Padit Gjonajn në prokurori, Meta: Rreziku më i madh është murtaja që quhet “Rilindje”!

Kryesore Lajme Politikë Slider kryesore

Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar në SPAK padinë ndaj ministres Etilda Gjonaj duke e akuzuar për shpërdorim detyre në rastin e publikimit të listës së KED për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese. Kreu i Shtetit ka theksuar se në këtë mënyrë janë cënuar përcaktimet kushtetuese. Përmes mediave Meta ftoi edhe një herë për pjesëmarrje në tubimin e 2 marsit. Presidenti i Republikës i shoqëruar nga këshilltari për sigurinë Bahri Shaqiri, atë të çështjeve ligjore Bledar Dervishi dhe zëdhënësi i tij Tedi Blushi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për të dorëzuar padinë ndaj ministres Etilda Gjonaj. Në selinë e SPAK ka qëndruar vetëm pak minuta ndërsa për mediat theksoi se ka prova të reja. Ilir Meta: Ne po disponojmë prova të tjera jo vetëm për të çuar deri në fund shpartallimin e tentativës së grushtit të shtetit, por edhe të gjithë përpjekjes për të finalizuar grushtin e shtetit për të rrëmbyer me ligjin anti-kushtetues të Kushtetutës së Shqipërisë për të kthyer Gjykatën Kushtetuese, garante të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, nga kjo bandë tepër e rrezikshme. Në 2 mars të gjithë shqiptarët në bulevard, në Tiranë, për të bërë të qartë se Shqiptarët janë me Kushtetutën dhe jo me Presidentin Ilir Meta. Se shqiptarët nuk do të lejojnë më askënd për të dhunuar Kushtetutën që ata e votuan me referendum në 22 nëntor 1998. A ka një republikë në Europë a në botë, të një vendi anëtar të Këshillit të Europës, t`i rrëmbehet kompetenca kushtetuese për Gjykatën Kushtetuese Persidentit të Republikës.

Tubimin në dy mars e konsideroi si mbrojtje të Kushtetutës. Ilir Meta: Mbrojta e Kushtetutë dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese është sot detyrë për çdo shqiptar patriot. Në radhë të parë është mision dhe detyrë e Presidentit të Republikës. Nuk ka ngjarje më të rëndë se sa ky akt mafioz, ku në bazë të provave zyrtare, rezulton e përfshirë celula në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që nëpërmjet shkeljeve dhe falsifikimeve ka tentuar një grusht shtetit duke tentuar haptazi dhe në mënyrë mafioze duke rrëmbyer një kompetencë që Kushtetuta ia jep Presidentit. Këto prova, këto fakte tronditëse, ishte e domosdoshme ti sillte vetë Presidenti i Republikës. Padia penale për disa vepra është dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtëisë me në krye zonjën ministre ende në detyrë. Në komunikimin e shkurtër për mediat nuk nguroi të bënte dhe thirrje për pjesëmarrje.

Ilir Meta: Unë kam dalë në sheshin e betejës së vërtet për çdo qytetar shqiptar që dëshiron në një vend ku ligji është i barabartë për të gjithë duke filluar nga Presidenti i Republikës te qytetari më i thjeshtë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkelet Kushtetuta në mënyrë të tillë. Nuk ka asnjë vend të Europës që ka 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese me qëllimin e vetëm për të kapur Kushtetutën. Nuk ka ndodhur që një vend të mbetet pa asnjë minutë pa Gjykatë të Lartë, nuk ka ndodhur kurrë që të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota ndërkohë që duhen 84 vota, pra nuk ka ndodhur asgjëkundi të ndodhin zgjedhje lokale në kundërshtim me Kushtetutën, që i neveriti Autoriteti i Kongreseve Vendore që i abandoni. Puna vazhdon, provat vazhdojnë, implikimi vazhdon, ndaj të gjithë i pres në 2 mars kundër murtajës që do të zhbëjë shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe do të ekzekutojë përfundimisht Kushtetutën e gjithë Shqiptarëve.

Deklarata e plote e Metes

Prononcimi i Presidentit Meta pas depozitimit të kallëzimit penal në SPAK ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe zyrtarëve të tjerë të lartë

 

24 shkurt 2020

 

Pyetje: A është e pranueshme për vetë kreun e shtetit të dalë vetë në terren dhe të dorëzojë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme, kur ka zyrtarë dhe mjaft punonjës që mund ta bëjnë këtë gjë?

 

Presidenti Meta: Mbrojtja e Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese është sot detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot dhe në radhë të parë është kryedetyra dhe misioni i Presidentit të Republikës.

 

Nuk ka ndodhur ngjarje më e rëndë në historinë e shtetit tonë se sa ky akt mafioz, ku së fundmi në bazë të provave zyrtare, rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë që përmes shkeljes së Kushtetutës, dhunimit të shumë ligjeve dhe përmes falsifikimeve të mirëprovuara, ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi, në mënyrë mafioze një kompetencë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia jep vetëm Presidentit të Republikës, me qëllim shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese, nga garante e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, në një polici anti-kushtetuese për të rrëmbyer të drejtat e qytetarëve shqiptarë përgjithmonë.

 

Prandaj këto prova dhe fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

 

Kallëzimet penale shumë të qarta janë dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye zonjën ministre, ende në detyrë.

 

Po vlerësojmë prova të reja që disponojmë dhe që po na vijnë, për persona të tjerë të kësaj bande tepër të rrezikshme, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, për të çuar deri në fund shpartallimin e grushtit të shtetit përmes rrëmbimit me ligjin anti-kushtetues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm të shtetit.

 

Ndaj më 2 mars, të gjithë në Tiranë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për ta bërë të qartë se shqiptarët janë me Kushtetutën, jo me Presidentin Ilir Meta! Se shqiptarët nuk do të tolerojnë më askënd të dhunojë Kushtetutën që ata e votuan me referendum më 22 nëntor 1998.

 

Rreziku më i madh është murtaja që quhet “Rilindje”!

 

Pyetje: Zoti President, ju keni ndërmarrë një akt të jashtëzakonshëm. Është një akt i paprecedent i kreut të shtetit për të ndërmarrë një…

 

Presidenti Meta: Një akt i paprecedent i kreut të shtetit, thoni ju! Më thoni: A ka ndonjë Republikë në botë, në Europë, të një vendi anëtar të Këshillit të Europës, të një vendi që synon të çelë negociatat me Bashkimin Europian, ku në mënyrën më mafioze i rrëmbehet kompetenca kushtetuese dhe pushteti që Kushtetuta ia jep kreut të shtetit.

 

Pyetje: Ku synoni të arrini zoti President përmes një tubimi në datën 2 mars, sepse ky është një akt që asnjë president në dijeninë tonë si gazetarë, nuk ka dalë në rrugë për të protestuar me qytetarët? Ku synoni të arrini me këtë akt, zoti President?

 

Presidenti Meta: Unë kam dalë në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar shqiptar, që dëshiron të jetojë në liri, në demokraci dhe në një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë duke filluar nga Presidenti i Republikës deri te qytetari më i thjeshtë i Republikës.

 

Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkelet Kushtetuta në këtë mënyrë. Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë tre vite pa Gjykatë Kushtetuese vetëm për qëllimin për ta kapur këtë Gjykatë në mënyrë mafioze, dhe monstruoze siç tregojnë faktet dhe të vërtetat.

 

Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë ngelur një minutë pa Gjykatë të Lartë.

 

Nuk ka ndodhur asgjëkundi që të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota, kur Kushtetuta e thotë qartë me 84 vota.

 

Nuk ka ndodhur asgjëkundi që të bëhen zgjedhje vendore në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me ligjet e vendit, zgjedhje njëpartiake, të cilat i neveriti vetë Kongresi i Autoriteteve Vendore, duke e abandonuar vëzhgimin e tyre si zgjedhje jashtë standardeve.

 

Pra nuk ka ndodhur asgjëkundi një grusht i tillë shteti, siç unë u kam bërë të qartë të gjithë shqiptarëve sot paradite me postimin, me të cilin ju jeni njohur.

 

Puna vazhdon. Provat vazhdojnë. Implikimi vazhdon. Të gjithë i pres më 2 mars kundër murtajës që do të zhbëjë shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe të ekzekutojë përfundimisht Kushtetutën e të gjithë shqiptarëve.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *