Pakti detar, Tsipras presion Ramës, Meta e frenon: Ja kushti im për firmën me Greqinë

Kryesore Lajme Politikë

Athina zyrtare është në pritje të firmosjes së marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë. E kjo do të ndodhë përpara nisjes së sezonit të verës.

Këtë e paralajmëroi sërish kryeministri grek Aleksis Tsipras, i cili ka bëri të ditur se anëtarët e kabinetit qeveritar nuk do të shkojnë as me pushime deri sa të konkludohet marrëveshja dypalëshe, ku kryesorja është Pakti Detar, ndarje e kufirit detar.

Qeveria Tsipras ka vendosur që gjatë verës të arrijë edhe një marrëveshje me Shqipërinë, që do të përfshijë edhe delimitimin e ZEE.

Ministri i Jashtëm grek, Kotzias nga Moska në një deklaratë për mediat ka bërë të qartë se dikasteri i tij nuk do të shkojë me pushime këto muaj. Kjo dhe për faktin se është ende në pritje, takimi i dy kryeministrave Rama dhe Tsipras, të cilët shkurtin e kaluar ranë dakord për të vazhduar negociatat dhe për të mbyllur çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve.

Por entuziazmit të Athinës zyrtare duket se i ka vënë fre presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka vendosur një vijë të kuqe ndaj arritjes së marrëveshjes së re me Greqinë.

Duket qartë se Greqia nga ana e asaj po shfrytëzon mbledhjen e ardhshme të Këshillit të BE-së, ku pritet të merret vendimi final për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërsë.

Nën rrogoz duket qartë se Athina zyrtare një farë mënyrë po i bën edhe presion Tiranës zyrtare, duke i kujtuar mbase dhe të drejtën e vetos në këtë vendim të shumëpritur për qeverinë Rama.

Takimi Rama dhe Meta dhe vija e kuqe

Një ditë pas konsultimeve të më shumë se gjysmëorëshe në Presidencë, presidenti Ilir Meta bëri të qartë se kërkon të njihet më në detaje mbi marrëveshjen përpara se të jap dakordësinë për Paktin e ri detar.

Burimet nga Presidenca bënë me dije se Ilir Meta ende nuk ka vendosur nëse do ta kushtëzonte firmën e tij me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo pasi në mungesë të Kushtetueses si garanti suprem, presidentit do t’i binte pesha e të qenit i vetmi garant. Vetë Meta shmangu një përgjigje direkte kur u pyet nga gazetarët, por duke deklaruar shqetësimin e tij për Kushtetuesen.

“Dua të shpreh kënaqësinë për konfirmimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Dedja . Është e domosdoshme që të kemi sa më shpejt një Gjykatë funksionale dhe të përgjegjshme për ti dal për zot kushtetutës së vendit dhe gjithë debateve lidhur me kushtetuetshmërinë e ligjeve apo akteve të ndryshme”, u shpreh Meta.

Në këto kushte vjen interesante ndërhyrja e presidentit me një thirrje ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk po seleksionon kandidatët për Gjykatën Kushtetuese me argumentin se anëtarët e tij nuk kanë hyrë ende në vetting.

 

“KED të funksionojë më shpejt për të vlerësuar kandidaturat që kanë paraqitur në përputhje me procedurat Kushtetuese e ligjore si nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi”, theksoi Presidenti/

 

Deklaratat e Ilir Metës vijnë një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ku është folur për shpejtësi dhe kushtetutshmëri në arritjen e paktit detar.

 

“Kryeministri nuk ka ardhur për të informuar për ecurinë. Thjesht kemi bërë vlerësim të situatës dhe perspektivës për të ecur drejt mundësisë së finalizimit të një marrëveshje shpejt, por në respekt të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Institucioni i Presidentit pret informacione edhe më të plota sipas standardeve më serioze që meriton rëndësia e kësaj çështjeje”, theksoi Meta.

 

Në pritje të këtyre informacioneve të plota, Meta deklaroi se është në një dialog të vazhdueshëm dhe marrëdhënie që e cilësoi tepër korrekte me Ministrinë e Jashtme, e cila këto ditë ka hedhur poshtë zërat se marrëveshja është finalizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *