm të Kapove, të krijuar qoftë edhe spontanisht, pa ndërhyrje të tij. Në fakt, farefisit nuk i nevojitej patjetër ndërhyrja e Hysniut. U mjaftonte emri i tij, që ishte si markë a patentë, por jo rrallë edhe vetë meritat e tyre.

Edhe familja Kondi e Vitos, gruas së Hysniut, kishte jo pak lidhje gjaku dhe krushqie, prej nga dolën një numër udhëheqësish e drejtuesish në hierarkinë e lartë partiake, pushtetore ose drejtues në poste të lakmuara e të privilegjuara në institucione e ambasada. Klan të madh, por jo shumë të njohur e të ekspozuar, kishte edhe Mehmet Shehu. Klani i tij nuk ishte familjar. Ishte i tipit administrativ, institucional. Anëtarët që e përbënin i lidhte simpatia e veçantë ose edhe servilizmi i tyre ndaj Mehmetit si udhëheqës, por edhe si person. Kjo, kryesisht falë sprovave e marrëdhënieve të ngushta e të suksesshme në punë me ta. Ky ishte klan më i gjerë, sepse në shtrirjen e tij kontribuonte edhe e shoqja, Fiqiretja, si drejtore e Shkollës së Partisë, ku kryenin studime kuadro të dalluar e drejtues institucionesh, ndërmarrjesh, fermash, kooperativash, nga ushtria, nga organet e Sigurimit të Shtetit, arti, kultura, pra, nga një spektër i gjerë.

Mehmeti, si rregull, nuk e kish zakon të favorizonte familjarët dhe farefisin. Nuk përjashtoheshin rastet që dikush të përfitonte mbështetje nëpërmjet përdorimit të emrit të tij, por shumë rrallë mund të vëreheshin raste të ndërhyrjes së tij të drejtpërdrejtë për të siguruar favore. Më tepër atij i duheshin njerëz besnikë e të devotshëm ndaj tij, me vlera të spikatura profesionale ose politike, të aftë t’i përdorte kur të vinte koha e marrjes në dorë të pushtetit. Por Fiqiretja, në Shkollën e Partisë që drejtonte, kishte luksin t’i njihte, pikaste e t’i përzgjidhte më të talentuarit ndër studentët, për t’i rekomanduar si kuadrot më të përshtatshëm për poste në qeverisjen e nesërme, kur kryetar do të bëhej më në fund Mehmeti. Dhe zonja e parë e shtetit do të ishte Fiqiretja.

Promovimin e tyre në poste më të larta në parti e pushtet ata do t’ia dinin për nder jo Enverit, as partisë, por personalisht çiftit Shehu. Kjo armatë e përzgjedhur pothuajse fshehtazi përbënte atë që anglezët e quajnë “qeveria apo administrata hije”, e gatshme t’u shërbente atyre me përulësi e besnikëri, porsa ta sillte rasti. Një numër i konsiderueshëm i tyre ishte ndërkohë faktikisht në poste kyçe, sidomos në Ministrinë e Brendshme e në Ushtri. I gjithë ky kontingjent priste me shpresë e padurim që Mehmet Shehu të vinte në krye të pushtetit. Për fatin e tyre të keq, kjo nuk ndodhi dhe shumë prej tyre, pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje apo afiniteti të ekspozuar me Mehmetin, e pësuan. Një pjesë e mirë të tyre u burgosën, ose u larguan nga Tirana. pasi ai u vetëvra dhe u shpall tradhtar.

Ramizi, ndryshe nga Mehmeti e Fiqiretja, nuk krijoi ushtri me njerëz të afërt të familjes dhe miq të ngushtë që t’i shërbenin me besnikëri në të ardhmen. Megjithatë. duket e vështirë të kuptosh sot nëse kjo vetëpërmbajtje ishte vetëm në dukje, apo ndoshta ai punonte heshturazi e fshehurazi, nën rrogoz, për të siguruar këtë mbështetje, siç e kishte për stil në çdo veprimtari tjetër të tij. Ai i përmbushte në familje në mënyrë të përsosur detyrimet ndaj nënës, vëllait, motrave dhe fëmijëve të tij, pa tepri e pa i promovuar ata në poste të nomenklaturës së lartë. Edhe po të ketë pasur manifestime të tilla, ato do të kenë qenë të fshehura me shumë kujdes dhe sidomos të kufizuara në rrethin e tij shumë të ngushtë, pra, jo për cilindo, por kryesisht për njerëz të familjes biologjike të tij.

Një ndër arsyet për vetëpërmbajtjen e tij ndaj nepotizmit, mund të ketë qenë fakti se në postin dhe sektorin që mbulonte, ai predikonte me të madhe “drejtësinë proletare”, “korrektësinë”, “meritokracinë”. Prandaj, e kishte më të vështirë se kolegët e tjerë të udhëheqjes të kryente haptazi akte favorizuese nepotike. Vështirësia e tij në këtë drejtim shtohej edhe më shumë po të mbahet parasysh fakti se Ramizi nuk kishte lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin vendimor apo ekzekutiv, as me atë ushtarak apo të policisë sekrete. Ai nuk qe as pjesëtar në proceset vendimore për emërimet, shkarkimet ose trajtimin e kuadrove. Sektori i tij ishin shkrimet, fjalët, kritikat, këngët, romanet dhe mburrjet.

Por dhe si natyrë, Ramizi nuk e shqetësonte shumë veten e nuk futej lehtë në telashe për dikë tjetër, jashtë kornizës që rrethonte detyrat zyrtare të tij. Sidoqoftë ai ishte një ndër eminencat e udhëheqjes më të lartë të asaj kohe. Ishte pjesëtar i asaj që quhej “nomenklaturë e lartë”. Dhe çdo njëri prej tyre, edhe nëse nuk kishte ligjërisht pushtet ekzekutiv, kishte një pushtet tjetër po aq të fuqishëm, që quhej “pushtet hije ose pushtet kredencialiteti influencial”. Në realitetet e asaj kohe, ky lloj pushteti u mundësonte atyre që çdo fjalë, çdo gjest apo dëshirë, e shprehur apo e nënkuptuar, pra, çdo gjë e tyre zbatohej pa ngurrim, pa zhurmë e pa lënë gjurmë komprometuese nga instancat e mëposhtme. Kjo, falë servilizmit dhe hipokrizisë që ekzistonte në të gjitha hallkat dhe nivelet e regjimit të asaj kohe. / Panorama

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *