Dokumenti i SHIK akuzonte Azem Hajdarin për trafik armësh, ja reagimi i vajzës deputete

Kryesore Lajme Politikë

Vazja e Azem Hajdarit, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari ka reaguar ashpër ndaj dokumenti të dalë nga Shërbimi Informativ Kombëtarë, i cilësuar si “Top sekret”, e që akuzonte ish-liderin e dhjetorit ’90 si pjesëmarrës në trafiqet e paligjshme të armëve.

Nëpërmjet një statusi të saj në Facebook, Rudina Hajdari reagon ashpër duke hedhur me përbuzje e me neveri këtë dokument sekret, të nxjerrë nga Izet Haxhia, i cili e ka si provë në të cilën vërtetohet, ose pretendohet se nuk ka gisht në vrasjen e Azem Hajdarit gati 20 vite më parë.

“Përveç kësaj, le të marrim si të vertetë rastin se ekziston një dokument i tillë “Top Sekret”. Atëherë si ka mundësi që kjo gazetë serioze publikon një dokument që kompromenton një dosje gjyqësore? A është mënyra e duhur për t’u sjellë në të mirë të publikut në momentin që ky dokument synon të ndikojë mbi procesin gjyqësor dhe nuk e respekton atë, duke dhënë informata që nuk duhet të publikohet në gazetë por në një sallë gjyqi? Këto prova të reja duhet të sillen nga avokati i të pandehurit, prokuroria dhe gjyqtari duhet të bëjë gjykimin duke ndjekur me rigorozitet çështjen dhe të marrë vendim të pandikuar nga opinionet publike apo nga ndikime të tjera të jashtme.

Pra, me pak fjalë ky dokument nuk i shërben opinionit publik nëse ai dëmton një vendim të gjykatës. Opinioni publik ka të drejtë të ketë akses në një drejtësi të pavarur dhe që punon pa ndikimin e mediave apo politikanëve. Nëse drejtësia nuk i shërben publikut, ateherë kujt i shërben?”, shkruan deputetja Hajdari në Facebook, e cila për më tepër sulmon gazetën “Panorama” për mënyrën e trajtimit të këtij dokumenti që cilësohet si ekskluziv dhe i pabotuar më parë.

 

Postimi i plotë i deputetes Rudina Hajdari

Pyetja e parë që më lindi kur lexova artikullin “Zbulohet Raporti Sekret i SHIK në 98: Konflikti mes Azem Hajdarit e Haklajve për hasmëri dhe trafik armësh” të datës 10 Qershor, 2018 ishte “Kush qenka ky që merr përsipër të artikulojë të tilla gënjeshtra?”. Pra, pas gati 20 vitesh, ky dokument “top sekret” dhe ky titull që vulon vrasjen e Shekullit, siç e ka quajtur me të drejtë shkrimtari Ismail Kadare, i dhënka “dritë” një gazetar që mban emrin Erald Deliu. Për kuriozitetin tim e kërkova në google duke pritur të zbuloja një gazetar të mirënjohur, që më paska rrëshqitur, i cili bën këtë zbulim kaq të madhë eksluzivisht për gazetën “Panorama”. E për çudi ai ishte një djalë i ri, pa imazh publik në gazetari, që i kishin dhënë përsipër këtë detyrë kaq të madhe për shpatullat e tia.

Në raste të ngjashme, në gazetarinë e vendeve perëndimore, gazetarët e mirënjohur presin tërë jetën t’u jepet mundësia për të shkruar një artikull të tillë, i cili minimalisht duhet të mbajë emrin e kryeredaktorit apo të zëvendës kryedaktorit, apo mbetet anonim në rastet kur artikulli është shumë sensitiv dhe përben rrezik.

Pra, duke u nisur vetëm nga ky detaj i thjeshtë, kupton se ky nuk është një nga ato rastet që mediat po raportojnë një informacion të rëndësishëm në interes të opinionit publik, siç kemi parë të ndodhë në vende të tjera, ku gazetaria merret seriozisht. Ky është një rast tipik i servirur nga bodrumet e disa individëve, që luajnë “topa djegësi” me njëri tjetrin. Ky grup njerëzish fabrikon informacione “Sekrete”, “Ekskluzive”, “Konspirative” për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Qëllimi i tyre është që t’ia ushqejnë publikut këtë fabrikim deri në ngopje me shpresën se ky informacion i paqenë do të transformohet dhe do të përceptohet si e vërtetë e dukshme për publikun dhe pikërisht për këtë ata paguhen poshtë tavolinave.

Përveç kësaj, le të marrim si të vertetë rastin se ekziston një dokument i tillë “Top Sekret”. Atëherë si ka mundësi që kjo gazetë serioze publikon një dokument që kompromenton një dosje gjyqësore? A është mënyra e duhur për t’u sjellë në të mirë të publikut në momentin që ky dokument synon të ndikojë mbi procesin gjyqësor dhe nuk e respekton atë, duke dhënë informata që nuk duhet të publikohet në gazetë por në një sallë gjyqi? Këto prova të reja duhet të sillen nga avokati i të pandehurit, prokuroria dhe gjyqtari duhet të bëjë gjykimin duke ndjekur me rigorozitet çështjen dhe të marrë vendim të pandikuar nga opinionet publike apo nga ndikime të tjera të jashtme.

Pra, me pak fjalë ky dokument nuk i shërben opinionit publik nëse ai dëmton një vendim të gjykatës. Opinioni publik ka të drejtë të ketë akses në një drejtësi të pavarur dhe që punon pa ndikimin e mediave apo politikanëve. Nëse drejtësia nuk i shërben publikut, ateherë kujt i shërben?

Fatkeqësisht, disa nga gazetarët tanë janë lajkatarë që shumëfishojnë dafinat dhe komplimentat për politikanët tanë në mënyrë indirekte dhe ky lloj servilizmi gjithmonë kthehet në tradhti në momentin që gazetari apo analisti shikon një rrezik përpara. Me pak fjalë, ky është kodi i komunikimit të tyre me politikanët, në mënyrë që të rrisin influencën e tyre apo të arrijnë qëllimet e tyre. Ky është realiteti i trishtë, për sa kohë kemi përballë një tufë mediokrësh që shpesh e shesin veten për të zgjuar por nga tjetër janë komplet të dominueshëm herët a vonë.

 

Konkluzioni im për këtë artikull është ky se përveç se është një artikull keqdashës, me qëllime të dukshme për egoizimin apo egërsinë e disa individëve, është një shfaqje e shëmtuar që nuk mbron sovranin, por e keqdrejton dhe e mashtron atë. Historia që artikulli përpiqet të tregojë nuk i shërben askujt. Për fat të mirë koha ka dy duar, me një dorë ajo përmbys dhe me një dorë ndërton.

Nëse ka një gjë që e mat veprën e një individi, që mundohet të ndërtojë të ardhmen e vendit është vetë-sakrifica. Heroizmi i çdo individi i ka rrënjët në vyrtytin e sakrificës dhe vendosjen e interesit të tjerëve para interesit personal, në të mirë të shumicës, apo në të mirë të vendit. Ky njeri për shumë shqiptarë ishte dhe vazhdon të jetë Azem Hajdari, që dha jetën për demokracinë e Shqipërisë.

Dokumenti i plotë i SHIK

Titulli: Mbi autorët e vrasjes se deputetit Azem Hajdari

Nga disa burime të besueshme informative, të pamvarura prej njeri-tjetrit dyshohet se autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari janë: Fatmir Muharrem Haklaj, Jaho Salih Mulosmani dhe Feriz Kernaja, që të tre nga Tropoja.

Origjina e konfliktit mes këtij grupi dhe Azem Hajdarit zë fill me tentativën për vrasje që realizoi deputeti i PS-së, Gafur Mazreku me dt. 18 shtator 1997.

P.D-ja pas kësaj ngjarjeje kërkoi të realizonte një miting proteste në Tropojë. Shefi i Komisariatit të Policisë në atë periudhë Fatmir Haklaj, nuk iu dha leje dhe për pasojë krijoi konflikt me të quajturin Fatmir Hoxha, i cili është nga fshati Luzhë i Tropojës, në atë kohë ka qenë oficer i Policisë Kufitare në Shkodër, aktualisht qëndron i mbyllur në shtëpi për motive hasmërie.

Në datën 5 janar 1998 në Qafë-Luzhë, Tropojë vritet Shkëlqim Haklaj, i vëllai i Fatmir Haklës, së bashku me kunatin e këtij të fundit të quajtur Kujtim Demiri. Kjo vrasje u dyshua se ishte bërë nga Haki Hoxha dhe Abdyl Matoshi, nga fshati Luzhë, ish-oficer i Policisë Burrel, të dy të shtyrë nga Azem Hajdari.

Me datën 6 janar 1998 në fshatin Cernicë të Tropojës, vriten Avdyl Matoshi, Gjin Kolbuçaj nga Bukova e Tropojës dhe Naim Dizdari, i cili kish grua motrën e Abdyl Matoshit.  Në këtë vrasje Fatmir Haklaj nuk ka marrë pjesë vetë.

Në datën Janar 1998 Fatmir Haklaj vret brenda në Komisariatin e Policisë së Tropojës, Shaqir Hoxhën, vëllai i Haki Hoxhës. Menjëherë pas ngjarjes braktis deyrën dhe fshihet në mal.

Jaho Sali Mulosmani është dajua i Fatmir Haklës, ose më saktë kushëriri i parë i nënës së Fatmirit. Jaho është aktualisht Shefi i Policisë së Rendit në Tropojë, ku me Fatmirin veç lidhjeve të gjakut, e lidhin edhe dyshime për vrasje.

Feriz Kërnaja, pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit ka pasur këto motive që e kanë shtyrë:

Ferizi është poshtëruar publikisht duke u qëlluar me shuplakë para hotel “Arbëria” nga i quajturi Isuf Haxhiaj. Isufi ka qenë shok i ngushtë me Azem Hajdarin, i arratisur në vitin 1990 për disa grabitje e shkatërrime të mjaft dyqaneve në Tropojë, i zbërthyer në hetuesi si agjent i zbulimit jugosllav.

Rreth datës 25 shkurt 1991 Feriz Kërnaja vret në mënyrë të hapur në tragetin e Tropojës, Isuf Haxhiun, i cili rastësisht mbante veshur atë pardesynë e Azem Hajdarit.

Në trazirat e muajit Mars 1997 arratiset nga burgu dhe kapet në autostradë me një makinë ku kishte edhe armë, së bashku me djalin e Nehat Kullës, me të cilin Ferizi ka qenë shok burgu.

Nga fillimi i muajit Gusht 1998, Feriz Kërnaja lirohet nga gjykata e Faktit Tropojë, duke u argumetnuar vendimi me disa amnisti të njëpasnjëshme, nga të ciliat kishte pëfituar.

Rreth datës 2 shtator 1998,  babai i Fatmir Haklës, i quajturi Muharrem Haklaj, rreth 67-vjeç, ka ardhur në Tiranë dhe është takuar me Azem Hajdarin, me qëllim për të bërë pajtimin e gjaqeve. Në bisedë ata kanë debatuar dhe në përfundim pasi nuk kanë rënë dakord, Muharremi i ka thënë që për këtë problem  do të kthej përgjigje pas 10 ditësh.

Sipas informacioneve tona, ditën e ngjarjes, pra më 12 shtator 1998, rreth orës 21:00, Azem Hajdari është ftuar me telefon për të biseduar rreth këtij problemi në vendin e kryerjes së krimit/

Azemi ka dalë nga zyrat i shoqëruar prej dy badigardëve të tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza. Vrasja e tij është bërë nga një “Benz” me targë të Vlorës, por jo me atë numër targe që jep ish-presidenti Sali Berisha. Kjo makinë i është marrë Myftar Culajt, pronar i një lokali tek “Menca e kinezëve”, me emrin “Tarzani”, nga grupi i mësipërm Myftarin, pas kryerjes së krimit e kanë marrë në telefon dhe në shkëmbim të makinës i kanë kërkuar që të shkojë në Tropojë për të marrë 30 milionë lekë.

Myftari i trembur, k aikur në Itali bashkë me vëllanë e tij.

Në vrasjen e Azem Hajdarit ka marrë pjesë edhe një person nga Nikla e Krujës, i njohur si vrasës profesionist dhe po atë datë, rreth orës 24:00 është çuar i plagosur në spitalin e Tiranës ku dhe ku ka vdekur. Në xhep i është gjetur një pasaportë e firmosur nga Fatmir Meta ish-Shef i Komisariatit Tropojë. Për këtë person dyshohet se mund të jetë plagosur rëndë në momentin e përplasjes mes dy grupeve nga Azem Hajdari, ose ështëe vrarë nga grupi i Jaho Mulosmanit, për të humbur gjurmët e krimit.

Ekzekutorët e vrasjes së Azem Hajdarit kanë udhëtuar për tërë natën në drejtim të Tropojës, ku kanë mbërritur rreth orës 05:00 të datës 13 shtator 1998.

Ish Ministri i Rendit Publik, Perikli Teta ka marrë dy herë në telefon Tropojën për të verifikuar vendndodhjen e Jaho Mulosmanit, i cili kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në Komisariat me preteksin se ishte i sëmurë. Në orën 22:00 të datës 12 Shtator 1998, ku në shtëpinë e Jahos shkuan një grup policësh, babai i tij, Salih Mulosmani, u tha që ishte brenda në dhomën, por ata vetë nuk e verifikuan.

Taulant Dedja-përfaqësues i Qeverisë për Tropojën, në mëngjesin e datës 13 Shtator 1998, rreth orës 7:15 e ka konfirmuar venndodhjen e Jaho Mulosmanit në Tropojë.

Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Fatmir Metës top “Fouristrada” e me llampën e sinjalit të policisë.

Me këtë makinë Jaho Mulosmani ka qarkulluar në Tiranë 2 ditë para ngjarjes dhe atë ditë që u krye vrasja.

Pas ngjarjes, Fatmiri nuk shkoi më në Tropojë dhe aktualisht është në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik.

Në vendin e ngjarjes është ndodhur makina e Ismet Haxhisë-Shef i Qarkullimit Tropojë, vëllai i Izet Haxhisë. Kjo makinë është “Tipo” me targë “Policia 203”. Ismet Haxhia kish ardhur në Tiranë 2-03 ditë para ngjarjes dhe është larguar prej saj ditën e mërkurë pra, katër ditë pas vrasjes.

Ismet Haxhia ka vëlla edhe Isamedin Haxhiaj dhe Halil Haklaj- vëllai i Fatmir Haklaj, zhvillonin së bashku trafik armësh nga Gramshi në Tropojë me objekt Kosovën. Për këtë qëllim ishin lidhur në Gram me Rudi Bardhoshin, subjekti ynë në gjurmim për trafik armësh.

Me këtë ofertë ishin përzier edhe Azem Hajdari e Ahmet Kraniqi, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës. Rrugën e tretë të ngarkesës me armë nga Gramshi për në Tropojë arrestohet nga policia e Gramshit Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhiaj. Me ta ndalohet dhe më pas lirohet edhe pritësi i tyre nga Gramshi, Rudi Bardhoshi, i cili sipas informacioneve tona ka biseduar në telefon me Azem Hajdarin ose Shaban Memimë dhe ka dhënë informacion për trafikun e armëve.

Ky fakt është marrë vesh nga Halili e Isamedini, të cilët janë liruar nga burgu në datën 4 shtator 1998 dhe ka acaruar më tej situatën midis tyre.

Grupi i vrasësve të Azem Hajdarit dyshohet se është edhe autori i vjedhjes së fundit të Bankës së Tropojës, ku janë vjedhur rreth 600 milionë lekë, të cilat i mbajnë në shtëpi si dhe autorë të grabitjes së makinave të OSBEE-së, Kryqit të Kuq, me të cilat shëtisin lirisht në Tropojë. Theksojmë se, ky grup në vazhdimësi ka shfaqur dëshirën për të vrarë edhe ish-presidentin Sali Berisha, gjë për të cilën ky i fundit ka dijeni.


Tags:

Mund t’ju pëlqejë dhe

Lini një koment

Logged in as bobiLog out?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *