Finalja e parakohshme, Arsenal e Atletiko Madrid ja përballjet mes tyre

Botë shtojca Sport

Gjurma 26/04/2018

Dy skuadrat favorite për të fituar edicionin e sivjetshëm në Europa League, Atletico Madrid dhe Arsenal do të përballen ndërmjet tyre në një finale të parakohshme, prej nga ku me shumë gjasa do të mësojmë edhe emrin e ekipit që mbrëmjen e 16 majit do të ngrejë në stadiumin e Lionit trofeun e dytë më të rëndësishëm kontinental në rang klubesh.

Dëshira e gjithë të apasionuarve ishte që këto dy ekipe të përballeshin pas tri javësh, në pengesën e fundit, por shorti i datës 13 prill u tregua i pamëshirshëm. Dy klubet përballen për herë të parë ndërmjet tyre në gjithë historinë e Kupave të Europës, me takimin e vajtjes që do të luhet në Londër, në orën 21:05, në stadiumin “Emirates”. Për të mbërritur deri këtu Arsenali eliminoi me radhë kundërshtarë të tillë si Ostersunds, Milan si dhe CSKA-në e Moskës, ndërsa “bardhekuqtë” në krahun tjetër kaluan ekipe si Copenhagen, Lokomotiv të Moskës si dhe Sportingun e Lisbonës.

Nëse klubi madrilen pozicionohet në vendin e dytë në Primera Division Arsenali në anën tjetër renditet vetëm në vendin e gjashtë në Premier League, sidoqoftë është e sigurtë që njëri prej këtyre dy klubeve do ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe.

Klubi spanjoll viziton kryeqytetin britanik pa dyshen Juanfran – Filipe Luis, ndërsa Diego Costa ka udhëtuar drejt Anglisë, pavarësisht se ka munguar në tri ndeshjet e fundit të Atleticos, më saktë që pas dëmtimit që pësoi në takimin e kthimit me Sportingun. “Topcinjtë” nuk do të mund të mbështeten dot te emra të tillë si Aubameyang, Mkhitaryan apo dhe Mohamed Elneny, që ka humbur gjithë pjesën e mbetur të sezonit, gjithsesi trajnerit Arsene Wenger i rikthehen në kohë lojtarë shumë të rëndësishëm si Ozil, Wilshere dhe Petr Cech. Pas plot 22 vjetësh në krye të Arsenalit kjo është ndeshja e fundit në shtëpi në Kupat e Europës për 68-vjeçarin francez, që vetëm pak kohë më parë deklaroi largimin në fund të sezonit nga ekipi i famshëm londinez.

Arsenali është kualifikuar në 6 nga 7 përballjet gjysmëfinale në Kupat e Europës, ndërsa Atletico në krahun tjetër ka kaluar dy gjysmëfinalet që ka patur në formatin Europa League, me Liverpulin në vitin 2010 dhe Valencian në 2012. “Bardhekuqtë” nuk dështojnë në fazën gjysmëfinale që nga viti 1999, kur i eliminoi Parma, sidoqoftë bëhet fjalë për një përballje anglo-spanjolle dhe trajneri Diego Simeone nuk njeh humbje në Angli si trajner i klubit madrilen. Nëntë vjet më parë dy ekipet janë përballur në një takim miqësor në stadiumin “Emirates”, ku “Topçinjtë” fituan me rezultatin 2-1, ndërsa këtë herë dy ekipet do të masin forcat dy herë në harkun e tetë ditëve, me ndeshjen e parë që do të drejtohet në mënyrë kurioze nga një francez, 35-vjeçari jurist për nga profesioni Clement Turpin.

Në mënyrë të pabesueshme në gjysmëfinalen tjetër do të duelojnë Marseja me Salzburgun, dy skuadra që ishin bashkë edhe në Grupin I të këtij edicioni. Çerek shekulli më parë klubi nga Provansa fitoi Champions League-n duke mposhtur Milanin, ndërsa një vit më vonë ekipi i Salzburgut nën drejtimin e ish-trajnerit të përfaqësueses kuqezi, kroatit Otto Baric, mundej me rezultatin e përgjithshëm 2-0, pas dy ndeshjeve finale me sistem vajtje-ardhje. Skuadra e Rudi Garsisë ka eliminuar me radhë Bragën, Athletic Bilbaon si dhe Laipcigun, ndërsa ekipi austriak ka patur një rrugëtim shumë më të vështirë, teksa ka kaluar kundërshtarë si Real Sociedad, Borusia Dortmund dhe Lazio. Në fazën e grupeve ekipi i futbollistit të përfaqësueses kosovare, Valon Berisha, që është njëkohësisht edhe zëvendëskapiten i Salzburgut, fitoi 1-0 në shtëpi dhe barazoi 0-0 në Francë, e këto në fakt janë edhe përballjet e vetme ndërmjet tyre, gjithsesi këtë radhë takimi i parë do të luhet në stadiumin “Velodrome” dhe do të drejtohet nga 39-vjeçari skocez Willie Collum. /SS

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *