Helmimi i ish-spiuinit rus, Moska kundër qëndrimit të Tiranës

Botë Kryesore Politikë

Qëndrimi i Tiranës zyrtare, nëpërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme mbi helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës Julia Skripal në Britaninë e Madhe, shkakton përplasjen e parë diplomatike mes Rusisë dhe Shqipërisë.

Ambasada e Federatës Ruse nëpërmjet një deklarate të postuar në faqen zyrtare në Facebook, reagon ndaj qëndrimit të MEPJ-së shqiptare sa i përket vdekjes së ish-spiunit rus dhe vajzës së tij, duke theksuar se kjo ministri po akuzon Moskën për këtë ngjarje. “Kemi lexuar deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, datë 20 mars 2018, titulli i së cilës konstaton një “sulm kimik të zhvilluar nga Rusia kundër Britanisë së Madhe”. Kemi respekt për specialistët e MEPJ-së dhe nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim përgjegjshmërinë e tyre në formulimin e deklaratave zyrtare të dikasterit që përfaqësojnë. Prandaj kemi arsye të besojmë që kolegët tanë shqiptarë duhet të kenë prova të implikimit të Rusisë në helmimin e Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia. Siç dihet, Britania e Madhe, e cila ka ngritur disa akuza të rënda kundër Rusisë lidhur me incidentin në Salisbury, vazhdon të refuzojë me kokëfortësi të tregojë prova dhe të zbatojë procedurat e aprovuara ndërkombëtare, përfshirë edhe në kuadër të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Kjo do të thotë me të gjitha gjasat që Londra nuk ka asnjë provë të përfshirjes ruse”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Më tej me një ironi therëse kërkohet që Tirana zyrtare të mos bëhet “pengesë” për zbardhjen e së vërtetës për të paraqesë provat për këtë hetim të ndërmarrë.

“Dhe në këtë situatë, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti Rusia kërkon me të drejtë një hetim sa më të shpejtë të tragjedisë, informacioni që zotëron pala shqiptare dhe në bazë të të cilit është përgatitur deklarata e lartpërmendur e MEPJ-së, është me rëndësi kritike për zbardhjen e situatës dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes. I qëndrojmë mendimit se fshehja e këtij informacioni është e palejueshme dhe në kundërshtim me interesin e përbashkët të të gjitha shteteve të përgjegjshme.

E ritheksojmë: ne nuk mund të besojmë që pala shqiptare mund të ketë hedhur gjithë fajin për atentatin në Salisbury mbi Rusinë pa pasur argumente të forta e të mjaftueshme. Në të kundërt, do të bëhej fjalë qoftë për mungesën e kompetencës nga ana e MEPJ-së, qoftë për një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Pala ruse, më shumë se çdokush tjetër, është e interesuar për të zbuluar të vërtetën e helmimit të shtetases ruse dhe është e hapur për çdo komunikim me kolegët shqiptarë lidhur me këtë çështje”.

Qëndrimi i Tiranës

Ministrja e Jashtme, nëpërmjet një reagimi të zëdhënëses Edlira Prendi ka dënuar ngjarjen e ndodhur më 4 mars në Salisburi të Britanisë së Madhe, duke iu bashkuar kështu qëndrimit të mbajtur nga ana e Bashkimit Europian, si dhe SHBA-së. Por cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare që solli dhe reagimin e Moskës? Gjurma.al, po e  boton të plotë reagimin e Ministrisë së Jashtme. “Në përgjigje të interesit publik, zëdhënësja e ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edlira Prendi deklaron se, Shqipëria dënon ashpër sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe më 4 mars 2018.

Si shtet palë në Konventën mbi Armët Kimike, Shqipëria dënon çdo lloj sulmi kimik nga aktorë shtetërorë ose jo, dhe i konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare që minojnë rendin ndërkombëtar dhe venë në rrezik jetët e qytetarëve.

Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj dhe përshëndet angazhimin e Britanisë së Madhe për të punuar ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në mbështetje të hetimit të sulmit  si dhe për identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.

Pikërisht, termi i përdorur në këtë deklaratë “ agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar në Rusi…”, duket se është shkaku u përplasjes së re mes Kremlinit dhe Tiranës. Rusia e mohon kategorikisht implikimin në këtë vrasje, madje thekson se agjenti nervor është prodhuar në shtete të tjera dhe jo në shtetin e saj. Gj.B

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *