“Pantera e Zezë” shtyn “Mbretëreshën e Akullit”

Showbiz

Filmi “Black Panther” arrin të hyjë në listën e dhjetë filmave më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Krahas “Star Wars” dhe “Avatar” ai është që tani një nga filmat më të frekuentuar në kinema.

Filmstill Black Panther (imago/ZUMAPRESS/Marvel Studios)

Mbas një fundjave tjetër të suksesshme në arkat e kinemasë tani u bë zyrtarisht. Me të ardhura prej gjithsej 1,04 miliardë eurosh (1,28 miliardë dollarësh) filmi “Black Panther” (shqip: Pantera e Zezë, 2018) e shtyu përfundimisht filmin e Disney-t “Frozen” (shqip: Mbretëresha e Akullit, 2013) nga lista e dhjetëshes së filmave më të suksesshëm të të gjitha kohërave.

Filmi me superheronj i regjisorit Ryan Coogler është xhiruar me aktorë thuajse të gjithë me ngjyrë dhe sapo doli u bë hit kinemaje. Pas premierës, më 16 shkurt 2018, ai mbeti për pesë javë radhazi filmi më i frekuentuar në kinematë amerikane.

Mirëseerdhët në Wakanda

Në qendër të filmit është T’Challa, një personazh i një libri vizatimor, që në film interpretohet nga Chadwick Boseman.  T’Challa është sundimtari i vendit afrikan Wakanda. Megjithëse konsdierohet si një vend i botës së tretë, Wakanda në të vërtetë është vendi i pasur dhe me përparim të mahnitshëm teknologjik – falë lëndës së parë, Vibranium, që vetëm aty gjendet. Por kjo gjë mbahet në fshehtësi të madhe.

Filmstill Black Panther (imago/ZUMAPRESS/Marvel Studios)

Mbas vdekjes së të jatit, T’Challa – i quajtur ndryshe edhe “Pantera e zezë” – kthehet në vendin e tij dhe hipën në fron. Por dikush e vë në pikëpyetje pushtetin e tij dhe kërcënon se do t’i tregojë gjithë botës të vërtetën mbi Wakanda-n. Sipas tij, afrikanët në të gjithë botën duhet të përfitojnë nga përparimi teknologjik dhe pasuria e Wakandas.

Krahas Boseman-it, në film luajnë edhe Michael B. Jordan dhe Lupita Nyong’o. Filmi e bëri kësisoj zhanrin e ashtuquajtur “afrofuturizëm” pjesë të mainstream-it në kinematografi.  Në “Black Panther” trajtohet edhe historia e kolonializmit, por edhe një realitet futurist alternativ.

Nën regjinë e Ryan Coogler-it, “Black Panther” është prodhuar si filmi i 18-të Marvel Cinematic Universe. Në filimin e ardhshëm  “Avengers: Infinity War”, i cili do të shfaqet në kinematë amerikane që nga data 27 prill 2018, Pantera e Zezë do të bashkohet me Kapiten Amerika dhe personazhet e tjera të Marvel-it. Edhe ky film ka gjasa të bëhet një sukses botëror.

Rachel Steuart/ DW

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *