Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin e vetëvrasjes së pacientit 60 veçarit pak pas mesnatës së 29 nëntorit duke u hedhur nga kati i dytë i spitalit covid “Shefqet Ndroqi”
Ndërsa policia mësohet se ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit dhe ka marrë në pyetje mjekët e turnit për të zbardhur ngjarjen.
Verifikime janë duke u kryer dhe nga prokuroria jo vetëm për rastin e kësaj të hënë, por dhe për 4 rastet e tjera.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se për të vetmin rast që janë ndërprerë hetimet ka qenë vetëvrasja e 65-vjeçarit Hasan Mira nga Klosi, pasi nuk është konstatuar pakujdesi në mjekimin e pacientit.
Këtë të hënë në spitalin Covid-2, të gjithë shtretërit janë të ezauruar, ndërsa 2 ambulanca qëndrojnë jashtë me pacientë të infektuar.
Rasti i sotëm
Një 60-vjeçar i infektuar me koronavirus është vetëflijuar mëngjesin e të hënës (30 nentor) në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Pacienti nga qyteti i Kurbinit po kurohej në këtë spital prej dy ditësh. Në një reagim të tyre, drejtuesit e Senatoriumit thonë se rasti po hetohet, ashtu si edhe 4 rastet e mëparshme.
Një 60-vjeçar është pacienti i 5 i infektuar me Covid-19 që vetëflijohet nga ambientet spitalore.
Ai ndodhej i shtruar prej dy ditësh në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Leonard.S nga Kurbini ndërmori aktin e rëndë pas mesnate, rreth orës 00:30, të 30 nëntorit, duke u hedhur nga dritarja e dhomës e katit të dytë të spitalit Covid-2 në Tiranë.,
Pacienti ishte infektuar prej 10 ditësh, ndërsa më datë 28 nëntor është sjellë për të marrë ndihmën mjekësore.
Pas shtrimit të tij në spital, bluzat e bardha mësohet se kanë kryer ekzaminimet imazherike, ndërsa pacienti ka marrë mjekimin në pavionin e urgjencës.
Burime spitalore bëjnë me dije se 60-vjeçari jetonte i vetëm dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Kjo konfirmohet dhe nga të njohurit në qytetin e lindjes.