Kalon vetingun kandidati për kryeprokuror Olsian Çela. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë
KPK ka konfirmuar në detyrë kandidatin për kryeprokuror, Olsian Çela, aktualisht me post prokuror te Krimet e Rënda.
“Trupi gjykues pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e verifikimit zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancën e datën 19 korrik 2019 në respektim të të drejtave të tij për një proces të rregullt ligjor e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Në konkluzion të këtij procesi rivlerësimi, trupi gjykues i përbërë nga unë Lulzim Hamitaj, kryesues, Olsi Komici, relator dhe Brunilda Berkteshi anëtare, vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Olsian Çelën,”-tha kryesuesi i senacës Hamitaj.
Vendimi u prit me duartrokitje nga kolegët e Çelës. Prokurori doli para komisionit të vettingut më 19 korrik.
I shortuar me përparësi për shkak të kandidimit Çela, u verifikua për të tre kriteret pasurinë, integritetin dhe aftësisë profesionale.
Olsian Çela, njëherazi rivali kryesor i Arta Markut në garën për Prokuror të Përgjithshëm u hetua në të tre kriteret, ndërsa iu bënë pyetje kryesisht mbi hetimin e një çështje të vitit 2006, për të cilat kishte dyshime se nuk ishin kryer të gjitha veprimet.
“Ne jemi vend i varfër, nuk i kemi mundësitë të vendosim burimet e duhura financiare dhe njerëzore për të arritur sukses në hetime”, tha Çela përmbledhtazi, ndërsa i shpjegoi KPK-së se përtej bindjes së tij të brendshme, hetimet në atë rast kishin dështuar të provonin fajësinë e personave të përfshirë. Ai tha se në atë rast kishte pasur mungesë vullneti për bashkëpunim nga policia, gjë që e cilësoi si problem sistematik.