Intervista/ Meta: Të shmangim polemikat para hapjes së negociatave

Politikë

Gjurma 24/04/2018

Presidenti Ilir Meta kërkon shmangien e polemikave të panevojshme të klasës politike dhe përqendrimin tek procesi i integrimit. “Të shmangim çdo lloj polemike e të përqëndrohemi në objektivin e integrimit europian”, thotë kreu i shtetit.

Duke folur nga Përrenjasi, Meta kërkoi më shumë përpjekje për përmbushjen e pesë prioriteteve, ndërsa ndan bindjen se vendi i ka të gjitha mundësitë për hapjen e negociatave.

Zoti Meta jemi në prag të negociatave të Bashkimit Evropian, dhe shohim një skepticizëm të vendeve të rëndësishme si Franca dhe Gjermania. Cili është komenti juaj për këtë: sa shanse ka Shqipëria?

Presidenti Meta: Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Duket se ka një konflikt mes Bashës, Ramës dhe përfaqësuesit të Gjermanisë në lidhje me këtë çështje?

Presidenti Meta: Mendoj se në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare.

Zoti President, si e vlerësoni ju këtë investim nga qeveria turke për institucionet arsimore, por edhe bashkëpunimin midis dy vendeve?

Presidenti Meta: Si President dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm të “TIKA-s” në të gjithë vendin dhe të falenderojmë qeverinë e Turqisë për këtë mbështetje. Dhe së dyti, dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë dhe Ambasadorin turk që pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta.

Kështu që edhe njëherë do të falënderoja Ambasadorin dhe “TIKA-n” për çdo punë të shkëlqyer që kanë bërë!

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *