“Lajmet e rreme”, zv.ministri i Mbrojtjes: Rusia, rrezik për Ballkanin

Lajme Politikë

“Përdorimi i informacionit në kohën e ‘lajmeve të rreme” ishte tema e konferencës dy ditore të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi, e cila nisi punimet në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo konferencë e organizuar nga Komanda e Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, ka si qëllim trajtimin e një game të gjerë çështjesh të lidhura me evidentimin, vlerësimin dhe trajtimin e disinformimit, lajmeve të rreme dhe influencës, që ushtrohet në rajonet e lartpërmendura.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi gjatë fjalës së tij tha se, jemi vazhdimisht duke u ndikuar nga “shpërthimi” në rritje i mjeteve të komunikimit, të cilat edhe keqpërdoren, si në rastin e Rusisë dhe ndikimit që po mundohet të krijojë në Ballkanin Perëndimor.

“Në Ballkanin Perëndimor, lufta hibride po bëhet një kërcënim serioz për stabilitetin e vendeve tona. Rreziqe të tilla po ushqehen vazhdimisht nga prezenca e vazhdueshme e ndikimit rus, përmes disa mënyrave dhe mjeteve dixhitale, si Sputnik dhe jo vetëm dhe, për fat të keq, po marrin një mbështetje shumë të fortë nga disa nga vendet e rajonit, veçanërisht në Serbi dhe Bosnje-Hercegovina”, – tha zëvendësministri Koçi.

Zëvëndëskomandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO, gjenerallejtënant Christian Juneau tha se, lufta e ardhshme do të jetë më shumë një luftë informacioni se sa një luftë fizike.

“Të gjitha veprimet dhe fjalët krijojnë efekte informative në perceptimin e popullsisë, qoftë me qëllim apo jo. Këto efekte janë bërë edhe më komplekse nga mjedisi i sotëm i informacionit global, i cili nivelon fushën e lojës së komunikimit, fuqizon kundërshtarët asimetrikë dhe komplikon mesazhet për shkak të ndërlidhjes së audiencave të ndryshme dhe medias ‘në kohë reale’. Ka gjasa që lufta e ardhshme do të jetë një luftë informacioni sesa një luftë fizike. A është NATO gati për të? Kundërshtarët tanë të mundshëm përdorin informacionin dhe keqinformimin si një komponent kyç të luftës hibride”, – tha ai.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *