Nga Andi Bushati
Ilir Meta edhe një herë ka bërë detyrën. Në kufijtë e skajshëm kohorë, ai i ka kthyer parlamentit ndryshimet ligjore në kuadër të paketës antishpifje, duke rakorduar qëndrimet e tij me ato të artikuluara në kor nga ndërkombëtarët.
Por, pavarësisht se Edi Rama me nismën e tij putiniano- erdoganeske për të tredhur mediat kundërshtare, bëri si kurrë ndonjëherë më parë kundër vetes faktorin ndërkombëtar, ndonëse ai ka përballë edhe gazetarët e lirë, edhe opozitën, edhe presidentin, ai nuk ka ndërmend të tërhiqet. Paketa anti shpifje pritet të votohet pa ndonjë ndryshim esencial.
Dhe kjo është në logjikën e gjërave. Sepse në një vend ku parlamenti është kthyer në një teatër kllounësh një ngjyrësh, ku bashkitë janë një koalicion i banditëve të rrugës me rilindjen, ku asnjë institucion i pavarur nuk ka mbetur në këmbë, ku edhe presidenti, ende i pakapur, është në procedurë shkarkimi, nuk mund të ëndërrosh për një media të pavarur. Sepse nuk ekziston asnjë regjim monist në botë që të bashkëjetojë me lirinë e shprehjes.
Edhe zhurma që po bëhet tani për dy nismat e fundit të Ramës, është pak e ekzagjeruar. Ajo është e tillë sepse regjimi po kalon nga një kapje okulte në një dhunë ligjore ndaj mediave.
Por, realisht liria e fjalës pothuajse ka vdekur me kohë. Ajo duket qartë në mosreagimin e pushtetit të katërt ndaj propagandës me kaseta të Erion Velisë. Ajo preket në transmetimet “pa çensurë” të ERTV. Ajo shikohet në shfaqjen e çdo mufke bajate të “bamirësit” Rama tek banorët e dërrmuar nga tërmeti, ndërkohë që nuk ka asnjë investigim serioz për vdekjen e paralajmëruar të atyre që u lanë të vriteshin në pallatet e Thumanës. Ajo është konkrete, po të sjellësh ndërmend mbylljen brutale të emisioneve si “Të paekspozuarit”, që u tregoi qytetarëve dy skandale të pushtetit brenda një sezoni të vetëm.
Mjafton të kujtosh se, për herë të parë brenda këtyre tre dekadave, të gjithë televizionet e mëdhenj janë shndërruar në shkarkuese të epsheve gojore të kryeministrit, për të kuptuar se në ç’pikë kemi arritur.
Të tërë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pa përmbysur regjimin e një njeriu të vetëm, nuk mund të kemi as media të lira, as institucione të pavarura dhe as drejtësi të ndershme dhe të barabartë për çdokënd.
Prandaj edhe reagimi i fundit i Metës, sa do i duartrokitshëm qoftë, sado në sinkron me interesin publik apo me vërejtjet e ndërkombëtarëve (poshtë) që të duket, nuk ka asnjë vlerë më shumë sesa mbajtja shënim dhe arkivimi i krimeve të këtij pushteti.
Në të kundërt, ai është edhe një dëshmi më tepër, se asnjë masë ligjore, asnjë akt demokratik, nuk mund ta ndalë makinerinë e së keqes që ka marrë rrugën e një pushteti autokratik. Për ta frenuar atë duhen zgjidhje të tjera.
Ndaj, deri atëherë nuk duhet të ushqejmë iluzionin se liria e medias mund të mbrohet në presidencë. ©Lapsi.al