FBI-ja, nën hetim për të zbuluar nëse përgjoi Trumpin

Kryesore

Departamenti amerikan i Drejtësisë do të nisë një hetim për të parë nëse agjentët e FBI-së kanë përgjuar fushatën presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2016 për qëllime të papërshtatshme.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, Trump e bëri të qartë se dëshiron të dijë nëse administrata paraardhëse ka urdhëruar vërtet ndonjë lëvizje të tillë.

Ishin raportet në mediet amerikane, ato që treguan fillimisht se Byroja Federale e Hetimit ka pasur një informator, i cili takohej me ndihmës të fushatës.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein deklaroi se, nëse zbulohet ndonjë lloj infiltrimi do të merren masa.

Hetimi i ri vjen paralelisht me atë ekzistues mbi lidhjet e drejtuesve të fushatës së Trumpit me rusët dhe mundësinë që Moska të ketë ndikuar rezultatin.

Kërkesa e fundit e shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen në mesin e një serie mesazhesh në “Twitter” të dielën, ku denoncohej ajo që ai e quante “një gjueti shtrigash”, e që sipas Trumpit nuk ka gjetur asnjë afrim të stafit të tij të fushatës me Rusinë.

Sa për akuzat drejtuar FBI-së, ato presidenti i lëshoi të premten, kur tha se Byroja kishte dërguar një ekip të sajin për të spiunuar fushatën e tij.

“New York Times” e ndoqi çështjen përmes një artikulli dhe tregoi se ka pasur vërtet një informator, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por thotë se ai ishte dërguar të fliste me njerëz pranë Trumpit, vetëm pas raporteve për kontakte të dyshimta me Moskën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump lëshoi një valë kritikash të dielën lidhur me hetimin mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së tij në 2016 me Rusinë dhe mbi pengimin e mundshëm të drejtësisë nga ana e tij.

“Situata po bëhet vërtet qesharake”, shkruante ai në një nga gjashtë postimet mbi këtë temë në Twitter, duke shtruar pyetjen se kur do të mbyllet hetimi, duke e quajtur atë “një gjueti shtrigash 20 milionë dollarësh”.

Ai shprehu pretendimin se hetuesit nuk “kanë gjetur bashkëpunim të fshehtë me Rusinë. Asnjë pengim, por ata nuk po hetojnë korrupsionin” në fushatën e ish- rivales së tij demokrate Hillary Clinton.

Udhëheqësi amerikan tha se hetimi i prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller “ka hequr dorë nga Rusia dhe po merret tani me pjesën tjetër të botës” dhe lidhjeve të saj me fushatën e zotit Trump.

Presidenti tha se zoti Mueller, i cili është i autorizuar të hetojë edhe për çështje që kanë lidhje me hetimin për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet amerikane për të ndihmuar në fitoren e zotit Trump gjatë procesit, “mund të jetë lehtësisht në gjendje” që ta zgjasë hetimin deri kur të mbahen zgjedhjet e Kongresit në nëntor, ku ai dhe ekipi i tij “mund të dëmtojnë partinë republikane”.

“Republikanët dhe amerikanët e vërtetë duhet të fillojnë të tregohen të ashpër me këtë mashtrim”.

Hetimi i zotit Mueller nuk ka dhënë shenja se do të përfundojë së shpejti. Ai ka ngritur akuza ndaj disa individëve dhe entiteteve ruse për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, përmes prodhimit të lajmeve të rreme ku flitej për për çështje të debatueshme në Shtetet e Bashkuara, si edhe ka siguruar pranimin e fajësisë nga tre pjesëtarë të fushatës së zotit Trump që tani po bashkëpunojnë me prokurorët.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *