Gjukanoviçi fiton zgjedhjet presidenciale, falë shqiptarëve

Rajon Rrotull shtojca

Gjurma 16 prill 2018

Milo Gjukanoviç rikthehet në krye të politikës në Mal të Zi me një fitore të qartë në zgjedhjet presidenciale. Ndonëse një figurë polarizuese, Gjukanoviçi ka mbështetjen e Perëndimit për arsye gjeopolitike.

Montenegro Präsidentenwahlen 2018 | Milo Djukanovic gewinnt Wahl (Reuters/S. Vasiljevic)

Kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç u rikthye nga pensionimi i vetëimponuar në detyrat qeveritare, për të arritur një fitore të konsiduerueshme në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Sipas rezultateve jopërfundimtare të Qendrës për Monitorimin e Zgjedhjeve (CEMI) të publikuara të dielën në darkë, Gjukanoviçi fitoi 53.8 përqind të votave, kurse sfiduesi i tij kryesor Mladen Bojanic, 33.5 përqind.

Numërimi jopërfundimtar i votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmoi këtë tendencë, duke i dhënë 56 vjeçarit Gjukanoviç përparësi edhe më të madhe. Asnjëri prej gjashtë kandidatëve të tjerë nuk arriti të mbledhë një numër dyshifror votash.

Fitorja e re do të thotë kthimin e Gjukanoviçit në postin që ai e ka mbajtur prej viteve 1998 deri 2002.

Mali i Zi mbështet të gjitha sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë

(Reuters/M. Djurica)

Përveç tri pushimeve që ka bërë nga postet, ai ka qenë që prej vitit 1991 ose president ose kryeministër.

DPS ka qenë në pushtet gjithë kohën dhe Gjukanoviçi e ka drejtuar partinë që në vitin 199. Ai deklaroi se vendosi të rikthehet me DPS në mënyrë që të mbrojë kursin properëndimor të Malit të Zi përballë tensioneve rajonale dhe fërkimeve globale midis NATO-s dhe Rusisë.

Vitet e fundit Gjukanoviçi e largoi Malin e Zi nga aleanca tradicionale e ngushtë me Rusinë. Ai e akuzoi Moskën për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti në ditën e zgjedhjeve të fundit parlamentare në tetor 2016. Podgorica ka mbështetur të gjitha sanksionet perëndimore kundër Moskës.

Mali i Zi me 620.000 banorë u anëtarësua në NATO më 2017 dhe po zhvillon negociata për anëtarësim në BE. Si figurë, Gjukanoviçi polarizon jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në plan ndërkombëtar. Kundërshtarët e akuzojnë për nepotizëm dhe për korrupsion masiv si dhe për praktika diktatoriale. Një numër anëtarësh të familjes së tij mbajnë pozicione të larta politike, gjyqësore dhe në biznes.

Deklarata

“Ne jemi të pamposhtur!”. Me këto fjalë Milo Gjukanovic përshëndeti zgjedhjet e kësaj të diele në Mal të Zi dhe deklaroi fitoren e tij pa qënë nevojë që vendi të shkojë në një raund tjetër balotazhi.

 Sipas tij, rezultati i qartë tregon se vizioni dhe programi i tij në krye të Malit të Zi është i duhuri.

“Konfirmohet se jemi në rrugën e duhur dhe drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”, tha ai.

Gjukanovic falenderoi qytetarët që e votuan, ata që morën pjesë në zgjedhje dhe aleatët që e mbështetën, mes të cilëve edhe shqiptarët, ndërsa përcolli edhe një mesazh për rivalët.

“Rezultati tregon qartë dhe është një mundësi që të reflektoni e të rishqyrtoni bindjet e tuaja. Asgjë nuk mund të arrihet politikisht duke mohuar gjithcka që Mali i Zi ka arritur deri më tani”, vijoi ai në mesazhin e vet.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar dhe Gjukanovic është shpallur fitues me 53.8 për qind të votave, ndërsa rivali i tij më i afërt, Mladen Bojanic, ka siguruar vetëm 33.5 për qind.

Për Gjukanoviç kanë votuar edhe shqiptarët. Analistët shqiptarë në Ulqin thonë se kjo është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqiptarët, por gjithë politikën e rajonit.

Kush është Milo Gjukanoviç?

Në pushtet prej 27 vitesh, herë si kryeministër e herë si president, i pasur po ashtu, ai është njeriu që udhëhoqi fushatën e suksesshme të Malit të Zi për Pavarësinë. Ai u zgjodh kryeministër për të parën herë në ditëlindjen e tij të 29, në vitin 1991, e është i vetmi udhëheqës i një ish-republike jugosllave, që ka mbijetuar në krye që prej shpërbërjes së Federatës së vjetër.

Fillimisht, ai ishte një nga të preferuarit e Sllobodan Milosheviçit, por kur Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina shpallën Pavarësinë në vitet ’91-’92, Gjukanoviç mbështeti vendimin e Malit të Zi për të qëndruar bashkë me Serbinë në Federatën jugosllave, tashmë shumë të reduktuar.

U desh të pritej deri në vitin 1997, që ai të distancohej me regjimin e Milosheviçit, kur kreu deri më atëherë i pathyeshëm, por tani i dobësuar, po përpiqej të anulonte fitoret e kundërshtarëve të tij në zgjedhjet lokale në Serbi.

Po atë vit, ai siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi dhe nisi punën për më shumë autonomi, e pse jo edhe për Pavarësi. Gjatë sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavi, si pasojë e raprezaljes së Milosheviçit mbi Kosovën, ai deklaroi se Mali i Zi nuk ishte palë në konflikt.

E kjo i dha atij pëlqimin dhe mbështetjen e konsiderueshme financiare nga BE-ja dhe SHBA-të. Admirimi i Perëndimit për Gjukanoviçin u shndërrua në frustrim, kur udhëheqësi malazez këmbëngulte për Pavarësinë edhe pas rënies së Milosheviçit nga pushteti, në vitin 2000.

Ai e udhëhoqi vendin drejt Pavarësisë dhe partinë e tij drejt fitoreve të tjera. Tani, ai do të tregojë edhe një tjetër herë se është i pamposhtur dhe e paraqet veten si mbështetës të Perëndimit dhe garantues të vazhdimësisë së shtetit malazez.

Pavarësisht se shpeshherë është vënë në shënjestër të akuzave për korrupsion, në vendin me vetëm 600 mijë banorë, ai duket se di ku të godasë. Sesa gjatë do të vazhdojë të qëndrojë në krye Gjukanoviç, kjo është një tjetër çështje, pavarësisht se në disa raste, ai vetë ka folur për planet për t’u tërhequr nga politika dhe për t’u përqendruar te biznesi.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *