Do të udhëtoni drejt shteteve të BE-së, ja rregullat e reja

shtojca Sociale

Gjurma 26/04/2016

Shumë vende nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, qytetarët e të cilëve gjithsesi mund të futen në zonën “Schengen” të BE-së pa pasur nevojë për t’u pajisur me një vizë. Specifikisht janë 60 vende të tilla (sipas të dhënave të gushtit 2017) të cilat nuk janë në BE, por mund të lëvizin lirshëm pa viza.

Shtetasit e këtyre vendeve lejohen të shkojnë në shtetet e zonës “Schengen” për qëllime biznesi apo udhëtimi për një periudhë kohore 90-ditore. Gjatë këtyre 90 ditëve, vizitorëve nuk u lejohet të punojnë apo studiojnë, por mund të përfshihen në çështje biznesi dhe aktivitete turistike.

Vlen për t’u theksuar se, shqetësimet e fundit mbi sigurinë dhe terrorizmin, por edhe për krizën e emigrantëve, kanë shtuar thirrjet për një menaxhim më të mirë të atyre që hyjnë në kufijtë e BE-së. Bashkimi Europian ka deklaruar vazhdimisht se objektivi i tij është udhëtimi brenda kufijve të tij të jetë një eksperiencë më e sigurtë.

Për të reduktuar procedurat dhe kohët e gjata të pritjes, por edhe për të adresuar shqetësimet e sigurisë, Komisioni Europian duket se gjeti një zgjidhje: ETIAS-in.

Por çfarë është “ETIAS” dhe si do të funksionojë Sistemi europian i Informacioneve dhe Autorizimit të Udhëtimeve?

Çfarë është ETIAS?
ETIAS nënkupton Sistemin europian të Informacioneve dhe Autorizimit të Udhëtimeve, një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe gjurmon vizitorët nga vendet që nuk kanë nevojë për t’u pajisur me viza për të hyrë në zonën “Schengen”.

Në njëfarë mënyrë, ai ngjan me Sistemin Elektronik të Autorizimit të Udhëtimit të Shteteve të Bashkuara (ESTA), që shërben për të njëjtin qëllim, por për udhëtimet në Amerikë. Procedurat ligjore për të miratuar ETIAS-in kanë nisur në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë funksional në vitin 2020.

ETIAS do të kryejë një kontroll të detajuar sigurie për çdo aplikant, për të përcaktuar nëse atij do të mund t’i lejohet hyrja në një vend të zonës “Schengen”. Duke qenë se shtetasit e vendeve që iu janë hequr vizat, nuk do t’iu kërkohet të kalojnë përmes një procesi të stërgjatë e shpeshherë burokratik për aplikim vize, “ETIAS”-i do të garantojë se këta njerëz nuk përbëjnë rrezik për sigurinë europiane. Ky sistem autorizimi për udhëtim do të mbledhë, do të gjurmojë dhe do të përditësojë informacionet e nevojshme në lidhje me vizitorët, për të përcaktuar nëse u lejohet apo jo hyrja në vendet e “Schengen”-it.

“ETIAS”-i, përveçse do të mund të përdoret për qëllime biznesi dhe turizmi, do t’u lejojnë gjithashtu njerëzve të shkojnë në vendet e “Schengen”-it edhe për shkaqe mjekësore apo thjesht për tranzit. Ai do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet që kanë përfituar nga lëvizja e lirë pa viza.

Pse duhet autorizimi nga ETIAS?
Në fjalimin e tij mbi gjendjen e BE-së në vitin 2016, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker u shpreh:

“Ne duhet të njohim ata që hyjnë në kufijtë tanë. Në këtë mënyrë, ne do të dimë se kush synon të udhëtojë drejt Europës, përpara se ata të shkelin në territorin e një vendi europian”.

Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit të “ETIAS”-it është siguria. Duke parë rreziqet në rritje të udhëtarëve anembanë botës, BE-ja kërkon të garantojë udhëtime të sigurta në vendet e saj. “ETIAS” do të ulë ndjeshëm shqetësimet mbi sigurinë përmes sistemeve të saj të infromacionit dhe mbledhjes së të dhënave. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë? “ETIAS” do të diktojë nëse një person përbën rrezik në çfarëdolloj mënyre për sigurinë e një vendi ose disa vendeve të “Schengen”-it. Kjo do të bëjë që atij personi t’i refuzohet hyrja, duke shmangur kështu që rreziku të ndodhet brenda kufijve të BE-së. Pra, do të përballen me problemin përpara se ta kenë të pranishëm atë.

Gjithsesi, përveç të bërit të udhëtimeve më të sigurta, autorizimi i “ETIAS”-it do të asistojë gjithashtu vendet e BE-së dhe të gjithë udhëtarët, si më poshtë:

– Do të reduktojë procedurat dhe afatet e aplikimit
– Do të përmirësojë menaxhimin e kufijve të jashtëm të vendeve të BE-së
– Do të asistojë në kapjen e të dyshuarve dhe uljen e krimeve dhe terrorizmit
– Do të pengojë emigrimin e paligjshëm
– Do të përforojë politikën e liberalizimit të vizave të BE-së

E thënë shkurt, autorizimi i “ETIAS”-it do ta bëjë udhëtimin drejt BE-së më pak të bezdisshëm dhe një eksperiencë më të sigurtë.

Kujt i nevojitet të kalojë përmes aplikimit në ETIAS?
Siç u përmend edhe në krye, “ETIAS” do të prekë vetëm shtetasit e vendeve që mund të udhëtojnë drejt BE-së pa pasur nevojë për viza. Si e tillë, vendet që do të preken janë si më poshtë:

Shqipëria, Andorra, Antigua dhe Barbuda, Argjentina, Australia, Bahamasi, Barbadosi, Bosnje-Hercegovina, Brazili, Brunei, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Republika Domenikane, El Salvadori, Grenada, Guatemala, Hondurasi, Hong Kongu, Izraeli, Japonia, Kiribati, Makao, Maqedonia, Malajzia, Ishujt Marshall, Mauritania, Meksika, Mikronezia, Moldavia, Monako, Mali i Zi, Zelanda e Re, Nikaragua, Palau, Panamaja, Paraguaji, Peruja, Saint Kitts dhe Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent, Samoa, San Marino, Serbia, Ishujt Seychelles, Singapori, Ishujt Solomon, Koreja e Jugut, Taivani, Timori Lindor, Tonga, Trinidad dhe Tobago, Tuvalu, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uruguaji, Vanuatu, Vatikani, Venezuela.

Megjithatë, deri në nisjen e sistemit në vitin 2020, kjo listë mund të shtohet edhe me vende të tjera.

Si do të funksionojë sitemi “ETIAS”?
Sistemi “ETIAS” do të jetë tepër i thjeshtë për t’u përdorur dhe do të kursejë shumë kohë për aplikuesit dhe procesimin e të dhënave.

Ata që do të kërkojnë të marrin miratimin, do të duhet të ndjekin hapat e mëposhtëm për aplikimin në “ETIAS”:

Plotësimi i formatit të aplikimit
Aplikimi për “ETIAS” pritet të marrë rreth 20 minuta kohë. Ai do të jetë “online”, kështu që nuk do t’iu duhen dokumente apo shkresa të tjera. Në varësi të shtetit dhe kombësisë që do të zgjidhni, atë formati do t’iu japë edhe disa fusha për të plotësuar. Më kryesoret janë këto informacione:

– Të dhënat biometrike si:
Emri
Mbiemri
Mbiemri i vajzërisë
Datëlindja
Vendlindja
– Informacione mbi kombësinë
– Adresën
– Adresën “e-mail” dhe numrin e telefonit
– Edukimi dhe eksperienca e punës
– Vendi i parë i BE-së ku do të shkelni
– Pyetje mbi formimin dhe përshtatshmërinë, që do të kërkojnë informacione mbi gjendjen tuaj shëndetësore, udhëtimet e mëparshme në zonat e luftës, apo në vende nga të cilat jeni deportuar apo refuzuar, sikurse edhe dëshminë e penalitetit (të dhënat mbi dënimet kriminale nëse keni).
– Për të miturit, përfaqësuesi ligjor duhet të aplikojë për “ETIAS”
– Për familjarë të shtetasve europianë nga vendet e treta do të kërkohen vërtetime mbi marrëdhënien familjare, një kartë rezidence apo informacione të tjera formimi.

Dërgimi i aplikimit
Pasi të plotësoni të gjithë formatin e aplikimit, atëherë do t’iu duhet të paguani tarifën dhe ta dërgoni. Sistemi më pas do të ndjekë këto procedura:

– Do të kontrollojë nëse informacioni i dhënë prej jush është i saktë
– Do të kontrollojë përshtatshmërinë tuaj
– Do të kontrollojë faktoret e rrezikut

Nëse ju do ta keni plotësuar aplikimin në mënyrë korrekte dhe shiheni i përshtatshëm dhe pa rrezik për “ETIAS”-in, atëherë do të merrni aprovimin. E gjithë kjo procedurë pritet të realizohet brenda pak minutash. Megjithatë, nëse do të ketë ndonjë bllokim nga “ETIAS”, aplikimi do të mund të procedohet edhe manualisht, gjë që pritet të zgjasë rreth 96 orë (4 ditë) ose maksimumi 2 javë.

Sa do të kushtojë “ETIAS”-i?
“ETIAS”-i nuk do t’iua rëndojë shumë gjendjen financiare. Ai planifikohet të ketë një kosto prej 7 eurosh për çdo aplikim. Kjo është e vlefshme vetëm për të rriturit mbi 18 vjeç, pasi të miturit nuk do të paguajnë tarifë. Tarifën mund ta paguani me kartë debiti ose krediti. Menjëherë pasi kompletoni edhe pagesën, autorizimi “ETIAS” do të nisë procedurën e shpjeguar më sipër.

Pyetjet më të shpeshta mbi “ETIAS”-in?

– Sa është koha e vlefshmërisë së “ETIAS”-it?
Nëse miratoheni, “ETIAS” do të jetë i vlefshëm për 5 vite, ose deri në përfundim të skadencës së pasaportës suaj. Gjithsesi, kjo do të varet nga vlerësimi i sistemit për informacionet tuaja dhe rrezikun tuaj.

