FOTOT/Ja si duket xhamia Namazgjasë nga brenda

Kryesore shtojca Sociale

 

Vitin tjetër Festa e Bajramit do t’i gjejë besimtarët myslimanë me një xhami të re. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, inspektuan punimet që po kryhen në Xhaminë e Namazgjasë, e cila është afër përfundimit. Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin e xhamisë si vepër të dobishme, jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe si një stoli për qytetin.

“Jam shumë i lumtur që inspektuam këtë vepër të dobishme. E quaj një vepër të dobishme për disa arsye: së pari, për të gjithë besimtarët myslimanë sepse pasja e një shtëpie të madhe të Zotit, për të ofruar shërbesat, jo vetëm në ditën e xhumasë, por edhe në ditët e tjera të veçanta, apo për të pasur një qendër kulturore, aktivitete të tjera të komunitetit, si ato që kanë të bëjnë me doktrinën fetare, me ndihmën dhe solidaritetin në komunitet, i sjell Tiranës një stoli”, tha Veliaj.

Për kryebashkiakun, ndërtimi i xhamisë është një e mirë edhe për qytetarët apo turistët e huaj, të cilët brenda 1 km2 mund të vizitojnë tempujt fetarë të myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. “Në 1 km2 kemi të gjitha shtëpitë e besimit, si atë të vëllezërve myslimanë, të atyre ortodoksë dhe atyre katolikë, ku mjafton të shikosh nga parvazi i Xhamisë së Namazgjasë dy majat e objekteve të tjera të kultit. Do të thotë se edhe për një turist që është i tërhequr nga Shqipëria për turizmin fetar, për vëllazërinë religjioze që kemi me njëri-tjetrin, e ka kollaj sepse brenda Unazës së Vogël mund t’i shohë të tre këta tempuj”, u shpreh kreu i bashkisë së kryeqytetit.

“Ajo për të cilën më vjen mirë është plotësimi i aureolës së besimit në kryeqytetin tonë me Xhaminë e Namazgjasë, e cila ndodhet paralel apo krahas katedrales së vëllezërve ortodoksë dhe katolikë. Xhamia u jep lehtësi besimtarëve myslimanë, por edhe qytetarëve, qoftë për frekuentimin e saj pas përfundimit të plotë të punimeve pas disa muajsh, qoftë për hapësirat në funksion të qytetarëve, përfshirë pjesën e parkimit që ndodhet nën xhami dhe aksesin në qendrën kulturore brenda ambienteve të xhamisë”, tha Myftiu i Tiranës, Yll Gurra.

Punimet në Xhaminë e Namazgjasë janë në fazën e tyre përmbyllëse të rifiniturave, instalimeve elektrike, mekanike, si edhe veshjes me gurë, të cilat pritet të mbyllen brenda 2 muajsh. Ndërsa, një grup që do të vijë nga Turqia do të kryejë dhe punimet e kaligrafisë, të vizatimeve dhe punimet e allçisë për t’i dhënë kështu dorën e fundit shtëpisë së re të besimtarëve myslimanë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *