Sulmohet me breshëri automatiku shtëpia e gazetares së Neës24 Klodiana Lala. Pamje nga vendi i ngjarjes, tregojnë qartë shenjat e plumbave, të cilat kanë goditur pjesën ballore të shtëpisë. Siç shihet plumbat janë përplasur në mure, si dhe në derën kryesore, ndërsa kanë depërtuar në brendësi të banesës nga xhamat. Në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja.
Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të sotëm, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të banesës së babait të saj.
Në çastin e të shtënave, në banesë ndodheshin familjarët e gazetares Lala vëllai, babai, ndërsa vetë ajo së bashku me dy vajzat e mitura, ishin aty deri në orët e vona të mbrëmjes. Shtëpia e prindërve është si një shtëpi e dytë për gazetaren Klodiana Lala, pasi në pjesën më të madhe të ditës, prindërit e saj mbajnë vajzat e vogla të saj.