Type to search

Kosovë Kryesore Rrotull

Kosova krijon Ushtrinë, Vuçiç kërkon mbledhje të Këshillit të Sigurimit

Ndaje

Me shumicë votash, parlamenti i Kosovës miratoi tri ligje: atë për ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për shërbimin në këtë forcë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë.

Votimi i sotëm u cilësua historik nga përfaqësuesit politik të Kosovës por edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett i cili pak para votimit tha se “se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij të sigurisë, marrëdhëniet paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e saj, por edhe nga forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura.

Menjëherë pas votimit, ambasada amerikane lëshoi një komunikatë në të cilën theksohet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës. Votimi i sotëm në parlament është hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti. Këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por, përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të qeverisë së Kosovës.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për tu angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakicë tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar. Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë. Të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë Kosovës duhet t’i mbështesin dhe t’i nxisin qytetarët e komuniteteve pakicë të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe ne rajon.

Stabiliteti rajonal kërkon që Kosova të bëjë përpjekje të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë, dhe i nxisim të dy palët që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në dialog. Qëllimi për të arritur një marrëveshje të leverdishme për të dy palët që do të rrisë paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu paraqet përparësinë më të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve që t’i ri-përqendrojnë energjitë e tyre dhe të angazhohen në mënyrë serioze dhe konstruktive për arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i dhanë mbështetje votimit të sotëm, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, shprehu keqardhjen për votimin e sotëm në parlamentin e Kosovës “me gjithë shqetësimet e shprehura nga NATO-ja”

“Ndonëse tranzicioni i Forcës së Sigurisë është në parim çështje e Kosovës që të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se kjo po ndodhë në një kohë të papërshtatshme. NATO-ja e mbështetët zhvillimin e Forcës së Sigurisë në mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli Veri-atlantik duhet të shqyrtojë shkallën e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

Ai tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar nëpërmjet KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe qëndrueshmërinë gjithandej Ballkanit Perëndimorë.

“Të gjitha palët duhet të sigurohen që vendimet e sotme të mos shtojnë më tej tensionet në rajon. Të gjithë përgjegjësit politik në rajon duhet të jenë të përqendruar në përparimin në reforma dhe në dialog. E ritheksoj thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga cdo veprim apo deklaratë që mund të çojë në përshkallëzim. NATO-ja vazhdon të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, si zgjidhje e vetme afatgjate për rajonin”, thuhet në deklaratën e sekretarit Stoltenberg.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se BE-ja ka mendimin e njëjtë me NATO-n që “mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë t’u përmbahet detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, theksoi ajo.

Pak pas votimit presidenti i Kosovws, Hashim Thaçi, tha se “Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës. Pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Në Kuvendin e Kosovës, me shumicë absolute, përtej dallimeve politike, si rrallëherë të zgjedhurit e popullit miratuan pakon ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Si shoqëri dhe shtet e kemi dëshmuar se jemi të guximshëm, të përgjegjshëm dhe dimë të qëndrojmë të bashkuar për t’i mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit”.

Vendimi per krijimin e ushtrise u pershendet njezeri nga udheqesit e larte te shtetit shqiptar, presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, si dhe lideri i PD, Lulzim Basha.

Presidenti serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia ka kërkuar mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të vendimit të parlamentit të Kosovës për themelimin e ushtrisë.

Pasi kishte qëndruar që nga mbrëmë në afërsi të kufirit me Kosovën për të vizituar trupat e tij, ai e cilësoi të premten mbrëma vendim të paligjshëm votimin në parlamentin e Kosovës dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar e Gjermaninë për mbështetjen ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Ai tha se diplomatët e huaj thonë se Kosova është sovrane dhe ka të drejtë, por tha ai, edhe në bazë të kushtetutës së atij “shteti” vendimi është i paligjshëm.

Ai tha se kjo është në kundërshtim me frymën e bisedimeve dhe shqiptarët dhe ata që e kanë mbështetur këtë vendim, e kanë rrezikuar paqen dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimorë dhe për këtë arsye Serbia ka këkruar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Jam i gatshëm që si president personalisht të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe shpresoj që këtë ‘të mëdhenjtë’ e botës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk do t’ia shkurtojnë mundësinë një Serbie të vogël që të thotë faktet se si shkelet e drejta në Ballkanin Perëndimorë dhe çfarë rreziqesh kanë prodhuar me vendimet e tyre”, tha ai.

Ai tha se serbët në Kosovë nuk duhet të brengosen sepse Serbia nuk do të lejojë askënd që t’i përndjekë ata. “Çdo keqpërdorim i ushtrisë së tyre dhe hyrje atje ku hyrjen e kanë të ndaluar në pajtim me marrëveshjen që Serbia ka arritur me NATO-n, pra pa pajtimin e popullatës lokale, nuk ka hyrje të formacioneve të armatosura në veriun e Kosovës dhe nëse ju sulmojnë, Serbia do të ketë fuqi t’ju mbrojë”, tha ai.

Presidenti serb ritheksoi se nuk do të ketë bisedime derisa Kosova nuk tërheq tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, një vendim që qeveria e Kosovës e vendosi më 21 nëntor si kundërpërgjigje ndaj siç është thënë, fushatës agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovë. Marre nga Zeri i Amerikes

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *