KLD i rrëzoi vendimet, Gjonaj: Kjo dita më e zezë. Ja gjyqtarët që i shpëtuan ndëshkimit

Kronike shtojca

Gjurma 8 Maj 2018

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar ashpër ndaj refuzimit në bllok që Këshilli i Lartë i Drejtësisë i bëri kërkesave të paraqitura për shkarkim apo procedim disiplinor për disa gjyqtarë.

Ashtu si dhe në mbledhjen e mëparshme, KLD-ja në ditët e fundit të funksionimit të saj, vazhdon të rrëzojë në bllok çdo propozim për procedim apo shkarkim, duke u intepretuar në mënyrë indirekte si një reagim “hakmarrës” ndaj procesit të Vettingut të nisur te togat e zeza.

Pikërisht dje radha i erdhi propozimeve të ministres Gjonaj për tre gjyqtarët për t’u rrëzuar.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të gjykatës së Durrësit, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, la të lirë dhe mundësoi kështu arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kërkohej nga shteti italian për ekstradim.

KLD refuzoi të shkarkonte një gjyqtar, i cili në mënyre diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, për shkak të mos arsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj, të ndjerës Liljana Ruka.

KLD refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës Administrative, Vlorë, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë. 85 prej këtyre vendimeve janë arsyetuar përtej një afati pesëmujor nga data e shpalljes dhe disa prej tyre edhe pothuajse me një vit vonesë, duke cenuar rëndë interesat e qytetarëve të përfshirë në proceset e mbetura në dorën e këtij gjyqtari me veprime haptazi të papërgjegjshme”, deklaroi Gjonaj para mediave.

Ndërsa ministrja nuk ngurroi që ta cilësonte mbledhjen e KLD-së si ditën më të errët të këtij institucioni. “Vendosa t’i ndaj këto informacione drejtpërdrejt me publikun, bashkë me shprehjen e indinjatës sime qytetare e profesionale, për vendimmarrjen e pajustifikueshme të shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë! KLD si një organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve, dhe është kthyer në një strukture mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik. Një arsye më shumë për ta vazhduar me vendosmëri reformimin rrënjësor të sistemit aktual të drejtësisë dhe për t’u ndarë me thikën e operacionit të spastrimit të sistemit, nga kasta e korruptuar që e ka mbajtur atë peng për më shume se një çerek shekulli!”, theksoi Gjonaj.

Kush janë gjyqtarët që i shpëtoi KLD

Gjonaj i propozoi KLD-së që të jepej masa disiplinore për gjyqtarin e Durrësit, Petraq Currit, pasi nuk pranoi esktradimin e shtetasit Taulant Hatija, një shumë i kërkuar nga Italia, i njohur me nofkën “Zot i Drogës”.

Ergys Selmani është gjyqtari i Fierit i cili me vendimin e dhënë nuk u realizua mbrojtja e Liliana Rukos, nëna e dy fëmijëve që u vra barbarisht nga bashkëshorti i saj,  duke u hedhur nga kati i katërt i banesës. Një tragjedi që erdhi si pasojë edhe këtyre vendimeve të gjykatës.

E në fund, ministrja përmendi gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima, gjyqtar në Gjykatën Administrative në Vlorë, me plot 212 vendime të arsyetuara me vonesë, 85 janë arsyetuar përtej afatit 5-mujor nga data e shpalljes duke cenuar në mënyrë të rëndë interesat e qytetarëve në proceset gjyqësore.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *