Poezi nga Sokol Olldashi – vëllimi poetik “Teatri i Hijeve”
TË DIELËN
Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dalë dielli ende në ndajnatë,
S’do ta zgjoj rojen syfjetur,
Qetësisht do ta mbyll portën prapë.
Do të eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash që të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do gjej të ngul kryqin,
Në dheun nga shirat bërë llohë.
Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiririn të ndez,
E paketën në plis do ta fsheh,
Që ta pi pasi të vdes.
E do të ik…
—
TË PAKTËN TI
Mos më mundo më kot, nënë!
Mos më fol
Për pranverë,
Lule,
Qiej të kaltër,
Zogj,
Mirësi!
Mos më gënje, të lutem,
As për Mujër, Halilër,
Që kasaphanën ta ndërrojnë me kasaphanë,
Për ëngjëj çengelë,
Ku varur rrinë kombet,
Si lopë të rrjepura, me miza ndër zorrë!
Mos më gënje, zemër!
Të paktën ti …
—
U JAP NJERËZVE SHANSIN E FUNDIT
Larg do të iki.
Larg kohës,
Larg tingullit,
Larg dritës,
Larg jetës.
Në inekzistencën
E çastit,
Qetësisë,
Errësirës,
Në abstraksionin e humbjes,
Për të mos kuptuar asgjë
Nga ligësaia juaj naïve,
Nga hipokrizia e lindur.
Më pas do të kthehem,
E
Në qofshi
Siç jeni,
Rishtaz do të shkoj
Për të mos u kthyer kurrë më.
–
ORËT KANË MBETUR
Orët kanë mbetur qysh ditën që unë vdiqa.
Hija e lavjerrësit,
Prej shekujsh e palëvizshme,
Shtrihet mbi kalendarin,
Prej ku fletët gjith janë grisur.
Ka mbetur
Veç kartoni i bardhë i zhgënjimit.
I bardhë
Si çarçafët e një krevati të rrëmujshëm,
Të palëvizur që nga dita
E Dashurisë.
…
Orët kanë mbetur,
Që kur s’je më ti.
_
TEATRI I HIJEVE
Rolet u ndanë keq në Skenën e Madhe
Që në fillim.
Më pas…
Gjithçka kish marrë fund
E s’mund të ç’bëhej.
Regjisori,
Këtë e kuptoi i fundit
Ndaj kur sipari u ngrit
Iku
Duke thënë se do të kthehej
Pas Shfaqjes…
_
“G…”
E dija, patjetër e dija
Që një ditë mund të vinte si kjo
Më kot u mundova t’i fshihem
Dhe kur ikën të gjen vetë ajo.
- Kjo është kënga e fundit për ty
Nuk e di në e do dhe këtë
Por s’mundesha ta mbaja përbrenda
S’mundesha ta lija pa zë.
Tani G. bëj si di ti
Unë të premtoj veç një gjë
Sido që të zgjedhësh në fund
Un do t’ vij ose iki pa zë.