Kosove/ Ushtria e detyrueshme për të gjithë, reagime ndaj idesë së Albin Kurtit

Kosovë Rrotull

Kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë seancës kur pritet të votohet qeveria e tij, tha se edhe shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për të gjithë qytetarët.

Nga deklaratat se do të jetë një qeveri e kursimeve dhe me rritje të buxhetit deri në 3 miliardë euro, Kurti ka treguar edhe diçka që nuk është praktikuar asnjëherë në Kosovë.

Ai tha se gjatë qeverisjes së tij shërbimi ushtarak do të jetë i obligueshëm për të gjithë qytetarët.

“Shërbimi ushtarak në qeverisjen tonë do të jetë i obligueshëm. Shërbimi do të jetë tremujor dhe të angazhuarit do t’i ndihmojnë FSK-së që të përmbushë detyrat dhe misionin e saj të sigurisë”, ka thënë mes tjerash Kurti, teksa lexonte edhe pikat tjera të programit të përbashkët me LDK-në, me të cilat pritet ta udhëheqin vendin.

Ndërsa për këtë vendim të Kurtit e koalicionit qeverisës LVV-LDK, ka folur edhe ministri aktual i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se mbetet të shihet në 3-4 muajt e ardhshëm e të qartësohet më mirë kjo çështje.

Megjithatë ministri Berisha thotë se Ushtria edhe tani është barrë buxhetore për vendin.

“Unë nuk mundem t’i komentoj deklaratat e të tjerëve. Sigurisht që ky është zotim i tij dhe i partisë që i ka fituar zgjedhjet. Mbetet të shihet se si mendon të organizojë këtë, por ne e dimë që ushtria është barrë për buxhetin e Kosovës edhe realisht të gjitha ushtritë po shkojnë drejt një mbrojtje kolektive, të zgjuar që me pak mjete, me pak arsenal edhe municion, që ta kryejnë ta kenë efektin dhe ta luajnë rolin dhe t’i kryejnë kompetencat e obligimet që i kanë të parapara”, tha Berisha për FaktePlus.

Tutje ministri shtoi se FSK-ja si e këtillë është në rrugë të mirë për t’i kryer detyrat e obligimet e saj.

“Unë mendoj që FSK-ja është në rrugë të mirë për me i kryer detyrat dhe obligimet e saj. Mendoj se në aspektin e barrës buxhetore e standardit jetësor është sfiduese”, tha Berisha.

Kujtojmë se sikur LVV edhe LDK-ja kishte propozuar më herët një gjë të tillë, duke thënë se kjo duhej të bëhej sipas modelit të Zvicrës./FaktePlus

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *