Emrat e dy spiunëve të larguar dhe përplasja mes Moskës dhe Tiranës

Kryesore Politikë

Dy diplomatët e dëbuar nga vendi janë Sekretari i Pare i Ambasadës Aleksey Balashov si dhe Atasheu Ushtarak Vladislav Filippov, te cilët se bashku me familjet e tyre, brenda 72 orëve do duhet të lënë vendin tonë.

Në shkresën dorëzuar Ambasadorit Karpushin, theksohet se ky dëbim vjen për shkak te aktivitetit qe nuk përputhet me statusin e tyre. Por ndërkohë nuk është bërë e ditur aktiviteti i tyre që ka qenë në shkelje të statusit diplomatik

Vendimi i Qeverise Shqiptare vjen paralelisht me aksione te njëjta te ndërmarra fillimisht nga Mbretëria e Bashkuar, e me pas nga SHBA dhe vendet anëtare te NATO-s, te cilat kane vendosur dëbimin e diplomateve rus, si shenje reagimi ndaj akuzave për helmimin e ish-agjentit Sergei Skripal me agjent kimik, rreth një muaj me pare ne Britani.

Kjo është përplasja më e fortë diplomatike mes Moskës dhe Tiranës zyrtare. Por tensionet mes dy vendeve nuk janë te reja. Një vit më parë,  Vizion Plus raportoi mbi kërkesën e Ambasadës Ruse për te shtuar personelin e saj të sigurisë ne Shqipëri. Ambasadori Aleksandër Karpushin gjate një takimi ne Ministrinë e Jashtme insistoi për praninë në Tiranë të agjentëve rusë te Antiterrorit me pretendimin e kërcënimeve nga elementë ekstremistë. Por kërkesa u refuzua nga Ministria e Jashtme.

Tirana dhe Moska  shkëmbyen replika në distancë edhe për zhvillimet në Maqedoni, për të cilat disa herë Rusia fajësoi kryeministrin Rama se qëndronte pas bashkimit të faktorit shqiptar dhe miratimit të ligjit të gjuhës shqipe.

Sa i përket qëndrimit të Tiranës zyrtare për helmimin e ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe, pati një reagim të ashpër të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, duke bërë ironi me qëndrimin e mbajtur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme më datën 20 mars.

“E ritheksojmë: ne nuk mund të besojmë që pala shqiptare mund të ketë hedhur gjithë fajin për atentatin në Salisbury mbi Rusinë pa pasur argumente të forta e të mjaftueshme. Në të kundërt, do të bëhej fjalë qoftë për mungesën e kompetencës nga ana e MEPJ-së, qoftë për një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Pala ruse, më shumë se çdokush tjetër, është e interesuar për të zbuluar të vërtetën e helmimit të shtetases ruse dhe është e hapur për çdo komunikim me kolegët shqiptarë lidhur me këtë çështje”, thuhet në deklaratën e ambasadës Ruse në Tiranë.

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *