Merr fund ankthi, 12 sportistët nxirren nga shpella, por humbin finalen e Botërorit

Kryesore

Merr fund odiseja torturuese e 12 sportistëve të mitur dhe trajnerit të tyre, të cilët kishin mbetur të izoluar në një shpellë në Tajlandë, që prej datës 23 Qershor.

Operacioni i shpëtimit, i kryer nga zhytësa tajlandezë dhe të huaj, arriti të nxjerrë jashtë të 12 djemtë dhe trajnerin e tyre, pas 3 ditësh të mundimshme dhe plot ankth.

Ky operacion filloi ditën e diel, kur u shpëtuan 4 djem, vijoi të hënën me shpëtimin e 4 të tjerëve dhe u mbyll para pak minutash me nxjerrjen jashtë shpellës të pjesës së mbetur, 4 sportistëve dhe trajnerit.

Djemtë dhe trajneri i tyre ishin nisur në një ekspeditë, por mbetën të izoluar, për shkak të ujërave që përfshinë shpellën.

Ata u gjetën pas rreth dy javësh kërkime, ndërsa operacioni i nxjerrjes jashtë ishte një telash më vete, për shkak të vështirësive që paraqiste rruga, sepse duhej një kombinim mes ecjes dhe zhytjes nëpër ngushtica.

Futbollistët e vegjël tajlandez, të cilët u shpëtuan nga shpella ku ishin bllokuar prej mëse 2 javësh, ishin ftuar nga presidenti i FIFA-s që të ndiqnin finalen e Kampionatit Botëror ditën e diel, por mjekët duket të kenë frenuar çdo gjë.

“Ata nuk mund të udhëtojnë, duhet të qëndrojnë në spital për disa ditë”, tha një punonjës i Ministrisë së Shëndetësisë në Tajlandë.

Me këtë vendim atyre u mbetet ta shohin në televizor këtë ngjarje të madhe futbollistike të planetit.

Për momentin, ata po mbahen nën kontroll të rreptë mjekësor, e mbi të gjitha qëndrojnë gjatë gjithë kohës me syze dielli sa të mësohen me dritën.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *