Nuk justifikoi pasurinë, shkarkohet gjyqtari i Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva

Kronike shtojca

I nisur përmes një debati dhe polemikash të gjata, procesi i vettingut ka nisur të jap efektet reale duke u kthyer në një shqetësim real për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që gjatë jetës së tyre profesionale janë përfshirë në afera të ndryshme korruptive. Në kuadrin e dy javëve janë larguar dy gjyqtar dhe një prokuror, çka tregon për rritjen e presionit të procesit të vettingut. Rasti i fundit është ai i sotmi ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva, i cili nuk justifikon pasurinë e tij prej 20 milionë lekësh dhe tre apartamente në Tiranë dhe Durrës.

Avokati i gjyqtarit, Fatmir Braka, e cilësoi vendimin e KPK të padrejtë dhe të parregullt, duke deklaruar se do ta apelojë.

“Vendimi i padrejtë, i parregullt, do ta apelojmë. Do ketë pasoja dhe për gjyqtarë të tjerë, pasi nuk pranojnë ekspertim, ndaj nuk ka objektivitet”, tha Fatmir Braka.

Dy ditë më parë, KPK zhvilloi seancën dëgjimore me gjyqtarin, ku doli në përfundimin se Trezhnjeva nuk justifikon pasurinë prej 20 milionë lekësh, si dhe është pronar i dy apartamenteve në Tiranë, për të cilët nuk justifikon burimin e pasurisë.

Besim Trezhnjeva ka një apartament banimi në Tiranë 96 m2, apartament të përshtatshëm për aktivitet tregtar me sipërfaqe 65 m2 po në Tiranë, për të cilat nuk ka deklaruar burim të ardhurash, si dhe një apartament 142 m2. KPK ka arritur gjithashtu në përfundimin se gjyqtari ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e vajzës së tij, Olta Trezhnjeva, që punon pranë fondit të barnave. Nga ana e tij, gjyqtari Trezhnjeva pretendon se nuk i është llogaritur asnjë e ardhur në vitet 1981-1994.

Më parë, në ‘rrjetën’ e Vettingut kanë kaluar dhe gjyqtarët Fatos Lulo dhe Vitore Tusha të Gjykatës Kushtetuese. Fatos Lulo nuk e kaloi procesin e rivlerësimit, duke u bërë ‘kurban’ i Vettingut, pasi nuk justifikonte pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, ndërsa nga ana tjetër, gjyqtarja Vitore Tusha rezultoi e pastër, duke vijuar e lirë detyrën.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *