Ish-krahu i djathtë i Llallës në Vetting, s’i pranojnë motrën ndihmëse, ‘sherr’ me vëzhguesin (Debati i plotë)

Kronike

Rovena Gashi, ish-drejtuese e njësisë për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme e njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dalë sot para trupës së Kolegjit të Apelimit duke kërkuar rrëzimin e vendimit dhe rikthimin në detyrë. Seanca e parë u shty për shkak se Kolegji nuk pranoi që Rovena Gashi të asistohej nga motra gjatë procesit. Sipas Kolegjit, Rovena Gashi mund të mbrohet vetëm me avokat dhe jo ndihmësse, asistente gjatë procesit.

“Subjektet e rivlerësimit mund të zgjedhin avokat ose mbrojtës por jo asistent apo ndihmës. Rovena Gashi ftohet të zgjedhë një avokat nëse do” tha kryetarja e trupës Albana Shtylla. Ndërsa motra e Rovena Gashit, Ema akuzoi Kolegjin se e filloi procesin në shkelje. Ajo u shpreh se ligji i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe kodi i procedurës administrative e parashikon asistentin në proces. Ndërkohë që gjatë seancës pati replika edhe me përfaqësuesin ndërkombëtar të OMN-së.

Vëzhguese sot ishte përcaktuar për të qenë Mia Rozing, por për shkak të probleme shëndetësore, në seancë ishte paraqitur Teo Jacobs, i njohur tashmë si ‘makthi’ i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në vetting. Ema Gashi tha se nuk janë njoftuar për zëvendësimin, ndërsa Teo Jacobs replikoi duke u përgjigjur se “këtu përfaqësoj OMN-në”. KPK-ja në 25 korrik të vitit të kaluar e shkarkoi Rovena Gashin me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë.

KPK ngriti dyshime për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit (lexo ketu të plotë). Seanca e radhës do të jetë në datë 23 prill, ndërsa pritet që të shikohet nëse Rovena Gashi do të ndryshojë qëndrim duke pranuar motrën si avokate dhe jo si asistente, apo do të marrë një tjetër avokat. Përplasjet gjyqësore duket se sapo kanë filluar mes palëve…

Rovena Gashi, avokatja e saj dhe vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jacobs
Diskutimi në seancën e Kolegjit të Apelimit
Rovena Gashi: Do të asistohem në proces nga Ema Gashi
Albana Shtylla: Është edhe e afërmja juaj?
Rovena Gashi: Po, është motra ime, gjyqtare në Durrës
Ema Gashi: Jam gjyqtare në Durrës. Dhe vajza e babait tonë që i keni bërë vetting prej një dekade pa qenë fare subjekt i ligjit. Me email na është thënë se përfaqësues do të jetë nga OMN-ja Mia Rozing.

Po ashtu për arsye shëndetësore na është thënë se nuk është dot e pranishme sot për arsye shëndetësore. Në mënyrë të papritur këtu shohim së është Teo Jacobs. Ka ndonjë akt për zëvendësimin e përfaqësuesit të OMN-së në këtë proces? Në çfarë cilësie e zoti Teo Jacobs është këtu?

Teo Jacobs: Emri im nuk është mia por Teo dhe këtu përfaqësoj OMN-në. Kolegia ime është e sëmurë në shtëpi dhe roli im është që të monitoroj dhe të ndjek këtë seancë.
Ema Gashi: E kuptuan që nuk paska një vendim të ONM-së për zëvendësimin e Mias me Teo Jacobs
Kreu i trupës, Albana Shtylla: Do të doja të limitoheni në vijimin e diskutimit pas vendimmarrjes dhe kërkesës paraprake që paraqiti vëzhguesi.
Ema Gashi: Kur ka një përfaqësues tjetër me vendim dhe nuk ka një vendim zëvendësimi me Jacobs në kërkojmë të shpreheni nëse do të më legjitimoni mua si ndihmëse.
Rovena Gashi: Jam dakord me kërkesat e bëra nga motra

Trupa tërhiqet për vendim
Kolegji i Apelimit: Nuk pranohet kërkesa e Ema Gashit për të ndihmuar si asistente motrën e saj, Rovena Gashi në seancën gjyqësore në Kolegjin e Apelimit. Subjektet e rivlerësimit mund të zgjedhin avokat ose mbrojtës por jo asistent apo ndihmës. Rovena Gashi ftohet të zgjedhë një avokat nësë do.

Reagimi i motrës së Rovena Gashit pas refuzimit nga Kolegji
Kolegji e filloi punën me shkelje, i hoqi të drejtën e ndihmësit. Unë jam, motra, nuk mund të legjitimohem në cilësinë e ndihmëses së saj. Argumenti ishte se në rastin e shqyrtimit, nuk gjen zbatim neni 39 i kodit në lidhje me ndihmësin. Por urdhëroni, po tregoj ligjin para kamerave, pasi Kolegji u tërhoq për të marrë vendimin pa na kërkuar mendimin, nëse do të bënte një problem. Iu lutem t’iu shpjegoj.

Neni 47 për rivlerësimin thotë ‘gjatë procesit të rivlerësimit subjektit i garantohen të drejtat e garantuara nga kodet e procedurës administrative, ndër to edhe neni 39 dhe 40. Në këto nene thuhet ‘kushtet janë që duhet të jetë mbi 18 vjeç dhe nuk duhet t’i jetë hequr zotësia. Ndihmësi është i parashikuar.

Kolegji referoi te kodi i procedurës administrative, por neni 96 thotë që në cilësinë e përfaqësuesit. Nuk kemi përse të zgjedhim avokat, përsa kohë ligji i ka dhënë të drejtë për të zgjedhur ndihmësin. Unë do të jem deri në fund, ligji e parashikon. E gjithë familja është prekur nga ky proces i padrejtë. Ne do të shprehemi hap pas hapi.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *