Fitoi përballjen me KLD, Shpresa Beçaj rikthehet si gjyqtare pas 4 vitesh

Kronike Lajme

Gjurma 7 Maj 2018

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur sot të rikthejë në detyrë pas katër vitesh ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. KLD e ka rikthyer Beçajn si gjyqtare në Gjykatën e Apelit. Gjyqtarja e njohur vjen në këtë detyrë me vendim të KLD, pasi ka fituar me dy vendime gjyqësore.

Shpresa Beçaj kishte paditur KLD-në në vitin 2013, pasi i kishte mbaruar mandati si kryetare e Gjykatës së Lartë. Beçaj i kishte kërkuar KLD të emërohej gjyqtare pranë Apelit të Tiranës, por kërkesa e saj nuk ishte marrë parasysh dhe për këtë gjyqtarja kishte ngritur një padi ndaj KLD në Gjykatën Administrative.

Objekti i padisë së ish-kryetares së Gjykatës së Lartë ndaj KLD-së është detyrimi i kësaj të fundit ta rehabilitojë Beçaj në statusin e saj si gjyqtare karriere dhe të nxjerrë aktin e emërimit të saj si gjyqtare e Apelit Tiranë.

Po ashtu, Shpresa Beçaj ka kërkuar shpërblimin e dëmit në vlerën 8.061.624 lekë, duke shtuar edhe dëmin progresiv të çdo dite deri në ekzekutimin e vendimit. Lidhur me këto kërkesa, Apeli i Administratives i ka dhënë disa të drejta gjyqtares Beçaj. Në bazë të vendimit Beçaj do të përfitojë 42 paga mujore si gjyqtare e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Përveç gjyqtares Shpresa Beçaj, KLD ka rikthyer në detyrë dhe gjyqtaren e Gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila u pezullua një vit më parë, pas një videoskandali që u publikua në media.

Në video, gjyqtarja Fetahu kishte marrë një vendim, që favorizonte të pandehurin, ndërsa u shkarkua menjëherë nga KLD për ‘korrupsion pasiv’. Në mbledhjen e sotme, KLD ka vendosur ta rikthejë atë në detyrë, ndërsa nuk dihet ende pozicioni që do të mbajë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *