Donald Lu ikën në Kirgizstan, Vlahutin e zëvendëson një italian

Lajme Politikë shtojca

Donald Lu dhe Romana Vlahutin nuk do të jenë më ambasadorë të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë. Prej kohësh përfliten se misioni i tyre ka përfunduar dhe se janë në pritje të pasuesit.

Lajmi për largimin e Donald Lu u bë publike nga vetë Shtëpia e Bardhë.

Në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë sqarohet të enjten se iu dërgua Senatit lista me 7 caktime dhe një tërheqje në nivel diplomatësh.

Aty shpjegohet, se njeriu që drejtoi misionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm e i Gjithëpushtetshëm i Amerikës në Republikën e Kirgistanit.

Ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i tij në Tiranë. Donald Lu që prej vitit 2014 ndodhet në Tiranë si diplomati më i lartë amerikan. Ai më herët ka punuar në vitin 2000 në Kirgistan si zv.ambasador.

Vlahutin lë BE-në, misioni i besohet sërish një italiani

Pas daljes së lajmit për largimin e ambasadorit Lu nga Shqipëria, në mënyrë të rrufeshme doli edhe lajmi për largimin e ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Bashkimi Europian ka vendosur që të Tiranë të rikthejë sërish një italian në krye të delegacionit të BE-së

Ai është Luigji Soreca, thanë burimet diplomatike. Ky i fundit është një dashamirës i Shqipërisë dhe ka ndihmuar shumë vendin tonë në procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu pritet që një tjetër italian të vihet në krye të misionit të BE-së. Më parë ka qenë Ettore Sequi shefi i mëparshëm i BE-së, detyrë që e mbajti deri në vitin 2014.

Reforma në Drejtësi dhe peshqit e mëdhenj

Dy ambasadorët do të mbahen mend si dy nga njerëzit që nxitën Reformën në Drejtësi, me ndikimin që bënë, pse jo edhe presionin diplomatik ndaj politikës shqiptare për miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese.

Lu dhe Vlahutin shpeshherë janë konfliktuar apo kanë qenë në qendër të sulmeve të njëpasnjëshme të opozitës mbi qëndrimet e mbajtura, duke u akuzuar nga demokratët se po mbajnë e kryeministrit Rama dhe të qeverisë së tij.

Nuk janë fort të largëta ditët e nxehta politike të verës së vitit 2016, kur Donald Lu, i shoqëruar shpesh nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, arritën që të bëjnë bashkë klasën politike dhe të kalojnë me 140 vota në Kuvend paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi.

S’janë të largëta as ditët e vrullshme politike të pranverës së vitit të kaluar, kur Partia Demokratike protestonte në çadër para Kryeministrisë, ai i shoqëruar po nga nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, takohej herë me udhëheqësit e opozitës, herë me të mazhorancës, me misionin kryesor: shpëtimin e zgjedhjeve parlamentare dhe pjesëmarrjen e opozitës në to. Arriti që t’i bëjë bashkë edhe njëherë tjetër politikanët shqiptarë dhe të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

Falë përpjekjeve direkte të ambasadorit Lu pati një ndikim të madh në pastrimin e politikës, ku me zgjedhjet e 2017-ës pati largime të personave të inkriminuar. Dekriminalizimi ishte një proces që u morë dhe pati rezultat.

Ndërsa beteja e nisur që mbase do të pasohet nga ambasadori i ri i SHBA-ve është ajo e kapjes së “Peshqeve të mëdhenj”, i arrestimit të njerëzve të botës së krimit, apo dhe të politikanëve dhe zyrtarëve të inkriminuar.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *