Komisioni parlamentar grek pro marrëveshjes për njohjen e patentave shqiptare

Kryesore Lajme Politikë Slider kryesore

Komisioni i Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek miratoi të mërkurën Projektligjin e Ministrisë greke të Infrastrukturës dhe Transportit për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Parlamentit grek deputetët e Komisionit votuan me shumicë votash ratifikimin e marrëveshjes mes të dy vendeve që u paraqit në Komision nga Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Joanis Qefalojanis.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga Ministrat e atëhershëm të Jashtëm Ditmir Bushati, dhe Nikolaos Kocias në maj të vitit 2018, por që të hynte në fuqi duhet të ratifikohej nga Parlamenti grek.

Autoritetet greke nuk kanë dhënë motive për vonesat, por më në fund pas gati dy vitesh Komisioni Parlamentar grek ka hapur dritën jeshile që projektligji të kalojë në seancë parlamentare. Njohja e ndërsjelltë e lejeve të drejtimit pritet të lehtësojë lëvizjen e shtetasve shqiptarë dhe grekë dhe sidomos të dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Autoriteti i Transportit Rrugor shqiptar duke iu referuar marrëveshjes ka pohuar se “shtetasit shqiptarë që zotërojnë leje drejtimi, model i lëshuar nga 1 korriku i vitit 2005, ose ata që janë të pajisur me formatin që ka nisur të shpërndahet nga 24 janari i vitit 2017, mund të drejtojnë automjetin e tyre edhe në territorin grek”.

Marrëveshja për lejet e drejtimit parashikon gjithashtu edhe procesin e konvertimit të lejeve të drejtimit. Sipas marrëveshjes “qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e testeve teorike dhe praktike për marrjen e lejes greke të drejtimit”.

Sipas Marrëveshjes “qytetarët shqiptarë do të dorëzojnë lejen e drejtimit, marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke pasur mundësinë, të qarkullojnë si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.

Marrëveshja parashikon që në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin qëndrimin normal në territorin grek, ata mund të konvertojnë lejen shqiptare të drejtimit në atë greke duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit në shtetin grek.

Kjo procedure, sipas marrëveshjes, bëhet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorive specifike. Autoriteti rrugor shqiptar ka pohuar se konvertimi i lejes së drejtimit vlen edhe për shtetasit grekë që vendosin qëndrim në Shqipëri. Lajmi eshte bere i ditur nga Glevin Dervishi, ish-keshilltari i ministrit te Jashtem, Ditmir Bushati.

Postimi i plote i Dervishit

Mekanizmi 🇦🇱🇬🇷 i cili përbënë dhe angazhimin diplomatik dypalesh më të gjatë dhe intensiv po sjell drejt përmbylljes edhe të ratifikimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të patentave/lejeve të drejtimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikēs së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke.

Një proces ky i nisur që në 18.12.2012 por i nënshkruar në 11 maj 2018 në Ministerialin e Sunios mes dy ish Ministrave Bushati – Kotzias dhe që sot është miratuar në Komisionin e Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek.

Pas marrëveshjes për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit të realizuar në maj 2014, në 27 shkurt 2018 Republika Greke depozitoi në Hagë heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile nga ana e Shqipërisë për dokumentet që lëshoheshin nga autoritetet shqiptare për përdorim në Greqi.

Gjithashtu në prill 2018 arritëm që të realizojmë regjistrimin pranë zyrave tona konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose të dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi në Greqi.

Tashmë përmbyllja e ratifikimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të patentave do të shënonte një tjetër arritje dypalëshe nga shporta e çështjeve të së tashmes mes dy vendeve tona si dhe një lehtësi të jashtëzakonshme për komuntetin tonë në  Greqi.

No photo description available.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *