Lista Serbe del nga Qeveria e Kosovës

Kosovë Kryesore Rajon shtojca

Lista Serbe ka marrë vendim që të dalë nga Qeveria e Kosovës. Këtë vendim e ka kumtuar kryetari i Listës, Goran Rakiq pas takimit që përfaqësuesit e këtij subjekti politik zhvilluan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Njëherësh, Lista Serbe, sipas tij, ka vendosur që gjatë muajit prill të themelojë në mënyrë të njëanshme Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për këtë hap, ai tha se Lista Serbe ka marrë edhe mbështetjen e Vuçiçit.

Të hënën në mbrëmje, Lista Serbe ka zhvilluar një takim ku është miratuar nisma për largim nga Qeveria e Kosovës. Vendimi i Listës pasoi zhvillimet në Mitrovicë pas arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga Policia e Kosovës.

Presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar të hënën në Beograd se u takon serbëve të Kosovës që të vendosin vetë për çështjen e largimit nga institucionet.

Sidoqoftë, ai është shprehur i gatshëm të bisedojë me ta, siç ka thënë ai “me gjakftohtësi”.

“Kjo është një ditë e rëndë për serbët në Kosovë në të cilën është parë më së miri fytyra e institucioneve të Kosovës. Në mënyrë brutale, me plumba në tytë, me shok-bomba dhe me goditje brutale mbi gratë dhe burrat janë sulmuar dhe rrahur përfaqësuesit legalë të popullit serb, ministra, drejtorë të zyrave, deputetë dhe kryetarë komunash”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Lista Serbe, ka një grup parlamentar prej 10 deputetëve, prej të cilëve, nëntë janë serbë dhe një nga komuniteti goran.

Po ashtu, kjo Listë mban poste ministrore dhe zëvendësministrore në Qeverinë e Kosovës si dhe udhëheq me shumicën e komunave ku serbët përbëjnë shumicën.

Largimi eventual i Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës do të ndikonte që koalicioni aktual qeverisës ta humbte shumicën në Kuvendin e Kosovës, me çka do të rrezikohej mbijetesa e Qeverisë së Kosovës, çka rrjedhimisht mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Sidoqoftë, Lista Serbe është subjekt politik që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, andaj vendimin definitiv për largim apo vazhdim të qëndrimit në Qeverinë e Kosovës pritet ta marrë pas takimit me presidentin serb, Vuçiç.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *