‘Nuk ikim nga Shqipëria’/ Flet burri i gazetares që u sulmua me armë, Lala merret ne mbrojtje

Kronike Kryesore Lajme

Mëngjesin e ditës së djeshme u sulmua me armë zjarri banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala, ndërsa deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar, por dyshohet se kërcënimi lidhet me detyrën. Ditën e sotme gazetarja ka dhënë dëshminë para grupit hetimor në prokurorinë e Tiranës që po heton dosjen. Jashtë ambienteve të prokurorisë së Tiranës në një komunikim me gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, bashkëshorti i gazetares Ylber Lleshi, që jeton në Britaninë e Madhe shprehet se nuk ka ndërmend që të largohen pas ngjarjes.

“Nuk kemi ndërmend që të largohemi nga Shqipëria”, tha  Ylber Lleshi-burri i gazetares Klodiana Lala

Ylber Lleshi jeton prej vitesh në Britaninë e Madhe, ndërsa bashkëshortja, gazetarja Lala së bashku me dy vajzat jetojnë në Tiranë. Ngjarja e pazakontë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Domje të Tiranës, aty ku prej vitesh jeton familja e gazetares së kronikës së zezë, Klodiana Lala. Banesa e prindërve të saj, përjetoi momente terrori, pasi rreth orës 03:00 të mesnatës persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, banesën e familjes së gazetares Lala.

Qëllimi i kriminelëve ka qenë të jepte një mesazh të fortë gazetares, duke nënkuptuar se të godasim familjen, nëse na përmend emrin në kronikat televizive. Kjo e fundit kishte vetëm disa orë që ishte larguar nga shtëpia e prindërve, ku së bashku me bashkëshortin e saj kanë udhëtuar në drejtim të Tiranës, aty ku jetojnë së bashku. Dy vajzat e saj të mitura, i ka lënë në banesën e prindërve, nën shoqërinë e 6 personave të tjerë, si dy gjyshërit, motrës, vëllait dhe dy krushqve,që kishin mbërritur për vizitë nga Italia.

Fatmirësisht breshëria e automatikut nuk ka sjellë asnjë dëm në njerëz, vetëm dëme materiale. Besohet se autori i krimit është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes për të mos u identifikuar ende dhe sot. Pak ditë më parë gazetarja Lala ka botuar në një kronikë televizive një bisedë të përgjuar mes deputetit të PS Jurgys Çyrbja me një person me precedentë penalë. Mësohet se ministri Xhafa i ka siguruar mbrojtjen familjes së gazetares dhe vetë asaj, ndërkohë ka premtuar se ngjarja do zbardhet.

Pas 24 orëve askush nuk është në pranga për sulmin me armë zjarri mbi banesën e prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala. REPORT TV mëson se paraditen e sotme është zhvilluar një takim në prokurorinë e Tiranës mes drejtueses së këtij institucioni Elisabeta Imeraj, drejtorit të Policisë së Shtetit Veliu, atij të Tiranës Skënderaj dhe vetë gazetares Klodiana Lala. Pas takimit gazetarja po jep dëshminë para grupit hetimor, ndërsa hetimet janë fokusuar në pistën e kërcënimit për shkak të detyrës.

REPORT TV mëson se ka një rreth personash që do të shoqërohen për të hedhur dritë mbi ngjarjen, ndërsa drejtuesit e policisë së shtetit dhe Tiranës pas përfundimit të takimit nuk kanë pranuar që të japin asnjë deklaratë. Ndërkohë që grupi hetimor ka marrë dëshmitë e para, ka analizuar tabulatet e bisedave telefonike për të shkuar në gjurmët e autor/ëve të ngjarjes.

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *