E plotë/ Manastirliu: Mbyllim udhëtimet me Britaninë e Madhe, restorantet…

Kryesore Lajme Slider kryesore Sociale

“Jemi në këtë komunikim periodik për të informuar qytetarët për situatën e COVID19 në vendin tonë dhe masat me qëllim kufizimin e përhapjes së Covid 19.

Sot ka patur mbledhjen e rradhës Komitetit Teknik i Ekspertëve dhe pas analizës së situatës epidemiologjike, informacioneve të reja të deritanishme lidhur me mutacioni e ri të identifikuar të SARS COV2, ka vendosur të rekomandojë marrjen e masave të shtuara në mbrojtje të shëndetit publi nga infeksioni Sars-Cov2.

Nga të dhënat e deritanishme të Qendrës Europiane të Kontrolllit të Sëmundjeve, mbi variantin e ri të Sars-Cov 2, të identifikuar në Britaninë e Madhe, e cila gjatë javëve të fundit është përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me Covid19, jemi informuar se autoritetet e Britanisë së Madhe dhe vendet e BE po vijojnë kryerjen e hetimeve të tjera epidemiologjike, për të vlerësuar më tej impaktin e këtij variant të ri të Sars-Cov 2.

ECDC vlerëson paraprakisht se ky mutacion i ri i Sars-Cov 2 është në mënyrë të konsiderueshme më i transmetueshëm se variantet që kanë qarkulluar më parë. Rritja e transmetueshmërisë çon në rritje të gjasave për përhapje më të shpejtë, sidomos në këtë kohë të vitit, ku ka intensitet të shtuar të kontakteve, rritje të grumbullimeve familjare dhe sociale.

Sa më sipër, duke marrë në konsideratë rekomandimet e Komitetit Teknik, për të kufizuar më tej riskun e përhapjes së infeksionit si dhe riskut të lartë të shkaktuar nga varianti i ri i Sars Cov2, kemi vendosur:

Pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe, duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, date 22 Dhjetor, deri në datë 06 Janar. Po ashtu vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera.
Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14 ditor vjen si një masë paraprake, për të shmangur këtë infeksion apo mutacion të ri të Sars-Covi2.
Pas analizës së situatës nga Komiteti i Ekspertëve përsa i përket të dhënave epidemiologjike në përfundim të javës së 51 të epidemisë, nga vlerësimi i kryer mbi baza dinamike në dy javët e fundit rezulton një incidence, raste të reja për 100 mijë banorë 359 raste për 100 mijë banorë. Vlerësohet në 4 javët e fundit që situata ka paraqitur një qëndrueshmëri lidhur me rastet pozitive të infektuara për 100 mijë banorë dhe përqindjen e pozitivitetit të rasteve.
Nga ana tjetër vlerësohet se përqindja e shtretërve të zënë në spitalet Covid në këtë javë, në dy javët e fundit është 63.7% dhe përqindja e shtretërve të zënë në reanimacione në spitalet Covid është 25.3%.
Pra ashtu sikurse e përmendëm, ekspertët vlerësojnë se situata deri sot paraqet qëndrueshmëri, duke vlerësuar kështu edhe impaktin e masave të marra deri tani, të reflektuara sigurisht në këtë situatë. Por kjo situatë ka ende nevojë të vlerësohet në mënyrë dinamike, pasi zbatimi i masave nga të gjithë mbetet thelbësor në kufizimin e përhapjes së këtij virusi.
Puna në terren nga të gjitha strukturat e shëndetësisë po vijon. Jemi në gadishmëri të plotë. Do të vijojmë të jemi në gadishmëri të plotë, siç kemi bërë në të gjitha ditët për këto 10 muaj. Përsa i përket punës në terren po vijon testimi, gjurmimi, izolimi i rasteve të dyshuara apo të konfirmuara. Nga sot, ashtu sikurse të gjithë qytetarët janë informuar, ka nisur testimi i shpejtë i cili është shtrirë dhe në 6 pika të qendrave shëndetësore në Tiranë, sipas fashave orare 10:00-16:00, si dhe në të gjitha qytetet sipas një kalendari të përcaktuar.
Po ashtu edhe në spitalet rajonale, në shërbimet e urgjencave ka filluar përpos testimit klasik, pra me PCR edhe testi i shpejtë i antigenit për rastet që përfshihen në udhëzimin e Instituti të Shëndetit Publik.
Duke qenë se kemi hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës kemi marrë disa vendime.
Kemi vendosur:
– Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.
– Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.
– Prej datës 5 Janar kufizimi i levizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim.
– Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery.
– Prej datës 5 Janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00.
– Po ashtu rekomandojmë të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore.
Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Të dashur qytetarë,
E kuptojmë fare mirë dëshirën e gjithësecilit, për të qenë me njerëzit e dashur në këto festa.
E kuptojmë fare mirë që sidomos në Krishtlindje dhe Vit të ri, duam të gjithë të jemi sa më pranë një atmosfere normaliteti, festive. Por ky ishte një vit i pazakontë dhe ai po mbyllet si i tillë. Një vit i pazakontë që ka kërkuar prej nesh -prej gjithë botës në fakt- sakrifica në emër të shëndetit.
Sepse, e kam thënë shpesh, për ne, ne listën e vlerave dhe dëshirave, SHËNDETI qëndron në krye, i padiskutueshmëm. E gjithë bota po merr masa përballë virusit. Këtë po bëjmë dhe ne. Sepse siç e kam thënë, pandemia nuk parandalohet në spitale. Jo. Në spitale mjekët tanë luftojnë pasojat e saj. Pandeminë e lufton sjellja e gjithësecilit prej nesh.
Ne po punojmë për të patur sa më shpejt vaksinën. Të dhënat e deritanishme tregojnë se vaksina arrin të ketë efekt edhe mbi variantin e ri të virusit. Por deri atëherë, armët që na kanë mbrojtur gjatë gjithë këtyre muajve, vazhdojnë të jenë vendimtare dhe këto janë:
DISTANCIMI, MASKA, HIGJIENA dhe kufizimi i kontakteve.
Vlejnë për këto festa më shumë se kurrë. Festimi këtë vit duhet të jetë me familjen e ngushtë, gjithmonë duke zbatuar masat rigorozisht. Është një detyrim, mbi të gjitha për të patur mundësinë të festojmë edhe të tjera herë me njerëzit tanë më të dashur. Me qëllim që kur virusi të jetë zhdukur, këto festa të fundvitit të 2020 të mbahen mend thjesht si të pazakonta të kaluara me ta. Por në asnjë mënyrë si festat e fundit, ndaj kërkohet nga të gjithë qytetarët edhe një sakrificë e rradhës, për të festuar vetëm në familjen e vogël dhe shpresojmë që me vitin e ri, të kthehemi në normalitetin që secili prej nesh dëshiron”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *