Type to search

Kronike Kryesore Lajme

Ja emrat e të gjithë të zhdukurve në Vlorë

Ndaje

Pas denoncimeve për 22 persona të zhdukur në Vlorë gjatë tri viteve të fundit, prokuroria e këtij qyteti ka regjistruar në hetim katër dosje penale.

Të dhënat e policisë së Vlorës të siguruara zyrtarisht nga Ora News, tregojnë se për 14 prej këtyre personave nuk ka asnjë adresë, ndërkohë që për tetë të tjerë ka të dhëna konkrete për vendndodhjen e tyre.

Sipas sistemit TIMS, Majlinda Koçi e larguar më 5 mars 2018, figuron në TIMS në Greqi, ndërsa dyshohet se vuan nga çrregullime mendore.

Po kështu, sipas sistemit TIMS, Shpëtim Pasha, i larguar në 2015, figuron se ndodhet në Itali.

Për shtetasin Saimir Pashaj, i zhdukur në 2 nëntor 2018, dyshohet se ndodhet i arrestuar pasi është dënuar disa herë për vjedhje.

Referuar të dhënave nga sistemi TIMS, edhe shtetasja Teuta Pasha, e larguar më 2015, figuron se ndodhet në Greqi.

Një emër tjetër në listë është ai i Edmond Durmishit, i larguar nga spitali Psikiatrik, i cili është kthyer ne banesën e familjes së tij në Memaliaj.

Edhe shtetasi Eduard Habibi, i larguar në 19 maj 2018, sipas policisë është rikthyer në banesë.

Një tjetër person në listën e të zhdukurve, Fatos Sulaj, i larguar më 1 qershor 2018, dyshohet se ndodhet në Greqi.

Prokuroria po heton si vrasje rastin e Albano Xhaferrit, pas dëshmisë në policinë e Fierit nga Gazmir Merkaj, i cili ka rrëfyer përfshirjen e tij në planet për rrëmbimin dhe ekzekutimin e 32-vjeçarit nga Vlora.

Në hetim është edhe rasti Elvis Troqe, ku policia ka arrestuar pronarin e mjetit me të cilin është larguar 24-vjeçari.

Besart Zharra gjendet aktualisht në ambjentet e paraburgimit të Vlorës, ku fillimisht ka mohuar që makina në kamera të jetë në pronësi të tij.

I pyetur më pas për automjetin me targa AA 730 JO , Zharra ka thënë se nuk e njeh Elvis Troqen dhe se nuk i ka ndryshuar asgjë automjetit nga dita kur e ka blerë.

Por nga imazhet e gjetura në telefonin e tij personal, rezulton se makina ka pasur karakteristika të njëjta me ato të fiksuara nga kamerat e sigurisë në momentin e rrëmbimit të Elvis Troqes.

Prokuroria aktualisht është duke administruar aktekspertimin e materialeve gjenetike të gjetura në automjet, ndërsa Besart Zharra është lënë nga Gjykata e Apelit në burg, për veprën penale “të rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit, në bashkëpunim”.

Rasti i tretë në hetim është ai i Adrian Jahos dhe Ariseldo Mazes, të cilët janë larguar në det nga Durrësi mëngjesin e 7 korrikut të 2017-tës.

Të dy shtetasit e zhdukur janë proceduar më parë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Një dosje më vete është regjistruar edhe për rastin e Leonard Mehmetit, i njohur me pseudonimin Nani. Kontaktet telefonike të këtij personi, tregojnë si vendndodhje të fundit Shijakun.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, nga 22 personat e denoncuar të zhdukur, vetëm 5 rezultojnë se kanë qenë të skeduar me narkotrafikun.

Në hetim është edhe rasti i të larguarit nga banesa Gestian Çollaku, por ky i fundit dyshohet se i fshihet drejtësisë, pasi është shpallur në kërkim për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. ORA NEWS

Loading...

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *