Çmimi për Pazarin e Ri, Veliaj: Gjërat e reja kanë rezistencë, por Teatri do jetë i bukur e cilësor

Kulturë Lajme

Një vit e gjysmë nga përurimi, Pazari i Ri u vlerësua në Londër me çmimin si “Projekti rinovues më i mirë i vitit” për Europën. Kjo ishte arsyeja pse dje pasdite aty u zhvillua një ceremoni festive me muzikë dhe një panair me punime artizanati, edhe me pjsemarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëdrejtuesin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Pazari i Ri është treguesi më i mirë se kur gjërat bëhen duke bashkëpunuar dhe me dashuri, shqiptarët bëjnë mrekulli. “Jo vetëm në Shqipëri, por kudo, kur bëhen gjëra të reja gjithmonë ka rezistencë, hezitim, dyshime, ka njerëz që janë skeptikë, cinikë, që thonë: Se ky vend nuk bëhet me këta njerëz. Pyetja është: Nëse nuk bëhet ky vend, cili vend u bëka? Nëse nuk e bëjmë ne këtë vend, s’ka kush e bën tjetër. Ndaj, dua që t’u japim një duartrokitje atyre që e kanë bërë këtë vend: që nga tregtarët, banorët që kujdesen, pastruesit, policët, artistët dhe artizanët që na janë bashkuar sot”, tha Veliaj.

Ai theksoi se edhe Teatri i ri Kombëtar, ashtu si çdo projekt tjetër që ka hasur rezistencë fillimisht, do të jetë një sukses që do të vlerësohet më pas. Veliaj tha se godina e re e Teatrit Kombëtar do të jetë një tjetër produkt më i bukur dhe më cilësor, ndërsa shtoi se kur gjërat bëhen me dashuri, e jo duke penguar njëri-tjetrin, por duke i dhënë fuqi transformimit të Tiranës, atëherë më e mira është përpara. “E kemi mësuar tashmë, gjërat e reja kanë rezistencë. Në këto dy muajt e fundit jemi përfshirë nga debati për teatrin edhe sigurisht, po ta kishim bërë në Suedi, në Norvegji a në Danimarkë, do ishte shumë e thjeshtë. Por duam që kjo gjë e bukur të bëhet në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse është shumë mirë të kemi debate, protesta, diskutime, sepse në fund dhe produkti do të dalë më i bukur dhe më cilësor. Nëse kemi nevojë për Pazar të Ri, për Bulevard të Ri, për shesh të ri, sigurisht që kemi nevojë edhe për një teatër të ri. Po t’i bëjmë gjërat me dashuri, jo duke penguar njëri-tjetrin, jo duke sharë, jo duke përgojuar, por duke i dhënë fuqi transformimit të Tiranës, atëherë ky është vetëm fillimi dhe më e mira është përpara”, shtoi Veliaj.

Bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata tha se Pazari i Ri është shembulli më tipik i ndryshimit që ka ndodhur në këtë zonë, e cila i është kthyer qytetarëve. Ai siguroi vijimin e investimeve të suksesshme edhe për transforimin e Piramidës. “Pazari i Ri është shembulli më tipik se çfarë ka ndodhur dhe e harrojmë se si ka qenë ky shesh. Duke filluar nga ideja, duke filluar nga arkitektët që kanë bërë punën e tyre më frymëzuese dhe më fantastike deri më sot, duke vazhduar me kompaninë e ndërtimit, me supervizorët, me stafin tonë, me bashkinë dhe mbi të gjitha me njerëzit, të cilët e kanë kthyer këtë në sheshin e tyre. Kjo është arsyeja pse ky Pazar mori çmimin e parë, kjo është arsyeja pse do të vazhdojmë me Piramidën, si projekt i radhës. Edhe Piramida ka hyrë në rrugë të mbarë, jam i sigurt se do të konkurrojë denjësisht për të patur të njëjtin rezultat, të jetë po aq atraktive për njerëzit si është Pazari i Ri”, tha bashkëdrejtuesi i AADF, Martin Mata.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në projektin e transformimin të Pazarit të Ri, ku ndërthuret mjaft mirë tradicionalja me modernen. “Të gjithë ata që kanë punuar për këtë projekt janë pjesë e çmimit që morëm në Londër”, tha Veliaj, ndërsa kërkoi që me të njëjtin përkushtim që u ndërtua, të vijojë edhe përkujdesja për mirëmbajtjen e Pazarit të Ri.

Më herët, kryebashkiaku Veliaj dhe përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit vizituan “Panairin e Artizanatit”, një event i organizuar nga shoqata TID Tirana dhe Ndërmarrja e Biznesit Social (NBS).

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *