Ish – deputetja socialiste kundër arrestimit të mjekëve nga policia: Po bëni një dëm të pallogaritshëm

Kryesore Politikë Sociale

 

Ish-deputetja socialiste, Ledi Shamku ka reaguar mbi arrestimet e disa mjekëve dhe infermierëve gjatë kësaj jave në qytetin e Shkodrës. Nëpërmjet një komenti në facebook ajo e konsideron të papranueshme arrestimet e mjekëve, duke theksuar se po bëhet një dëm shumë i madh.

Statusi i plotë

PËR MJEKËT!

 

Nuk jam mjeke, por kam qenë vetë paciente e poashtu kam pasë të afërm pacientë, në luftë për jetën apo për cilësinë e saj. Kaq besoj ma jep të drejtën, edhe pa qenë mjeke, të them sa më poshtë në lidhje me arrestimin e mjekëve të Shkodrës:

 

Po bëni një dëm të pallogaritshëm me ato arrestime! Jo veç mbi mjekët e prekur përsëdrejti, por mjerisht mbi çdo mjek në Shqipëri, edhe mbi ata që ende s’e kanë veshur bluzën!!! Duhet ta dini sa të madh po e bëni dëmin duke ua treguar birucën mjekëve për kësi “shkeljesh”.

 

Mjekësia, zotërinj prokurorë, nuk është një shkencë bardhë e zi, e tipit 2+2=4. Mjekësia është punë zemre e truri bashkë; truri i vetëm nuk të bën dot mjek. Ka raste kur truri dhe dijet që ke marrë të thonë se një pacient nuk shpëton dot, pra nuk ia vlen rreziku ta operosh apo ta kurosh duke tentuar mrekullinë. E pikërisht në ato raste ndërhyn zemra e mjekut, ndërhyn kuraja e tij e cila bëhet bashkë me mendjen në emër të jetës dhe e shndërron mjekun në “dorën e Zotin mbi dhè” siç shprehen shpesh pacientët e mrekulluar. Jo gjithnjë ja dalin mjekët, por ja dalin të dalin mbi frikën e vet të përgjegjësisë, duke marrë në sy rrezikun vetjak. Këta janë mjekët, zotërinj prokurorë!

E nëse juve iu kërkëllisni para fytyrës çelsat e burgut për hiçmosgjë, u keni marrë atyre zemrën, duke u lënë vetëm mendjen. E cila biologjikisht e njeh stepjen dhe frikën, ndryshe nga zemra!

 

Tash a e kuptoni dëmin që na keni bërë të gjithëve? Nuk e di a e ka shkodranishtja mallkimin “t’operoftë nji mjek me mend po pa zemër”, por n’mos e pastë duhet me e shpikë për ditë si kjo!

 

Ejani n’vete!

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *