Deputeti i Merkel: Akuzat për Fatmir Xhafajn serioze, po e ndjekim me vëmëndje çështjen!

Lajme Politikë shtojca

Raportuesi i Grupit të CDU-së për Shqipërinë në Parlamentin gjerman deklaron se qeveria shqiptare duhet të sqarojë akuzat e ngritura ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në një intervistë për “Panorama”, deputeti i partisë së Kancelares Merkel, Thorsten Frei, pohon se për këtë çështje duhet një hetim i pavarur ndërkohë që pranon se Gjermania do të mbledhë të gjithë informacionin për të formuluar qëndrimin për çështjen e negociatave.

Si raportues për Shqipërinë, ju jeni shumë i informuar mbi zhvillimet e fundit në vendin tonë, siç tregon edhe intervista e fundit me “Deutsche welle”, dhe ju keni qenë shumë i fokusuar në çështjet e zbatimit të ligjit dhe në problemet e kriminalitetit. Ju përmendët se jeni duke ndjekur rastin e ministrit të Brendshëm, Xhafaj. Cili është vlerësimi juaj deri tani?

Po, sigurisht, unë e ndjek rastin me vëmendje të madhe. Por në fund nuk mund ta gjykoj atë ligjërisht. Dhe gjithashtu nuk kam ndonjë pretendim për ta bërë këtë inspektim. Megjithatë, duke marrë parasysh zbatimin e ligjit, është e rëndësishme se si e bëjnë këtë politikanët dhe gjykatësit shqiptarë. Kjo në fund të fundit na tregon neve se sa serioze është qeveria shqiptare në zbatimin e ligjit. Në fund të fundit, kjo është një çështje besueshmërie.

Opozita pohon se ai ka ndryshuar fshehurazi ligjet e reformës së drejtësisë, në mënyrë që të mbrojë vëllain e tij të dënuar. Dhe sipas tyre, ministri Xhafaj ka bllokuar zbatimin e dy ligjeve për veten e tij: Ligji i Policisë së Shtetit, i cili urdhëron që të dënuarit në përgjithësi duhet të sillen para drejtësisë, dhe Ligji i famshëm Kundër Mafies, i cili urdhëron që pronat e vëllait dhe të vetë ministrit duhet të hetohen. Si do të reagonte dikush në Gjermani për një situatë të tillë?

Këto janë natyrisht akuza shumë serioze që i janë bërë ministrit të Brendshëm. Mbi të gjitha, duhet të jetë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpejt.

Opozita paraqiti një dëshmitar që deklaroi se vëllai i ministrit është ende i fuqishëm dhe i përfshirë me drogën. Ministri i Brendshëm e quajti opozitën ‘mbeturinë’ dhe Kryeministri Rama tha se kjo është dëshmi e rreme dhe se deputetët e opozitës duhet të burgosen. A mund të komentoni?

Vendimtare për mendimin tim është sjellja e vetë ministrit. Duhet të jetë e qartë se ai nuk e ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë e tij. Kjo kërkon një hetim të pavarur.

Ju keni qenë i zëshëm për rastin e ish-ministrit Tahiri, i cili formalisht ishte vetëm një deputet dhe tani një qytetar i thjeshtë. A do të ishte rasti i Xhafajt, me atë të ulur si ministër, i rëndësishëm për vlerësimin e Shqipërisë dhe vendimin tuaj në Bundestag mbi hapat e vendit drejt BE-së?

Çdo gjë është e rëndësishme. Sipas mendimit tim, hapja e negociatave për anëtarësim duhet që në radhë të parë, të varet nga përmbushja e kushteve të Shqipërisë. Kjo vlen veçanërisht për çështjet e sundimit të ligjit ose për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Shqipëri, unë gjithmonë e kam theksuar, se sa e rëndësishme është që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të famshmit të mos trajtohen më mirë ose në një mënyrë tjetër. Në këtë kuptim, rastet si këto janë gjithmonë një provë lakmuese për procesin e reformës në tërësi. Ne do të mbledhim të gjithë informacionin në dispozicion, do të përpilojmë një tablo të përgjithshme dhe do të formulojmë rekomandimin tonë, në përputhje me rrethanat.

Si do ta trajtonit ju një rast të tillë në Gjermani, nëse një ministër i Brendshëm do të ishte nën dyshim të fortë se ka favorizuar një të afërm kriminel?

Kjo pyetje është e vështirë për t’iu përgjigjur, sepse natyrisht kjo gjithmonë varet nga rasti specifik. Në parim, është detyrë e gjyqësorit të vendosë nëse duhet të nisë një hetim dhe nëse ka mjaftueshëm dyshime. Nëse një pjesë e caktuar e Parlamentit do të mendonte se diçka nuk ishte e drejtë, në Gjermani ne gjithashtu kemi mundësinë e një komisioni hetimi parlamentar. Por përtej instrumenteve politike dhe fakteve gjyqësore, zëri i fortë i shoqërisë civile vendos për të ardhmen e zyrtarëve.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *