ILDKP, institucioni i dështuar që duhet shkrirë

Opinion

Na është bërë e zakontë të shohim përditë në televizor live shkarkime gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët nuk kalojnë dot procesin e Vetingut. Është lemeri të mendosh se njerëzit e drejtësisë që e kanë kaluar deri më sot Vetingun numërohen me gishta. Jo se nuk e prisnim, por gjithsesi kur faktohet një përshtypje e përgjithshme, gjithmonë është shokuese.

Megjithatë, të paktë janë ata që mund të kenë vënë re një detaj, i cili, për mua, është edhe më ulëritës në gjithë tollovinë që po shkakton reforma në drejtësi në Shqipëri. E kam fjalën për togfjalëshin me të cilin shoqërohet shkarkimi nga detyra e çdo gjyqtari a prokurori që “ngec” në rrjetën e Vetingut: “…gjyqtari filan apo prokurorja fistek nuk justifikoi pasurinë e vendosur ndër vite…”.

Që pasurinë miliona euroshe nuk do mund ta justifkonin dot as magjistarët Herri Hudini apo David Koperfilldi nëse do paguheshin me 1 mijë euro në muaj, kjo s’do mend as kalem. Shqetësimi që lind këtu është se si është e mundur të Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, i cili funksionon në Shqipëri që nga viti i largët 2004, i krijuar me qëllim kontrollin e zyrtarëve që majmen nga taksat tona dhe korruptohen më lehtë se edhe qeni kur i ofron një ëmbëlsirë, paska dështuar në verifikimin e pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

E nuk po flasim për pasuri të pakta, por miliona euroshe, që bien në sy kollaj, që s’duan as verifikimin më të vogël për të kuptuar se janë para korrupsioni.

Atëherë, si ka mundësi që ILDKP prej 14 vjetësh nuk ka denoncuar asnjë gjyqtar e prokuror, i cili më pas të jetë dënuar për fshehje të pasurisë, e ndërkohë Vetingu, prej pak muajsh, ka shkarkuar gati 90% të sistemit tonë të kalbur të drejtësisë!?

Dy përgjigje: e para, ose ILDKP duhet pranuar se është një institucion më së paku i paaftë, që s’ka as mundësi, as mjete, as dëshirë për të bërë detyrën e ngarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë prej vitit 2004; së dyti, ose duhet shkrirë fare sepse nuk i hyn në punë më as dreqit!

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *