Gjurma 11 Maj 2018
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj reagimit të ambasadës amerikane në lidhje me përmendjen e ambasadorit Donald Lu për çështjen e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet😊 Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur mua🇦🇱🤝🇺🇸”, shkruan Rama për rrjetet sociale.
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, komentoi akuzat e Partisë Demokratike për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Reagimi i ambasadorit amerikane vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama u shpreh nga foltorja e Kuvendit se nëse akuzat e opozitës do kishin përgjegjësi mbi ministrin, i pari që do fliste do ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu.
Lidhur me këtë qëndrim të kreut të qeverisë, ambasadori amerikan, Donald Lu ka folur për “Report TV” duke dhënë këtë mesazh: “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj“.