– Çfarë ndodh nëse aplikimi për “ETIAS” refuzohet?
Brenda pak minutave nga dërgimi i aplikimit, ju do të njiheni me përgjigjen mbi statusin e “ETIAS”-it tuaj. Nëse miratoheni, atëherë urime! Nëse jo, atëherë do të merrni një mesazh refuzimi. Në këtë të fundit do të keni edhe një arsye përse është refuzuar aplikimi juaj. Ju mund të apeloni vendimin, ose, në varësi të arsyes së refuzimit, ju mund të plotësoni aplikimin tuaj me të dhëna të tjera dhe të provoni përsëri.

– Çfarë dokumentesh na duhen për autorizimin “ETIAS”?
I vetmi dokument që do t’iu duhet për aplikimin “ETIAS” është pasaporta juaj e vlefshme. Pasaporta duhet të ketë këto informacione:

– Foton tuaj dixhitale, jo të ngjitur në pasaportë
– Kodi dixhital i lexueshëm nga makineritë; që janë pikërisht ato dy rreshtat poshtë fotos tuaj në pasaportë me numra, shkronja dhe simbole
– Një “chip” elektronik në pasaportë. Kjo nuk është domosdoshmërisht e nevojshme, por do të përbënte avantazh. “Chip”-i mund të gjendet në kapakun e pasaportës suaj, në pjesën e poshtme.

– A mund të futem në çdo shtet të BE-së me autorizimin “ETIAS”?
Për ta përdorur korrekt autorizimin “ETIAS”, ju duhet të shkelni fillimisht në vendin e parë të cituar gjatë aplikimit. Pra, nëse planifikoni të vizitoni Gjermaninë, Belgjikën dhe Austrinë, dhe ju keni cituar gjatë aplikimit se do të vizitoni Gjermaninë fillimisht, atëherë duhet ta nisni prej andej udhëtimin, përpara se të futeni në Belgjikë dhe Austri. Pasi ju futeni në vendin e parë, mund të vizitoni cilindo shtet tjetër në zonën e “Schengen”-it brenda 90 ditësh.

Gjithsesi, fakti që keni një autorizim “ETIAS” nuk garanton përfundimisht se ju do të futeni në shtetin e parë të BE-së. Kjo do të vazhdojë të mbetet në duart e autoriteteve kufitare të shtetit pritës. Mbani mend se ka shtete në Bashkimin Europian që nuk janë në zonën “Schengen”, ndaj nuk mund të futeni aty me autorizimin “ETIAS”.

– Si e kontrollon “ETIAS”-i informacionin tim?
“ETIAS” do të jetë i lidhur me shumë baza të dhënash që mund të verifikojnë informacionin tuaj brenda pak minutash. Ndaj është e rëndësishme që të gjithë aplikuesit të japin të dhëna korrekte dhe jo të përpiqen të falsifikojnë ndonjë prej tyre. Nëse kapeni me mashtrim për diçka në sistemin “ETIAS”, atëherë autorizimi do t’iu refuzohet. Gjithsesi, edhe nëse “ETIAS” do t’iu miratohet, por më vonë zbuloheni se keni dhënë një informacion fals, atëherë ai do t’iu revokohet.

– Sa kohë më duhen për ta mbushur aplikimin “ETIAS”?
Siç është theksuar, aplikimi pritet të marrë rreth 20 minuta. Pas 20 minutash ju do të merrni një njoftim se “sesioni juaj ka skaduar” dhe mund t’iu kërkohet ta filloni nga e para. Për ta shmangur këtë, përpiquni ta plotësoni me kujdes aplikimin dhe të ruani informacionet tuaja hap pas hapi.

– Çfarë ndodh nëse nuk jam i ligjshëm për “ETIAS?
Të gjithë qytetarët e vendeve të listës së mësipërme janë të ligjshëm për të aplikuar për “ETIAS”. Nëse ju jeni i paligjshëm për këtë autorizim udhëtimi, kjo do të thotë se ju nuk jeni qytetar i njërit prej këtyre vendeve. Kjo do të thotë se ju duhet të aplikoni për një vizë “Schengen” për të hyrë në BE.

– A më duhet “ETIAS” nëse kam një vizë “Schengen”?
Jo, nëse keni një vizë “Schengen” nuk do t’iu duhet autorizimi “ETIAS”. Ju mund të paraqisni vizën tek autoritetet kufitare sapo hyni në vendet e kësaj zone. Kur viza juaj të skadojë, atëherë mund të aplikoni për “ETIAS”, nëse jeni i ligjshëm për ta bërë këtë.

– A do t’iu kërkohet britanikëve të sigurojnë një autorizim “ETIAS?
Duke qenë se Britania e Madhe po vijon me procedurat për “Brexit”, mbetet e paqartë se cilat kushte do të zbatohen. Negociatat për largimin e ishullit nga BE-ja janë në proces, kështu që situata do të qartësohet dhe shtetasve britanikë do t’iu bëhet e ditur nëse do t’iu duhet apo jo autorizimi “ETIAS”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *