Pse po feston kryeministri për moshapjen e negociatave

Editorial Opinion

Nga MARK MARKU

 

Ia dolëm!, – thërriti Kryeministri, pikërisht ditën e djeshme pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg për hapjen e negociatave. Për mua që isha në makinë dhe thirrjen entuziaste të Kryeministrit po e ndiqja nga mikrofonat edhe më entuziastë të një radioje proqeveritare u bë e qartë se ky proces ishte mbyllur me sukses. Me siguri kështu kanë menduar edhe mijëra shqiptarë: Ia dolëm, domethënë procesi i negociatave u hap më në fund.

 

 

Por ja që entuziazmi kryeministror që e ka përherë bishtin prapa u davarit sa hap e mbyll sytë. Puna ishte krejt ndryshe: negociatat jo vetëm nuk ishin hapur, por edhe më zi: vendimi për hapjen e tyre ishte shtyrë për një vit më vonë, pra, ishte anuluar vetë vendimi për datën e negociatave, i deklaruar për më 18 qershor. Që ky vendim të merret një vit më vonë duhen plotësuar disa kushte: shtet ligjor, luftë kundër trafikut dhe korrupsionit, reformim i plotë i sistemit të drejtësisë, kryerje e Reformës Zgjedhore, pakësim i numrit të azilkërkuesve e plot kushte të tjera, të cilat qeveria shqiptare, të paktën kjo që kemi tani, nuk mund t’i përmbushë jo brenda një viti, po as brenda një shekulli, madje edhe vetë qeveria holandeze, franceze apo daneze po të vinin këtu dhe të qeverisnin në vend të kësaj sonës, nuk do t’i plotësonin dot.

 

Natyrshëm lind pyetja, pse po e feston Rama dhe qeveria e tij moshapjen e negociatave? A mos vërtet ata ia kanë dalë? Domethënë, qeveria shqiptare nuk e ka dashur kurrë hapjen e procesit të negociatave pasi një proces negocimi me Europën do të thotë qeverisje jo ‘alla Rama’, me një shtet ku nuk dallohet ku fillon e shteti dhe ku mbaron mafia, ku ligji është fjala e Ramës, ku korrupsioni të shfaqet si PPP, hashashi valëvitet fitimtar maleve dhe fushave të atdheut, ku me paret e krimit manipulohen zgjedhjet etj., etj., por një shtet alla europian, ku për të njëmijtën e zullumeve që janë bërë këtu në këto 27 vjet, do ishin futur në burg me dhjetëra kryeministra, ministra, deputetë e zyrtarë, një shtet alla europian, ku sundon ligji dhe drejtësia shoqërore, ku të zgjedhurit nuk tallen natë e ditë me zgjedhësit, por japin llogari para tyre natë e ditë.

 

Pra, ekziston mundësia që qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama nuk e kanë dashur procesin e negociatave sepse një proces i tillë do ta bënte shumë të mbikëqyrur nga BE, këtë feudin tonë të krimit, të batakçillëkut, të mashtrimit, të mjerimit, pra, edhe shumë të vështirë ekzistencën e feudalëve rilindës shqiptarë. Por ekziston edhe një mundësi e dytë për të shpjeguar festën qeveritare për moshapjen e negociatave. Ka mundësi që shtyrja me një vit e marrjes së vendimit (kini kujdes të marrjes së vendimit, jo të hapjes së negociatave), konsiderohet si një fitore nga ana e Ramës, pasi ai, i bindur për pamundësinë e marrjes së negociatave në takimin e 28 qershorit, ka shtyrë me një vit refuzimin nga Europa të qeverisjes së tij.

 

Një vit më shumë mundësi për propagandë, një vit më shumë mundësi për pushtet, përfitime, një vit më shumë kohë për takime me popullin ku do t’ia rropasë kokën me dokrra për esadistë e tradhtarë, për shkopinj nën rrota, për timonë e kusi, për hashash e begati. Sepse kanë ngelur edhe ca institucione publike pa u rrënuar, edhe ca troje pa u gllabëruar, edhe ca kulla pa u ngritur.

 

Ndoshta, ai feston pikërisht siç feston i sëmuri që pasi e ka marrë vesh sëmundjen e tij më parë nga mjeku, gëzohet që mjeku mungon në takimin e dytë ku do t’i jepet rezultati i analizave. Cilado qoftë arsyeja e festës qeveritare, problemi qëndron gjetkë. BE e ka lënë qeverinë shqiptare dhe për faj të saj, edhe Shqipërinë dhe shqiptarët jashtë dyerve të saj. Dhe për fat të keq, me plot të drejtë. Ajo ka vënë disa kushte, të cilat në thelb adresojnë problemet kryesore të qeverisë shqiptare:

 

-Një qeveri që inkurajon mafien, korrupsionin dhe krimin e organizuar;

 

-Një qeveri që e ka shpënë në mjerim popullin e vet për shkak të politikave të gabuara ekonomike, gjë që i bën shqiptarët të braktisin vendin dhe të kërkojnë azil politik në Europë. Europa nuk mund të pranojë njëherësh edhe qeverinë që i përndjek, edhe të përndjekurit. Do të ishte njësoj sikur Europa të pranonte dhe azilantët sirianë, edhe qeverinë e Bashar Al Asadit;

 

-Një maxhorancë që ndërton shtetin antiligjor. Që të përmbushen këto kushte, duhet luftuar shkaku i problemeve që shqetësojnë BE-në, dhe shkaku është vetë qeveria. Mesazhi që vjen nga BE është krejt ndryshe nga mënyra si e shpjegon Rama dhe altoparlantët e tij këtu: me këtë qeveri nuk keni për të hyrë në Europë, sepse qeveria juaj, me dashje apo pa dashje, i ka krijuar ato në këto 5 vjet të qeverisjes së saj.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *