Gjonaj në Gjirokastër: Banorët do të shpronësohen për rrugën Kardhiq-Delvinë

Lajme Politikë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u ka dhënë një lajm të mirë banorëve të fshatrave Fushë Bardhë dhe Zhulat në qarkun e Gjirokastrës, tokat e të cilëve do të preken nga ndërtimi i rrugës Kardhiq- Delvinë.

Gjatë një takimi të zhvilluar në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam” në Njësinë Administrative Cepo, ministrja Gjonaj ka deklaruar se javën e ardhshme do të nisë regjistrimi fillestar i tokës në fshatrat Fushë Bardhë dhe Zhulat duke bërë kështu të mundur që ata të përfitojnë dëmshpërblimet si rrjedhim i ndërtimit të rrugës Kardhiq – Delvinë që do të kalojë nga pronat e tyre.

“Për fshatrat Fushë Bardhë dhe Zhulat, të cilat nuk kanë regjistrim fillestar, ose ashtu siç shpesh herë e kemi dëgjuar në zhargonin e përditshëm, nuk ndodhen në hartë, ne do ta marrim përsipër për ta filluar regjistrimin sa më shpejt dhe për ta përfunduar të paktën brenda një viti, me qëllim që edhe kur të fillojnë shpronësimet për efekt të rrugës Kardhiq – Delvinë ato toka të jenë njëherë e mirë të zgjidhura për sa i përket titullit të pronësisë”, është shprehur ministrja Gjonaj.

Ministrja Gjonaj ka zhvilluar takime me banorët e njësive administrative Lunxhëri dhe Cepo, në qarkun e Gjirokastrës, me të cilët ka diskutuar për problemet e pronësisë së tokës, investimet në infrastrukturë, legalizimet dhe një sërë çështjesh që lidheshin me menaxhimin e qeverisjes vendore.

“Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të përmirësuar shërbimet, për të përmirësuar investimet, për të zgjidhur një herë e mirë disa probleme që kanë të bëjnë me çështjen dhe menaxhimin e tokës, për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e miradministrimit dhe investimeve të ujit dhe njëkohësisht çështjen e punësimit”, ka theksuar ministrja në fjalën e saj.

Ajo i ka siguruar banorët e të dy njësive administrative se me reformën e thellë që ka ndërmarrë, Qeveria synon t’i japë fund katrahurës që është krijuar në 27 vjet me pronat e tyre.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *