Gjatë vizitës së saj në Berlin, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj u prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga z. Stephan Meyer, Sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun Gjerman nga z. Patrick Sensburg, Kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale si dhe z. Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Ministrja Gjonaj i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Evropian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria shqiptare jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin evropian të Shqipërisë.
Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, veçanërisht rezultatet e para të Vetingut dhe rastet e fillimit të ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë publikë, si dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, të cilat garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër kriminalitetit, emigrimit të paligjshëm, si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët evropian.
Sensburg u shpreh i gatshëm për të mbështetur në çdo formë përpjekjet për promovimin e arritjeve të Shqipërisë jo vetëm tek zyrtarët publikë në Gjermani, por edhe tek qytetarët e tjerë gjermanë, për të kuptuar proceset e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, z. Fechner, vlerësoi reformat e ndërmarra deri më tani duke theksuar se do t’ia përcjellë të gjithë kolegëve të tij rezultatet e prekshme të arritura si pasojë e këtyre reformave.
Gjithashtu, z. Fechner ofroi gatishmërinë e tij dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit.