Nano:Përpjekja për shpërthimin e burgut në ’98, ministri dorëzoi çelësat

Lajme Politikë Slider kryesore

Ish-Kryeministri Fatos Nano në të parën intervistë televizive pas 10 vitesh, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” edhe një moment të një vendimi të vështirë që i është dashur të marr.

Nano ka treguar se si është arritur të ndalet një përpjekje për të shpërthyer burgun e Tiranës në mars të vitit 1998.   Ai ka thënë se në momente të vendimeve të vështira, liderët mbeten vetëm.

Fevziu: Në intervistën me Kryeministrin më tha që me Nanon kam një raport të mirë edhe për faktin, që ai është i vetmi që e di sa i vetmuar është të jesh në zyrën e Kryeministrit. Ju keni marr disa vendime shumë më të rëndësishme se sa kryeministri i sotëm dhe shumë kryeministra të tjerë, për arsye të momenteve historike që keni drejtuar qeverinë. Është e vërtetë që kur je në zyrën e Kryeministrit edhe pse je i rrethuar nga shumë njerëz vendimet duhet t’i marrësh i vetëm?

Nano: Në thelb është e vërtetë, sepse Kryeministri ose drejtuesi i një maxhorance qeverisëse, ka barrën dhe peshën e sëpatës së fundit. Sado të konsultohesh, sado të jesh i hapur për të dëgjuar mendimet e të tjerëve vendimin e fundit e jep vetë. Ndërkohë askush nga të tjerët nuk e ka përgjegjësinë për të qenë këmbëngulës, që ai e ka gjetur zgjidhjen, sepse nuk e ndjen përgjegjësinë e liderit. Në momentin e fundit do ta ndash vetë rëndësinë e veprimit, thellësinë e shtrirjes dhe impaktin.

Fevziu: Ka patur vendime të vështiraa?

Nano: Pa dyshim.

Fevziu: Kujton ndonjërin?

Nano: Janë dy llojesh. Unë kam qenë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë deri në 2005, pothuajse çdo 4 vjet. Që do të thotë 2-3 herët e para unë nuk kam arritur të shpalos programin, ishin kohë emergjencash, ishin konflikte të nxitura nga palët politike, opozita ishte shumë më pak operuese , ishte agresive.  Dhe mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekjeje për të shpërthyer burgun e Tiranës siç ndodhi në Mars ‘98 tek situata në brigadën ushtarake të Shkodrës ku kishin sulmuar për të vjedhur armët. Do thuash kur ngele vetëm?

Në momentin që unë dhe Ndre Legisi që ishte sekretar i shtetit, po komunikonim pa ndërprerë telefonikisht për masat që duhej të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim sepse FNSH ishin në Shkodër dhe u duhej 2 orë të vinin nga Shkodra në Tiranë dhe mbi të gjitha ishin specialistë që njihnin planimetrinë e burgut dhe dinin të vepronin në këto lloj situatash.

Në orën 9 në mbrëmje, në një nga telefonat me Ndrekën, Ndreka më thotë: Neritani iku, ministri, Më dorëzoi telefonin dhe çelësat dhe më tha: Ika se ra shteti.

Dhe iku vërtet. Dhe unë vazhdova me Ndrekën derisa me ndihmën e radio “Kohës”, bëmë një fushatë diversioni pozitive në mes të të rebeluarve dhe e ndamë shapin nga sheqeri, derisa u kthen FNSH nga Shkodra.

Dhe sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit më merr Neritani, ministri dhe më thotë: E zgjidhëm ne situatën.  Në raste të tilla ngelesh vetëm. Nivelin e  përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër./Opinion.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *