Leja prindërore e Gjin Gjonit, KLD: Keqardhje për deklaratën e ministres Gjonaj

Kryesore Politikë

Pas kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni për të marrë leja 2-vjeçare, ka reaguar Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Teksa i përgjigjet ministres së Drejtësisë Etilda Gonaj për deklaratat se kërkesa për Gjonin është pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme, KLD thekson se më datë 11 tetor 2018 u zhvillua mbledhje për çështjen në fjalë. “Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj”, thuhet në deklaratë. Gjonaj nga ana e saj akuzoi per vendimmarrje te fshehte, ku edhe vete gjyqtari Gjoni votoi pro.

Ndërkohë në një reagim për News24, gjyqtari Gjin Gjoni shprehet se kërkesa e tij për leje prindërore është brenda kornizës ligjore, dhe se kuorumi për vendimmarrjen ka qenë i plotë.
“Kuorumi për vendimmarrjen ka qenë i plotë dhe nuk është e vërtetë që votova për veten time. Nuk është hera e parë që KLD miraton leje të kësaj natyre” u shpreh gjyqtari Gjoni për News24, ndërsa tha se ministrja e Drejtësisë nuk ishte e pranishme në mbledhje. Ndër të tjera Gjoni e konsideroi deklaratën e ministres Gjonaj si nonsens dhe të pabazë.“Leja prindërore nuk e përjashton dhe nuk e shtyn vettingun” u shpreh  gjyqtari Gjin Gjoni.

DEKLARATA E KLD

Zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i është përgjigjur interesit të medias dhe pyetjes sonë në lidhje me deklaratën publike të Ministres së Drejtësisë, e cila kundërshtonte vendimin më të fundit të KLD-së “Për miratimin e Lejes prindërore për gjyqtarin Gjin Gjoni”.

Mbi këtë dekaratë ai sqaroi se: Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy cështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese KLD ka vendosur: “Të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, shprehim keqardhjen për pasaktësitë në përmbajtjen e saj, pasi së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj. Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj.

Është i pavërtetë gjithashtu dhe deklarimi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka patur kuorumin e nevojshëm për vendimarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar. Gjithashtu sqarojmë se z.Gjin Gjoni, nuk ka marë pjesë në votimin e kësaj pike shtesë të rendit të ditës.

Në funksion të pyetjes suaj, sqaroj se, çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë, jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi përsa kohë ky organ do të jetë funksional.

Deklarata e ministres Gjonaj

Ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj e ka cilesuar si nje skandal nje vendimmarrje te tille, pasi nje kerkese e tille nuk ishte parashikuar ne mbledhjen e KLD-se. Me ane te nje deklarate per median ministrja e Drejtesise e cilesoi kete votim te paligjshem.

Në datën 11.10.2018 është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme të KLD me qëllim komandimin e një gjyqtari në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Korçë, për shkak të shkarkimit nga detyra të Kryetares aktuale me vendim të KPK me datë 10.10.2018.

Në rendin e ditës, që u njoftua vetëm disa orë përpara mbledhjes, në të cilën për shkak të harkut të shkurtër kohor të njoftimit, e bëri të pamundur pjesëmarrjen time në mbledhje si Ministre Drejtësie, ishin përcaktuar dy çështjet për të cilat do të merrej vendim: komandimin e një kryetari të ri për Gjykatën e Apelit Korçë dhe delegimin e disa gjyqtarëve sipas kërkesave të gjykatave të ndryshme.

Pas zbardhjes së procesverbalit të mbledhjes të datës 11.102018, vihem në dijeni se gjatë mbledhjes, në rendin e ditës është shtuar dhe një çështje e pa njoftuar më parë, lidhur me një kërkesë të gjyqtarit Gjin Gjoni “për leje prindërore për një periudhë 2-vjeçare”.

Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme është miratuar me votim nga anëtarët prezent të KLD-së, çka e bën shumicën e këtij institucioni edhe njëherë tjetër autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme.

Duke përfshirë në rendin e ditës, në fund të mbledhjes shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe duke vendosur miratimin e saj, me argumentin se është bërë me vajzë dhe do t’i duhet të bëjë shpesh vizita/udhëtime në shtetin gjerman, ku jeton familja e tij, KLD-ja është riafirmuar si mishërim i drejtësisë së vjetër klienteliste e të korruptuar.

Këto veprime të anëtarëve të KLD-së janë në shkelje të rëndë të rregullave procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Ky akt administrativ i KLD-së si një akt i ndërmarrë në procedurë të parregullt, është për rrjedhojë absolutisht i pavlefshëm.

Bazuar në legjislacionin në fuqi si dhe në praktikën e KLD, çdo kërkesë për përfshirjen e çështjeve shtesë në rendin e ditës, bëhet prezente, shqyrtohet dhe më pas votohet përpara se KLD-ja të nisë shqyrtimin e pikave të rendit të paracaktuar. Në këtë mbledhje që është një “déjà vu” e turpshme, kërkesa në fjalë është shqyrtuar në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes.

Për më tepër, bazuar në parashikimet ligjore, KLD mund të marrë në shqyrtim dhe të vendosë për çështje që nuk janë përfshirë në rendin e ditës, vetëm me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve. Në kundërshtim të hapur me këtë dispozitë dhe parashikimet ligjore të Kodit të Procedurave administrative, në mungesë të kuorumit të nevojshëm, madje duke përfshirë dhe votën e vetë Gjin Gjonit, i cili ka votuar për veten si kurrë më parë në historinë e saj, KLD-ja i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave.

Edhe më keq, vendimi haptazi i paligjshëm i KLD-së konstatohet dhe gjatë mbledhjes, pasi ai nuk i është nënshtruar sipas detyrimit ligjor, asnjë diskutimi lidhur me përmbushjen e kritereve ligjore, proceduriale dhe përmbajtësore, për pranimin e kërkesës.

Ministrja Gjonaj ne konference shtypi

KLD-ja në njoftimin që ka bërë për mbledhjen, ka botuar në faqen e saj vetëm dy vendimet që lidhen me komandimin e kryetares dhe delegimin e gjyqtarëve, duke mbajtur të fshehtë vendimin e marrë për gjyqtarin Gjin Gjoni, në një kohë që procesverbali i publikuar e tregon fare qartë vendimmarrjen e miratimit të “lejes prindërore”.

Eshtë e qartë se nuk është objekti i kërkesës, po vetëm Vetingu i padëshiruar, që e ka çuar anetarin e vetë KLD deri në këtë absurd!

Nisur nga përgjegjësia ime si Ministre e Drejtësisë dhe njëkohësisht si anëtare e KLD-së, do t’i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë, si absolutisht të pavlefshëm këtë vendimmarrje të marrë në shkelje të rëndë e flagrante të ligjit.

Në të kundërt, kërkesa do t’i drejtohet gjykatës për të anulluar këtë akt haptazi të paligjshëm si dhe Komisionit të Vetingut me një kërkesë publike për largimin nga gjyqësori të të gjithë atyre, që kanë ngritur dorën kundër ligjit.

KLD duhet të ndalë njëherë e mirë vendimmarrjet e paligjshme e cila bie ndesh me parimet e shtetit te se drejtes, legjislacionin ne fuqi dhe interesin e qytetareve.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *